FAMILJARËT E VIKTIMAVE TË PIKËLLUAR KUJTOJNË NATËN E KOBSHME (VIDEO)

Vërshimet e Hasanbegut shuan jetët e 22 personave, në mesin e të cilëve edhe jetën e Qazim Isenit. Për familjarët 6 gushti është dita më e keqe e jetës së tyre, ku përveç frikës dhe tmerrit të përjetuar, në këtë ditë është më i theksuar kujtimi për kryefamiljarin. Gruaja e Qazim Isenit, një grua e shtyrë në moshë, kujton me përpikmëri çdo moment të asaj nate të kobshme. Mes lotëve ajo përshkruan se si kanë arritur të shpëtojnë dhe si ka humbur jetën burri i saj.

Gruaja e Qazim Isenit: “Trishtime kemi pas boll. Gazep kemi pas boll, vetëm na e dijmë se çka kemi hjek. Këtu kam qenë, në oborr. Vetëm ky djali më bërtiti ik se uji të mori, mua më kapi pak, hyna brenda, mezi që i hypa fëmijët. Trishtim i madh… U mush krejt kati deri në kulm, u dridhke, ky objekt na ka shpëtu po u dridhke, bërtitshin fëmijët…Atë plakin na e ka nxjerr për dritare, e kemi pas një bodrum posht, për dritare e ka nxjerr e ka marrë uji”.

Djali i Qazimit shpjegon se si është zhvilluar gjithçka atë natë. Ai tha se babai i tij ka qenë në shtëpinë tjetër, ndërkaq nuk ka arritur që të shpëtojë nga sasia e madhe e ujit që ka kapluar vendin duke shkuar kështu drejt një fundi të pakthyeshëm.

Djali i Qazim Isenit: “Sot përvjetori i dytë është prej vërshimeve, që na ka kapluar uji, ishte tmerr i papritur. Nuk di si të filloj, ishte pas dite, u bë errët shumë, filloi shumë erë, filloi shumë shi, u errësua gjithçka dhe për një çast erdhi uji madh. Babai ka qenë tek shtëpia tjetër, me nusën e vëllaut, ajo ka pas fat ka shpëtu, babai është fundosur në ujë. Kur e kuptuam patën kaluar 1 orë ose 2, kur u pakësua uji. Mandej kur shkuam baba nuk kishte qenë aty aspak… Nuk e di si horror…”

Vërshimet nuk kanë qenë të vështira vetëm për më të moshuarit, Iseni shpjegon se si mes nivelit të lartë të ujit, telave, të prerave nëpër këmbë dhe dëshirës së madhe për të jetuar, kanë arritur që së bashku me gruan e tij të mbijetojë.

Djali i Qazim Isenit: “Unë kam qenë me shoqen në shitore, kemi qenë mjaft në rrezik, kemi dal nga shitorja përmbi telat e duqanit, i kemi prerë këmbët, nuk e di as vet si kemi shpëtuar. Fëmijët kanë qenë, e pash se diçka nuk ishte në rregull dhe i pata hyp lart fëmijët me nënën dhe deshi Zoti shpëtuan pa asnjë problem. ”

Kjo është vetëm një nga familjet e shumëta të cilët kanë pasur viktima gjatë këtyre vërshimeve.

Loading...