Ka nisur sot në Amerikë turneu Masters i Sinsinatit në tenis, i fundit në prag të grand slam të US Open dhe surprizat nuk kanë munguar që në ditën e parë, siç është eliminimi i britanikut Andy Murray. Ish-numri 1 në botë u mund 2-1 (6-1, 1-6, 6-4) nga francezi Lucas Pouille, që avancon më tej. Një ndeshje e dobët e britanikut, nga i cili pritej më shumë, por shumë shpejt i thotë lamtumirë këtij turneu, që për të do të ishte testi final para US Open.

Nuk zhgënjen një tjetër ish-numër 1 në botë, serbi Novak Djokovic, që bën detyrën ndaj amerikanit Steve Johnson, duke fituar 2-0 (6-4, 7-6) dhe avancon më tej. Djokovic vuajti disi për të mposhtur rivalin, sidomos në setin e dytë, ku fitoi në “tie break”. Më tej shkon edhe zvicerani Stanislas Wawrinka, që mundi 2-1 gjermanin Diego Schwartzman. Ndërkohë që, në fushën me çemento do të zbresë sot edhe zvicerani Roger Federer.

Te femrat, një biletë për më tej ka prerë tenistja amerikane Serena Williams, e cila mposhti me lehtësi 2-0 (6-1, 6-2) rusen Daria Gavrilova, në një ndeshje të dominuar nga 36-vjeçarja. Më tej shkon edhe francezja Alize Cornet, që mundi Jelena Ostapenko, ndërsa bjellorusja Agniezska Radwanska mposhti spanjollen Carla Suarez Navarro.

Loading...