Pas partisë së Nikolla Gruevskit, kundër zbatimit të dygjuhësisë në Maqedoni me një deklaratë politike ka dal edhe Peshkopi i Kishës Ortodokse Maqedonase, ipeshkvi Agatangal i cili është i njohur për qëndrimet e tij radikale. Me një retorikë të fuqishme nacionaliste ai ka kundërshtuar zyrtarizmin e plotë të gjuhës shqipe duke thënë se ajo çfarë nevojitet në Maqedoni është vetëm mbrojtja e interesit kombëtarë maqedonas, raporton Alsat-M.

 Ajo çfarë është kombëtare, interesat kombëtar, interesat shtetërore të popullit për mbijetesën e shtetit kombëtar kurrë nuk duhet të jenë të diskutueshme në mesin e popullit maqedonas. Nuk na duhet dygjuhësia, as kantonizimi, por na duhet kjo tokë maqedonase e shenjtë – deklaroi Metropoliti Agatangal, Peshkopi i Kishës Ortodokse Maqedonase.

Përdorimi i fesë për interesa politik nuk duhet të ndodhë thotë, dekani i Fakultetit Teologjik në Shkup, Fahrudin Hebibi. Ai vlerëson se përfaqësues i një institucioni fetar nuk do të duhet që t’i shërbejë interesave të një partie.

Nëse eventualisht lidershipi fetar zbret në nivelin e partisë kur ne jemi mbipartiak, që të gjitha strukturat i kemi anëtarë dhe nuk guxojmë që ne të kanalizohemi dhe të profilizohemi për një strukturë të caktuar e cila ka mandat të kufizuar. Për mendimin tim ky është gabim, por ja që edhe kjo ndodh, që për interesa të veta partiake ta shfrytëzojnë edhe këtë element – tha Fahrudin Hebibi, Dekani i Fakultetit Teologjik.

Por, nuk është vetëm ipeshkvi Agatangal ai që përzien religjionin me politikën. Ditë më parë një gjë të tillë e ka bërë edhe kryetari i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski i cili për rezultatin e zgjedhjeve dhe situatën e krijuar pas votimeve fajësoi hoxhallarët, të cilët sipas tij kishin udhëhequr fushatë kundër tij dhe partisë së tij.

Loading...