Pas iniciativës për ndalimin e pijeve energjike dhe atyre me sheqer të shtuar për personat nën 18 vjeç, kryeministri Edi Rama ka njoftuar për një tjetër nismë.
Duke folur nga qyteti i Kukësit, pas mbledhjes së qeverisë në këtë qytet, Rama tha se do të ndalohet frekuentimi i personave nën 18 vjeç në lokalet e natës, përveç atyre që janë të shoqëruar me prindër ose mësues.

“Mbyllja e rrjetit të pikave të basteve në qytete është njëra anë, por ana tjetër është mbrojtja e adoleshentëve nga alkooli. Duhet një masë drastike në bashkëpunim me shkollën dhe prindërit. Do të ndalohet frekuentimi i personave që janë nën 18 vjeç në lokalet e natës. Hyrja e tyre do të mundësohet vetëm kur janë të shoqëruar me prindër apo mësues, në rast të kundërt nuk do të ketë asnjë tolerim. Do të arrihet deri në mbylljen e lokaleve deri në një periudhë një vjeçare, duke u bërë të pamundur dhe dhënien me qira të ambienteve për ata që nuk i zbatojnë rrregullat”- tha Rama.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për heqjen e kufirit Kosovë-Shqipëri, kryeministri tha se do ketë bashkim doganor dhe jo heqje të doganave.
“Do bëjmë bashkim doganor me Kosovën dhe këtë nuk na e ndalojnë dot sepse nuk ka arsye që të shikohet me vështrim të vëngër, pasi kemi të drejtë dy shtetet që të bëjmë marrëveshje. Kemi qenë gati që vjet, Kosova nuk ishte gati dhe marrëveshja nuk u miratua. Po që në mbledhjen e nëntorit jemi gati të vendosim. Durrësi do të jetë dogana e përbashkët për të gjithë mallrat që hyjnë nga porti drejt Kosovës.”- tha Rama.

Loading...