Ejup Berisha
Nëpër shtetet normale që janë shumë të pakta nëpër botë fjala Demokraci në bazë të një përkthimi të lashtë grek do të thotë Sundim i popullit apo Demos popull dhe Cratein sundim. Më vonë ky term merr kuptimin e sundimit të një individi sipas interpretimeve të atëhershme individuale në bazë të vullnetit dhe dëshirës së Perëndisë. Ky interpretim apo kjo bindje kanë ekzistuar në kohën e Mbretërive absolute. Dhe shumë më vonë Demokracia definohet si sundim i elitave politike të cilat pushtetin e fitojnë në zgjedhje periodike në të cilat marrin pjesë qytetarët si votues të cilët i zgjedhin politikanët e tyre të preferuar për një afat të caktuar kohor në politikë. Ky përafërsisht duhet të jetë një definicion i thjeshtë apo dhe elementar që jepet për Demokracinë. Mirëpo te Demokracia problem paraqet fjala sundim e cila mendoj se duhet të eliminohet dhe zëvendësohet me fjalët drejtim apo udhëheqje. Pra në bazë të ndërhyrjes time teorike Demokracia paraqet sistem në të cilin udhëheqin elitat politike të cilat zgjedhen për një periudhë të caktuar kohore nga ana e qytetarëve, në një proces politik që quhet zgjedhor. Për çdo fenomen shoqëror është shumë i rëndësishëm definicioni, pra ky është shumë i rëndësishëm edhe për Demokracinë. Dhe gjithmonë më mirë kuptohet diçka që definohet sesa diçka që nuk definohet, dhe përherë më mirë e më lehtë definohet diçka që ekziston apo dhe funksionon në jetën e përditshme apo në praktikë sesa diçka që nuk ekziston apo nuk funksionon. Ndërsa te ne shumë vështirë është të definohet Demokracia sepse ajo më shumë nuk funksionon, se sa që funksionon. Them sundim e jo udhëheqje sepse këtu elitat politike qysh nga kohët e lashta i kanë trashëguar dhe akoma nuk i kanë ndryshuar bindjet dhe mentalitetin se me popullin apo me qytetarët duhet të sundohet e jo të udhëhiqet apo drejtohet. E sundimi dhe udhëheqja dallojnë rrënjësisht njëra me tjetrën jo vetëm se si ide, teori, bindje e koncepte por edhe si aspekte të vepruarit praktik apo dhe si sjellje. Pra, Udhëheqja nënkupton dialogun reciprok pushtet-opozitë, bashkëbisedim pushtet qytetarë, respektim të drejtave dhe lirive të njeriut. objektivitet, transparencë, arsyeshmëri, mosimponim të vullnetit gjatë marrjes së vendimeve politike,pranim të subjektivitetit qytetarë dhe njohje të sovranitetit të tyre. Ndërsa fjala sundim nënkupton mohim të subjektivitetit dhe sovranitetit qytetarë dhe dhënie prioritet sovranitetit politik, mungesë dialogu ,imponim të vullnetit apo të vendimeve politike, dhunë, jotransparencë dhe mungesë arsyeshmërie gjatë veprimit të elitave politike. Sot pra në disa shtete të botës kemi suspendim të Demokracisë në dobi të Autokracisë, krejt kjo me qëllim të qëndrimit sa më të gjatë të elitave politike në pushtet. Pra kur i referohemi fjalës demokraci shohim se kjo në shumicën e shteteve të globit ku jetojmë ka mbetur vetëm si fjalë shumë e dëshirueshme për qytetarët por shumë e urryer nga ana e elitave politike të cilat mundohen që ta pamundësojnë atë përmes shumë pengesave dhe shantazheve. Sot pra në të shumtën e shteteve të botës kemi Demokraci vetëm formale por jo edhe faktike. Apo në shumicën e shteteve sa i përket Demokracisë kjo funksionon vetëm me një segment e ato janë Zgjedhjet. E këto në të shumtën e rasteve janë jokorrekte gjë që e zbehin esencën dhe kuptimin e Demokracisë apo e sjellin në pikëpyetje karakterin demokratik të vet procesit zgjedhor . Dhe si rezultat i këtij realiteti i tërë procesi i qeverisjes pas zgjedhjeve zhvillohet përmes zbatimit të mënyrave, metodave dhe aktiviteteve autokratike. Nuk mjafton që shteti ta mbaj epitetin Demokratik sepse sot gatise të gjitha shtetet e mbajnë këtë epitet. Pra edhe ato që i kultivojnë zhvillojnë dhe zbatojnë proceset Demokratike por edhe ato që i pamundësojnë dhe i mohojnë ato veten e quajnë Shtete Demokratike. Por se a janë vërtetë Demokratike shtetet kjo duhet të vërtetohet edhe me veprime,sjellje dhe punë konkrete rreth mundësimit të kushteve për funksionimin e mirfillt apo të realt të Demokracisë. Ndërsa te ne në të shumtën e rasteve mungojnë punët veprimet dhe sjelljet që kanë ndikim pozitiv për funksionimin e realët të Demokracisë. Prandaj nëpër botë në të shumtën e rasteve kemi vetëm se demokraci formale e jo edhe Demokraci faktike apo reale. Dhe në Ballkan nëse e shtjellojmë fjalën Demokraci apo shkronjat e saja veç e veç më shumë mund të hasim në fjalë apo dhe në kuptime negative sesa pozitive. Psh nëse e marrim shkronjën D na dalin fjalët Djallëzi,dredhi,devijim dhe deformim. Nëse e shtjellojmë shkronjën E na del fjala Eliminim gjë që është fjalë shumë aktuale për demokracinë sepse elitat politike në shumë shtete të botës sot e kanë eliminuar apo po mundohen ta eliminojnë Demokracinë. Kur jemi të shtjellimi i shkronjës “M”, na dalin fjalët: Majorizim, manipulim, malverzim dhe matrapazllëk. Kur jemi te shkronja “O” na del fjala: Oligarki. Shkronja “K” na i sjell fjalët komunizëm dhe kundërshtim, ndërsa në Demokraci duhet të ketë më pak kundërshtime e më shumë pajtueshmëri. Me shkronjën “A” lidhen fjalët: Autokraci, anarki, antagonizëm, apati dhe aparthejd. Shkronja “C” na i sjell fjalën: Cinizëm ndërsa shkronja i fjalët iracionalizëm,idiotizëm,iredentizëm indiferencë, ikje që asocon më së shumti në ikje nga përgjegjësitë që i bëjnë sot elitat politike në shumë shtete të botës. Përkundër të gjitha këtyre fjalëve dhe emërtimeve të negative prapë se prapë fjala Demokraci mbetet më e pranueshmja dhe më e pëlqyeshmja sesa të gjitha emërtimet dhe fjalët që janë përdorur në politikë deri para fillimit të zbatimit të Demokracisë. Pra kjo e fundit është sinonim i shpresës dhe besimit pa të cilin nuk mund të zhvillohen dhe përparojnë shtetet dhe popujt bashkëkohor të botës. Prandaj ti eliminojmë nga politika individët që mundohen ta pamundësojnë, shantazhojnë dhe eliminojnë Demokracinë ky është një obligim primar dhe i domosdoshëm patriotik qytetar.

Loading...