Eksplozivi te “Kristali”, në makinën e biznesmenit të ndërtimit (Video)

Zbulohen detaje zbulohen nga ngjarja që alarmoi banorët e “Komunës së Parisit” në kryeqytet paraditen e sotme.

Sipas “Neës24”-s, eksplozivi i vendosur në mjetin “Mercedes” të biznesmenit Nuredin Suli ra në momentin që makina lëvizi. Suli është biznesmen i njohur nga Fieri në fushën e ndërtimit, karburanteve hotelerisë etj.

Policia i ka përqendruar hetimet në pistën e hakmarrjes, duke sjellë në vëmendje historinë e vrasjes së të vëllait Neim Suli, 47 vjeç, në vitin 2011. Ai u vra nga fqinjët në një garazh pas një konflikti pronësie. Gjykata vendosi 72 vjet burg gjithsej për autorët e ngjarjes 25 vjet për Gëzim Sulon, po kaq për Ervis Sulon dhe 22 për Endri Sulon. Gjatë procesit në Gjykatën e Fierit, vrasjen e biznesmenit Suli e mori përsipër babai i të akuzuarve. Por prokuroria arriti të provonte fajësinë e të tre të akuzuarve të cilët sot gjenden pas hekurave.

Gjashtë muaj pas vrasjes, vëllait të autorit i vunë tritol në makinë, por dy pasagjerët kishin dalë nga mjeti para shpërthimit.

Në tetor 2013, shënjestër atentati u bë edhe vëllait tjetër i Nuredin Sulit, Namiku. Ai ndodhej në karburantin në pronësi të tij, kur persona të paidentifikuar qëlluan me breshëri automatiku. Autorët hapën zjarr nga një automjet “Atfa Romeo”, por fatmirësisht biznesmeni u shpëtoi plumbave.

(13:04) Eksploziv në një qendër tregtare, policia bën shpërthim të kontrolluar

Një alarm për bombë është dhënë paraditen e sotme në një qendër tregtare në zonën e “Komunës së Parisit”.

Kanë qenë banorët që kanë telefonuar policinë rreth orës 11:15 për një pako të mbështjellë me natriban në zonën e parkingut të makinave, të dyshuar si eksploziv.

Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka evakuuar njerëzit e ka larguar automjetet që ndodheshin në qendrën tregtare, ndërsa ka rrethuar zonën përreth.

Rreth orës 12:40 policia ka bërë shpërthimin e kontrolluar të eksplozivit. Dyshohet se lënda plasëse ishte vendosur poshtë një mjeti të parkuar në katin e dytë të nëndheshëm të qendrës tregtare, por në kohën që mjeti ka lëvizur nga parkimi, eksplozivi është shkëputur dhe ka rënë.

Qytetarët që ndodheshin në qendrën tregtare kanë vrapuar të alarmuar duke bërtitur menjëherë pas dhënies së alarmit. Edhe banorët e kateve të sipërme të ndërtesës kanë dalë jashtë apartamenteve të tyre.

Loading...