Një shtëpi e vogël që duket sikur një vizatim i një fëmije të klasës së parë. Duket sikur ato shtëpitë e braktisura të përrallave. Një shtëpi që është mbuluar nga pëlhura e një varfërie të skajshme.

Një udhëtim në kohë, një kuzhinë e improvizuar me qese të plastikës, disa enë që duken se mezi i kanë mbijetuar kohës.

Disa rrudha në ballë dhe flokë të thinjura që flasin për një jetë të mundimshme. Kjo është historia e familjes Arifi që jetojnë në fshatin Malinë të Shkupit.

Në po këtë shtëpi të vogël me vetëm 3 dhoma, jetojnë plot 13 anëtarë të familjes. Sami Arifi, e fillon rrëfimin e tij me punët me të cilat mundohet të sigurojë kafshatën e bukës për familjen.

Sami Arifi
“Me tok, kompira, dru, lop, me këto …13 anëtarë… une me vllazni me krejt jemi 13, nëna me ni motër, edhe vllau është vet i pesti edhe unë vet i pesti. Jo jo hic kurxho në punë tshtetit kërkun..Me zor, me zor…”

Një tjetër fatkeqësi ka trokitur në derën e kësaj shtëpie. Një zjarr që ka përfshirë këtë dhomë, ka marrë edhe ato pak gjëra që kjo familje ka pasur. Kjo dhomë që tani duket e nxirë dhe e boshatisur, deri para pak ditësh ka qenë një fole. Zonja e shtëpisë numëronte gjërat që zjarri i ka shkatërruar dhe lista me gjërat që i kanë poseduar dukej shumë e vogël, megjithatë kjo ishte pasuria e vetme e kësaj familjeje dhe e njejta tanimë ndodhet e shkatërruar, në oborrin e shtëpisë. Ndërsa këto janë veshjet e vetme që kanë arritur që t’i shpëtojnë.

Mevlide Arifi
“Brenda kemi pas ushqim, veshje, fëmijët krejt aty i kanë pas teshat. Njo 100 euro i kam pas për fëmijët të më gjinden, mu kan djeg edhe ato. i pata fsheh në çantë, 2 telefona, një mbushës, shilte, jorganë, gjithçka që kemi pas. Edhe ushqime për fëmijët i kam pas. Krejt duhet t’i sigurojmë, në pastë mundësi me na ndihmu dikush faleminderit….Më shumë këto ushqimet, shiltet, tepikët, llamperia, krejt janë djeg.. Për krejt kemi nevojë, edhe për pare kemi nevoj se s’kemi ku të marrim..”

Fatkeqësitë e kësaj familjeje nuk përfundojnë këtu. Gjyshja Sherije, një grua 67 vjeçare që i është dashur të rrisë fëmijët jetimë, pasi burri i saj kishte ndërruar jetë para 34 viteve, edhe sot në këtë moshë, kujdeset për vajzën e saj 35 vjeçare e cila kishte probleme psiqike.

Sherije Bajrami
“Prej e vogël kur ka qenë e sëmurë…si invalid qe 35 vite…. Unë po duhet të kujdesem për të, tash më jam plakur për veten nuk po mund të kujdesem….Nuk kam pare me çka me dërgu në mjek, se nuk kemi as para as dokumente.”

Kjo familje e harruar në një fshat malorë, e që në prag të festës së Bajramit kanë mbetur pa ushqim, pa rroba dhe pa dhomën që e bënin gjumin, lusin njerëzit humanë që t’u zgjasin dorën për t’u ndihmuar në rikthimin e gjërave elementare për jetë. E lamë këtë familje me brengat e zakonshme por me një shpresë më shumë, një shpresë që njerëzit human do t’u zgjasin dorën e mëshirës.

Loading...