LAJMPRESS: Shteti nuk posedon regjistrin e pronës së saj Shteti nuk posedon regjistrin e pronës së saj ================================================================================ lajm gazeta on 07/02/2010 11:17:00 Vallë pronari më i pasur në Republikën e Maqedonisë e dinë se me çfarë prone disponon? Njëri prej funksioneve kryesore publike të pushtetit është menaxhimi me pronën shtetërore. Kjo ka një rëndësi të posaçme për Maqedoninë, për arsye se Qeveria e Republikës së Maqedonisë disponon me pronën më të shtrenjtë dhe njëherit është punëdhënësi më i madh. Këtu imponohen edhe shumë çështje të tjera, por deri më tani sikur askujt nuk i intereson kjo çështje, edhe në opinion sikur fare nuk po flitet për atë se si menaxhohet prona jonë, prona publike, prona e popullit?! Ja edhe një dimension plotësues – sa pushteti qendror e rregullon hapësirën në dobi të ekonomizimit të mirëfilltë nga ana e njësive të vetëqeverisjes lokale? Kur komunat nuk/ose posedojnë me një pronë tejet të vogël, menaxhimi me pronën publike qëndron disi shumë larg prej qytetarit dhe ai është i shkyçur në këtë rast, njëherit edhe i bindur se nuk mund të realizoj kurrfarë ndikimi në këtë drejtim, dhe se paku të imponojë interesat e tij. A jeni pyetur se vallë çfarë sinjali me këtë ne u japim investuesve të huaj, kur kaq dobët menaxhojmë me pronën shtetërore?! Çfarë sinjali u drejtohet afaristëve vendas, në rastin kur shteti manifeston performanse të pamjaftueshme të menaxhimit me pronën e saj? Por të mos harrojmë, para të gjithëve, këtu i kemi qytetarët tanë, të cilët presin përmirësimin e shërbimeve që ua ofron shteti, dhe ai duhet mirë dhe me efikasitet të menaxhoj me pronën me të cilën ajo disponon dhe me të cilën ua plotëson nevojat e qytetarëve. Vallë nuk do të ishte më mirë që përmes menaxhimit efikas me pronën shtetërore të realizohet profiti, prej të cilit jo vetëm që do të zmadhohet prona e shtetit por edhe do të përmirësohen shërbimet publike? Njëra prej mënyrave për zvogëlimin e barrës tatimore të qytetarëve është pikërisht realizimi i profitit nga menaxhimi i pronës së madhe shtetërore. Askush në shtetin tonë nuk e parashtron pyetjen – çfarë ndryshime duhet të bëhen me qëllim që të përmirësohet menaxhimi me pronën shtetërore? Në vend të shpenzimeve do të realizohen të hyra të mjeteve financiare në Buxhetin. Sa i mençur do të ishte veprimi kur pjesën më të madhe të parave do ti kishin ndarë për përmirësimin e menaxhimit me pronën shtetërore. Pasi që kemi një pushtet demokratik, ai duhet të manifestoj përgjegjësi para qytetarëve, për arsye se në emrin e tyre dhe në llogari të tyre shteti menaxhon me pronën shtetërore. Duhet të theksohet se për momentin më shumë se gjithçka tjetër ne na nevojitet një menaxhim profesional me pronën shtetërore, që njëherit është pronë publike dhe e popullit. Menaxhimi i mirëfilltë nënkupton qasje të përgjegjshme ndaj pronës në atë mënyrë që do të mundësohet ruajtja dhe zmadhimi i vlerës së po kësaj prone, përkatësisht maksimalizimin e vlerës së saj. Gjatë kësaj nuk është e thënë që doemos duhet ta arrijmë nivelin e Britanisë së Madhe, Francës, Austrisë ose Zelandës së Re, të cilët njëherit janë edhe lider në këtë fushëveprim. Thjesht, duhet të realizojmë rezultate më të mira gjatë menaxhimit me pronën tonë. Përmes menaxhimit të mirë të kësaj prone të madhe do të përmirësohet dhe ngrihet rejtingu kreditor i shtetit dhe jo vetëm kaq por edhe rejtingu kreditor i komunave, e sa na nevojitet një gjë e tillë nuk duhet fare diskutuar. Ekzistojnë Standarde kontabilistike ndërkombëtare për sektorin publik (MRSJS), të cilat standarde duhet ti zbatojmë në përpikshmëri, dhe te ne këto sikur askujt nuk i interesojnë. Mund të themi se duhet të miratohet një ligj i posaçëm për rregullimin