LAJMPRESS: Presidenti Topi zyrtarizon ndërmjetësimin Presidenti Topi zyrtarizon ndërmjetësimin ================================================================================ lajm gazeta on 05/02/2010 09:29:00 Në Shqipëri, Presidenti Bamir Topi ka ofruar zyrtarisht ndërmjetësimin e tij midis PD-së në pushtet dhe PS-së në opozitë, për zgjidhjen e krizës politike në vend. Dialogu mes dy forcave më të mëdha politike shqiptare, është një ndër pikat themelore të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës që u miratua në fund të janarit në Strasburg. Njoftimi u bë në mesditë nëpërmjet një deklarate të botuar në faqen zyrtare të internetit të presidencës shqiptare. Në të bëhet e ditur se zoti Topi mirëpriti gatishmërinë dhe vullnetin e shprehur për dialog të Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha dhe udhëheqësit të opozitës, Edi Rama. Njoftimi nuk jep afate se kur pritet të zhvillohet tryeza e përbashkët, ndërsa njofton se zoti Topi do të vijojë në ditët në vazhdim kontaktet paraprake të punës me Kryeministrin e Shqipërisë, udhëheqësin e opozitës si dhe me bashkësinë ndërkombëtare, për të përgatitur sikurse cilësohen në njoftim, termat e bisedimeve që do të zhvillohen gjatë tryezës së përbashkët. Në reagimin e parë pas këtij njoftimi, Arta Dade e PS-së tha se opozita nuk do të heqë dorë nga kërkesa e saj për hapjen e kutive, ndërsa e ftoi kreun e maxhorancës Berisha të pranojë transparencën e zgjedhjeve. Ky i fundit, vazhdimisht ka deklaruar se është i gatshëm për dialog, por nuk ka pranuar hapjen e kutive. Dialogu mes dy forcave më të mëdha politike në vend, PD në pushtet dhe PS në opozitë, është ndër pikat themelore të rezolutës së Këshillit të Europës që u miratua në fund të janarit në Asamblenë Parlamentare të KiE në Strasburg. Një delegacion i këtij institucioni pritet të shkojë ditët e ardhshme në Shqipëri./bbc/