Përplasjet e fundit brenda BDI-së dhe njoftimi i deputetes Ermira Mehemti se i ngrinë të gjitha aktivitetet politike në BDI, nga partia e Ahmetit i vlerësojnë si demokraci të brendshme. Bekim Neziri shef i shtabit zgjedhor të BDI-së madje nuk beson se Mehemti do të largohet nga BDI-ja, përkundrazi Neziri kritikat i sheh në aspekt pozitiv.

“Deklaratat e deputetes Mehmeti janë deklarata të cilat mund ti jep çdo politikan i cili jep kontribut në BDI, kjo tregon madhësinë dhe demokracinë brenda BDI-së. Unë nuk besoj që Ermira Mehemti, deputetja, do të shkëputet nga BDI-ja duke e njohur historinë e saj, duke njohur kontributin e saj që ka dhënë që nga viti 2002. Mirëpo besoj që sugjerimet, kritikat dhe vërejtjet janë në drejtim pozitiv. Çdo personalitet e ka të drejtën e vet personale se ku do të vazhdoj dhe a do të vazhdoj të jep kontribut në një subjekt apo jo”, deklaroi Bekim Neziri, shef i shtabit zgjedhor të BDI-së.

Derisa analisti Arsim Sinani hapin e Mehmetit për ngrirje të aktiviteteve të saja politike i cilëson si veprim joserioz.

“Mendoj se zonja Mehmeti në rastin konkret duhet të bëhet më serioze, sepse vazhdimisht thotë që BDI-së i duhen reforma dhe vepron në kundërshtim me atë që e thotë në publik. Mendoj se BDI-ja po futet në fazën e fundit, në fazën në të cilën janë gjetur të gjitha partitë politike shqiptare, do të thotë kriza e PPD-së, riciklimi i PDSH-së, po i ndodh edhe BDI-së dhe shihet se është një krizë e thellë e lidershipit dhe mendimit të lirë”, tha Arsim Sinani, analist politik.

Ndërsa duke komentuar votën pro Naunovskit nga deputetët e BDI-së dhe deklaratën e Mehemtit se ka votuar për shkak të presioneve, Sinani thotë se BDI-ja mund ti ketë borxh Naunovskit, por jo edhe shqiptarët që partia e Ahmetit të votoj një albanofob në krye të komisionit kundër diskriminimit.

“Shqiptarët e Maqedonisë nuk i kanë borxh Naunovskit dhe kalibrit të njerëzve të Nedellkovskit të cilët propagandojnë një radikalizëm të skajshëm. Unë nuk e kuptoj sërish zonjën Mehemti dhe të gjithë të tjerët në BDI që i shajnë analistët, i shajnë njerëzit të cilët janë kundër tyre dhe nga ana tjetër i votojnë prej te Goce Dellçevi e deri tek të gjithë patriotët maqedonas dhe në anën tjetër neve na shiten se janë njerëz që i mbrojnë vlerat e UÇK-së. Tradhtia nuk ka brina, edhe kjo që e bën BDI-ja është një tradhti që u bëhet shqiptarëve të Maqedonisë”,u shpreh Arsim Sinani, analist politik.

Mehmeti mori një vendim të këtillë pasi kërkesat e saja për reforma brenda BDI-së hasën në vesh të shurdhër. Ndonëse kohëve të fundit kërkesat e saja për reforma mbetën nën hijen e angazhimit të saj për provimin e ‘Noterit’. Mehmeti madje akuzoi disa funksionarë të BDI-së duke i quajtur ‘hiena’ apo z. Selfie’ duke aluduar në këtë rast bashkëpartiakun e saj Artan Grubi./alsat-m/

Loading...