Opinione

Feti, ti ishe prijës i ecjes para dhe mbarësisë!

feti

Për Fetiun

Sabri Morina

E nderuara familje e ngushtë dhe e gjerë e Feti Veselit, të nderuar miq dhe ju pjesëmarrës të këtij akti lamtumirës nga kjo botë! Sa vështirë është për njeriun ta thojë fjalën e duhur a mendimin e duhur, sidomos për vdekjen e një njeriu, që e ke njohur me dekada, që ke dashur dhe respektuar si vëlla! Për kundër rrethanave jo të lehta, bile të rënda e diskriminuese, ne si studentë, si banuesë së bashku, jetonim me shumë se si shokë, por për harmoninë tonë meritat të takonin ty Feti!

Shqetësimet për gjendjen e shqiptarëve, sidomos në Maqedoni i shprehje me dije e vetëbesim! Ishe në mesin e nismës që në Fakultetin Filologjik përkatësisht në Katedrën e Albanologjisë, që në dokumentet zyrtare të përdoret gjuha shqipe! Aftësitë tua organizuese e bashkuese, i kishe të rralla! Shumë ndeja i bëmë në banesën tonë, ku aty forcohej dhe zgjerohej rrethi i shoqërisë sonë! Pas bisedave me interes të përbashkët që i bënim aty, të nesërmen ato i jetësonim në fakultet! Këtë e arrije, sepse ishe i çiltër, sepse i shpalosje idetë hapur! Shpesh herë, ne si shokë ishim edhe në konakun e Haxhi Xhemës! Mikpritjen e rrallë tipike shqiptare të mbrujtur edhe me traditën fetare, nuk e kemi harruar dot!

Diplomove me afat rekord, duke fituar titullin profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqiptare! U punësove dhe u dëshmove për vlerat pedagogjike e patriotike! Punove si këshilltar i arsimit, por nuk e durove diskriminim ndaj çdo vlere shqiptare, duke shpërthyer si uragani! Ky rebelim dinjitoz u pasua me pasojat që të ndoqën, por ti Feti nuk u zmbrapse, sepse e kishe mision punën dhe luftën atdhetare! Siç thoshe shpesh: “Mision pa sakrificë nuk ka!”

Pra, jo që more pjesë në proceset e ndryshimeve të mëdha në Maqedoni, por ishe shtytës dhe frymëzues i tyre! Kudo që thërriste zëri i kombit, ti ishe aty! Nuk të interesonin gradat e gradimet por jetësimi i idealit të lirisë!

Si shpërblim nga pushteti e të pushtetshmit për punën dhe sakrificën tënde, u detyrove të shkosh në kurbet! As kësaj radhe nuk u tunde, sepse ti e doje kombin para postit! Sa e dhembshme humbja e një intelektuali dhe e një visari si diamanti!

Edhe në kurbet, nuk heshte e as nuk fjete! Fryma jote atdhetare nuk ndalej!

Feti ti ishe prijës i ecjes e jo ngecjes, i së mirës e i mirësisë dhe i të mbarës e mbarësisë! Zoti i Madhërishëm të mori në përjetësi, sepse misionin tënd nga kjo botë e ke kryer me përsosmëri!

Jetove shkurtër, por pusho i qetë i dashur Feti se ke lënë familje të mrekullueshme! Ajo është krenare me TY! Ti ike, por beso që shumë prej nesh do të dëshironim një përcjellje kaq madhështore! Besojmë që këtë dashuri e këtë respekt kaq të madh do ta shpërblejë edhe Zoti i Madhërishëm në botën e Përjetësisë!

Fotografia e Sabriu Morina

 

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Time limit is exhausted. Please reload CAPTCHA.

To Top