Tashmë gara bëhet e ashpër. Në Botërorin 2018 kanë mbetur vetëm tetë skuadra, që mes të premtes dhe së shtunës do të ndeshen në fazën çerekfinale. Njëra ndërmjet Rusisë, Kroacisë, Anglisë apo Suedisë do të luajë në finale dhe surprizat e turneut pritet të vazhdojnë.

Emocionet e sfidave çerekfinale do të nisin këtë të premte në orën 16:00 në Nizhni Novgorod. Franca përballet me Uruguain, në një duel të luftuar, ku edhe pse nisen si favoritë “gjelat” nuk mund të marrin asgjë si të mirëqenë.

Pas entuziazmit për eliminimin e Argjentinës dhe paraqitjen e shkëlqyer të djaloshit të artë Kilian Mbappe, skuadra e Deschamps është një prej kandidateve për titullin botëror, ndërsa në favor të tyre është edhe dëmtimi i Edinson Cavanit, një prej yjeve të Uruguait që rrezikon të mos luajë.

Mbrëmja e së premtes do të vazhdojë me supersfidën ndërmjet Brazilit dhe Belgjikës, në orën 20:00 në Kazan. Në letër kjo cilësohet ndeshja më e bukur e kësaj faze, ndërmjet dy prej skuadrave më të talentuara të Kupës së Botës.

“Seleçao” nuk pëson gol prej ndeshjes së parë në grupe ndaj Zvicrës dhe mund të mbështetet te klasi i Neymar, ndërsa përfaqësuesja belge kaloi me sukses testin e vështirë ndaj Japonisë, ku me përmbysjen e rezultatit duke shënuar tre gola tregoi forcë dhe karakter.

Çerekfinalet do të vazhdojnë të shtunën, kur Suedia surprizë e këtij edicioni përballet në orën 16:00 me Anglinë që theu mallkimin e penalltive përballë Kolumbisë. Tre Luanët shihen si favoritë për tu kualifikuar në gjysmëfinale, por pa Ibrahimoviç nordikët janë paraqitur si një skuadër kompakte, që ka pësuar vetëm dy gola nga Gjermania.

Tabloja do të plotësohet mbrëmjen e së shtunës, nga sfida Rusi-Kroaci. Dy skuadra të kualifikuara falë penalltive. Pasi ktheu në shtëpi Spanjën, përfaqësuesja e vendit organizator të Kupës së Botës kërkon një tjetër mrekulli, megjithatë kroatët janë një skuadër më cilësore dhe më e fort, edhe pse në ndeshjen e fundit nuk arriti të shfaqte potencialin e vërtetë.

Loading...