Studio ‘Helix’ tashmë ka hapur konkursin për pranimin e këngëve për edicionin e 16-të. Këngët e paraqitura duhet të jenë kompozime të reja dhe të pa publikuara, me tekst të mirëfilltë, të cilat nga juria profesionale do të përzgjidhen në konkurrim për tri çmimet kryesore të këtij festivali

Festivali për fëmijë “Fluturat” këtë vit vjen me edicionin e 16-të. Festivalin e Drejtorisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit të Kuvendit Komunal të Prizrenit “Fluturat 2016” edhe këtë vit do ta organizoj Studio “Helix”. Studio ‘Helix’ si edhe vitet e kaluara do të bëjë shpalljen e konkursit për këngët për fëmijë, formimin e jurisë seleksionuese, përgatitjen e skenës dhe ndarjen e shpërblimeve tradicionale, përmes jurisë profesionale dhe të gjitha aktivitetet e nevojshme. Festivali tashmë ka bërë një traditë në Prizren. Drejtori i Studio “Helix”, Istref Krasniqi njoftoi për KultPlus se kanë nisur përgatitjet për një organizim sa më të mirë të këtij festivali, në të cilin fëmijët e talentuar do të paraqiten me këngët e reja. Kjo ishte edhe ideja e themelimit të festivalit të këngës për fëmijë qysh në vitin 2000.

Krijimi i kushteve për përgatitje dhe paraqitje të fëmijëve të talentuar, por edhe për kompozitorët e dëshmuar që të krijojnë kompozime të këngëve për fëmijë si dhe kultivimi i këngës së mirëfilltë, janë ndër qëllimet kryesore të festivalit, i cili nëpër vite e ka kryer misionin sepse në skenën e festivalit “Fluturat” nga viti 2000 kanë parakaluar Rina Bilurdagu e shumë këngëtarë të tjerë. Organizatori njofton se edhe këtë vit Festivali “Fluturat” do të mbahen në sheshin “Shatërvan” ndërsa si tradicionalisht do të ndahen tri shpërblimet kryesore: Çmimi i parë do të jetë në shumën 500 euro, si dhe do ta marr Fluturën e argjendtë, çmimi i dytë do të shpërblehet me shumën 300 euro, ndërsa çmimi i tretë me 200 euro. Pranimi i kompozimeve të reja do të bëhet deri me 31 maj. Studio ‘Helix’ tashmë ka hapur konkursin për pranimin e këngëve për edicionin e 16-të. Këngët e paraqitura duhet të jenë kompozime të reja dhe të pa publikuara, me tekst të mirëfilltë, të cilat nga juria profesionale do të përzgjidhen në konkurrim për tri çmimet kryesore të këtij festivali. Organizatori i Festivalit Istref Krasniqi, drejtor i Studios “Helix” njofton se kompozimet e reja kanë filluar të vijnë në adresë të organizatorit, ndërsa shton se konkursi është i hapur dhe pret kompozime të reja. Në konkurrim për tri çmimet e festivalit do të pranohen 20 këngë. Gjithashtu do të ndahet edhe çmimi për tekstin më të mirë të këngës, nga Revista “Fidani”.

Kompozimet mund të dorëzohen në Prizren në rrugën e Saraçëve numër 3b ose në Drejtorinë e Kulturës në Prizren, ose edhe përmes postës elektronike në studiohelix@hotmail.com. Festivali do të mbahet javën e dytë të qershorit, dhe data e saktë do të përcaktohet nga moti pasi festivali mbahet në qiellin e hapur në Shatërvan./KultPlus.com

Loading...