Ende nuk janë suspenduar policët që rrahën Agron Mustafën, heshtin Policia e Ministria e Brendshme

Drejtori i Valës, Agron Mustafa është sulmuar sot në qendër të Prishtinës. Këtë akt e kanë kryer dy policë të Policisë së Kosovës. Një video që është bërë publike ka sqaruar gjithçka. Por, dy policët, Nazim Sahiti dhe Avni Berisha, ende nuk janë suspenduar. Ende s’ka reagime për këtë rast as nga Policia e Ministria e Punëve të Brendshme.
Drejtori i Postës dhe Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa është sulmuar sot fizikisht nga dy policë në lagjen e njohur si “Te Qafa” në Prishtinë.

Sulmuesit e Agron Mustafës janë identifikuar të jenë dy policët, Nazim Sahiti dhe Avni Berisha, të cilët nga pamjet e siguruara nga kamerat e të cilat janë bërë publike pak më parë sqarojnë se si ka ndodhur ky sulm.

Ndaj këtyre policëve që kanë bërë këtë vepër nuk është marrë ende asnjë masë. Ata ende nuk janë suspenduar.

Po ashtu ende nuk ka ndonjë reagim nga Polica e Kosovës, drejtori i policisë Shpend Maxhuni, e as nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Kurse, pak minuta më parë Agron Mustafa në një konferencë për media ka rrëfyer tërë atë që ka përjetuar sot. Ai ka thënë se sulmi ndaj tij ishte i organizuar mirë. U ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që ta hetojnë këtë rast.

Gjatë ditës së sotme Inspektorati Policor i Kosovës ka treguar se ka nisur hetimet lidhur me incidentin që ka ndodhur ndërmjet dy policëve dhe Drejtorit të Valës, Agron Mustafa.

“Hetuesit janë në konsulta me prokurorin kompetent për veprime të mëtutjeshme”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit Policor.

“IKP ka dalë në vendin ne ngjarjes., Ka ndërmarrë disa veprime”, thuhet më tej në përgjigje.

Drejtori i Valës, Agron Mustafa, i denoncoi Nazim Sahitin dhe Avni Berishën si persona që e kanë sulmuar në qendër të Prishtinës.

Policia përmes një njoftimi tha se dy persona u lënduan nga kjo përleshje.

Në një intervistë për Express, Nazim Sahiti ka thënë se nuk qëndrojnë pohimet e Mustafës për përleshje fizike. Kishte thënë se incidenti ka ndodhur ndërmjet policit Avni Berisha dhe Agron Mustafës lidhur me një keqkuptim për një fotografim në një lokal të Prishtinës.

Avni Berisha ka thënë se Mustafa ka qenë sulmuese derisa ka thënë se nuk e ka fotografuar asnjëherë drejtorin e Valës, i cili para një javë kishte qëndruar në një lokal me një të dyshuar.

Loading...