Maqedoni

Familjet e vërshuara të Hasanbegut të ndara kalojnë dimrin

1111-hasanbeg

Banorët thonë se shumë prej anëtarëve të familjeve të tyre, jetojnë nëpër vendbanime tjera tek të afërmit e tyre, pasi që në shtëpitë  e tyre, nuk kanë kushte për të përballuar dimrin. Ndihmat që u janë ofruar atyre, kanë qenë simbolike dhe të pamjaftueshme për të kaluar dimrin

 

Shkup, 10 janar – Ky dimër i pazakontë për rrethanat tona, me temperatura që shkojnë edhe ndër -20 gradë celsius, sigurisht që vështirëson jetesën e përditshme të të gjithëve, por janë banorët e Hasanbegut të shkatërruar nga vërshimet e para pesë muajve, për të cilët i ftohti polar është edhe më i vështirë për t’u përballuar. Banorët thonë se shumë prej anëtarëve të familjeve të tyre, jetojnë nëpër vendbanime tjera tek të afërmit e tyre, pasi që në shtëpitë  e tyre, nuk kanë kushte për të përballuar dimrin. Ndihmat që u janë ofruar atyre, kanë qenë simbolike dhe të pamjaftueshme për të kaluar dimrin.

“Me na shërbyer, para dy jave Kryqi i Kuq na ka sjellë sheqer dhe vaj, për tjetër, askush asgjë nuk na ka sjellë. Bile nuk kanë ardhur të na pyesin se si i kemi punët. A duhen dru, miell, askush nuk është interesuar për asgjë. Familja ime janë në Shkup, te Zhelezara. Unë jam me vëllanë dhe djalin e vëllait këtu banojmë. E kemi bërë në dhomë dhe jetojmë vetë, për shkak se ende nuk jemi gati, na zu bora, çka të bëjmë”, ka deklaruar një banor I Hasanbegut.

“Ndihmat kanë kontribuuar pakë, jo shumë. Ka nevojë shumë për ndihma, për mua njëherë nuk ka nevojë, po për tjerët, kanë nevojë shumë për ndihmë. As ujë nuk ka, rryma njëherë lëshohet, njëherë ndalet”, tha një banor tjetër.

Banorët thonë se edhe për pastrimin e rrugëve nga dëborë, janë angazhuar dhe organizuar vetë, ngjashëm si në ditët e para pas vërshimeve.

“Këto rrugët e tonë, ne vetë i kemi pastruar dhe kemi hedhur kripë. E rruga kryesore, u konvenon edhe atyre se duhet të shkojnë edhe në Stajkovcë. Për këtë anë, nuk është interesuar askush të vijë e të pyet se çka duhet e çka s’duhet. A janë njerëzit në rrugë, a duhet të pastrohen rrugët, a ka njerëz të sëmurë, askush nuk është interesuar”, deklaroi një banor tjetër.

Gjatë vërshimeve që në gusht kapluan Hasanbegun dhe fshatrat përreth, humbën jetën 22 persona dhe mbeti e zhdukur Elifi gjashtëmbëdhjetëmuajshe. Dëme pësuan rreth 5 mijë amvisëri, përfshirë këtu edhe shumë familje që mbetën pa kulm mbi kokë, e të cilat janë lënë pothuajse të vetëm karshi dëborës dhe temperaturave polare.

 

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Time limit is exhausted. Please reload CAPTCHA.

To Top