e kësaj materie. Detyrë kryesore e ligjit duhet të jetë ndarja e të drejtave formale të bartura të pronësisë (Qeveria dhe/ose njësia e posaçme organizative) prej të drejtave reale të pronësisë të të gjithë qytetarëve mbi këtë pronë. Gjatë kësaj në një vend duhet të definohet përgjegjësia e institucioneve shtetërore që janë përgjegjëse për menaxhimin me pronën shtetërore. Jo më pak i rëndësishme është përcaktimi i mënyrës së vlerësimit të vlerës së pronës shtetërore. Risi në këtë ligj do të ishte implementimi i Regjistrit të pronësisë shtetërore, përmes përcaktimit të elementeve të bazës së standardizuar të të dhënave. Të dhënat në Regjistrin duhet të jenë konkrete, të sakta dhe të azhurohen në mënyrë dinamike. Regjistri paraqet hapin e parë në realizimin e reformave në menaxhimin financiar në tërë sektorin publik. Me këto risi do të realizohet edhe reformimi i tërë sektorit publik. Regjistri duhet të publikohet një herë në vit dhe i njëjti të shfaqet në web faqen e njësisë organizuese. Leverdi e drejtpërdrejtë do të jetë fakti se kjo pronë ose së paku një pjesë e saj do të arrijë çmim më të lartë të shitjes ose blerjes. Sa do të ishte e nevojshme që një Regjistër i tillë të ekzistonte gjatë procesit të decentralizimit, me ç’rast nuk do të gjendeshim fare në një pozitë të tillë, kur vendimet e procesit të denacionalizimit të paraqesin detyrime për gjeneratat e ardhshme. Më pas, sa shumë do të përshpejtoheshin proceset e përcaktimit të raporteve pronësoro-juridike dhe me siguri do të arrihej një nivel më i lartë i saktësisë së librave të kadastrit. Është i domosdoshëm institucionalizimi dhe profesionalizimi sa më i shpejtë i menaxhimit me pronën shtetërore. Nevojitet themelimi i një institucioni të posaçëm (ndërmarrje publike, agjensioni etj.), i cili do të udhëhiqej prej një stafi profesional, të cilit do ti besohej e drejta e menaxhimit me pronën publike në emër të qytetarëve, i njëjti do të barte përgjegjësi përkatëse për këto çështje. Ky institucion do t’i zgjidhte dhe emëronte anëtarët e këshillave mbikëqyrëse të ndërmarrjeve shtetërore dhe të gjitha institucioneve publike, (këtë tani e bën Qeveria dhe gjatë kësaj shpenzohen resurse gjatë emërimit të anëtarëve të këtyre këshillave në një numër të madh të institucioneve). Ne nuk kemi këso institucioni, por për befasi shërben fakti se stafe të tilla profesionale përgjegjëse për pronën shtetërore kanë edhe Rusia dhe Kina. Në botë ekzistojnë njësite të tilla organizative në rreth 50 shtete. Këto njësi janë të pavarura gjatë realizimit të detyrave kurse menaxhimi nuk guxon të shfrytëzohet për realizimin e qëllimeve private ose partiake. Ne na nevojitet ridefinimi i rolit të një numri të madh të institucioneve shtetërore, të cilat në sistemin e tanishëm shfrytëzojnë pronën shtetërore dhe menaxhojnë me të, ridefinimi duhet të rezultojë me një model të ri të menaxhimit me pronën shtetërore. Nevojitet një model i ri i menaxhimit të integruar me pronën shtetërore, dhe ne në këtë rast do të kishim propozuar themelimin e Agjensionit për menaxhim me pronën shtetërore. Evidenca e pronës shtetërore duhet të përmbaj përkufizime qartë të definuara për çdo pronë në veçanti, përmes karakteristikave të konkretizuara fizike, financiare dhe ekonomike. Ky Agjension duhet të posedoj: numrin e subjekteve publike të cilat shfrytëzojnë pronë shtetërore, të përcaktoj gjendjen formalo juridike, dispozita për të drejtat dhe përgjegjësitë për shfrytëzimin e pronës shtetërore, duhet të ekzistoj obligimi për kumtimin publik të të dhënave për karakteristikat fizike dhe juridike të pronës, pa këtë nuk do të mund të përcaktohen veçoritë financiare dhe ekonomike të pronës. Ky paraqet një proces reformues dhe afatgjatë, dhe kjo çështje meriton një debat të gjerë publike.