Besimet e lashta, që nga paganizmi, janë të shumta në popullin e Hasit, e që janë ruajtur me xhelozi kryesisht përmes riteve, festave e ngjarjeve të shënuara të jetës së njerëzve të këtij mjedisi.

Besëtytnitë, edhe pse në ditët tona janë zbehur shumë, në traditën e pasur dhe të larmishme të Hasit zënë një vend me rëndësi. Malësorët e Hasit, si blegtorë, në plan të parë, me shpirt të pasur e të pastër, jetuan ndër shekuj të shoqëruar nga dimrat e gjatë dhe të egër dhe në një natyrë të ashpër, së cilës ata i mbetën besnikë në çdo kohë.

Etnologu Nexhat Çoçaj shprehet se hasjanët e siguronin me vështirësi kafshatën e bukës. Ai shpjegon se në kulturën dhe traditën e Hasit gjejmë edhe ndikime të ndërsjella, marrje e dhënie me zonat e tjera etnokulturore, me të cilat banorët e Hasit i ka lidhur fati historik e fqinjësia e mirë me ato zona. Shton se në shumë fshatra të Hasit, varësisht prej cilit kënd shikohet, haste në shumë elemente të përbashkëta në mënyrën e trajtimit të miteve, riteve e besimeve.

“Mund të themi se zona e Hasit ka lidhje të pandashme etnokulturore me disa nën zona të tjera, me të cilat u kanë përballuar stuhive të kohës së pushtimeve të shumta. Besimet e lashta, që nga paganizmi, janë të shumta në popullin e Hasit e që janë ruajtur me xhelozi kryesisht përmes riteve, festave e ngjarjeve të shënuara të jetës së njerëzve të këtij mjedisi”.

Si në të gjitha trevat e tjera shqiptare edhe në fshatrat e Malësisë së Hasit ka pasur shume vende të caktuara në rrugë, që shërbenin si vendqëndrime pushimi, siç ishin dikur: Kodra e Kalemit, Magarçi i Lumit, në Kodrën e Kalemit në Gjonaj në drejtim të Drinit të Bardhë, Trumshi në burimet e malit Pashtrik, Lakakeqi nën Kalanë e Skënderbeut mbi fshatin Mazrrek, te Dragovodi në afërsi të staneve të Vlahnes, të Vorri i Delmes mbi fshatin Qarr në drejtim të fshatit Letaj, në Va Spas, të Hani i Brutit, te Guri i Shpuem etj.

Fantazmat e përroit Sipas Çoçajt, njëri ndër udhëtimet midis misticizmit dhe besimit tanimë në tri pika si forma të veçanta bëhet pikërisht peligrinazhi në majën e Pashtrikut në Kosovë, vend besim dhe pelegrinazh në kërkim të gjetjes së qetë- sisë shpirtërore. Në këtë mënyrë, sipas tij, Malësia e Hasit ka qenë terren i përshtatshëm për përhapjen e besimeve dhe besëtytnive të ndryshme në të kaluarën, por të cilat gjallojnë edhe sot në kokën e shumë pleqve dhe plakave.

Gjatë vizitave në shumë fshatra, shumë pleq dhe plaka, gjatë bisedës me ta, tregojnë me bindje të plotë se në kohën, kur kanë qenë të rinj, i kanë parë shumë nga figurat mitologjike, në male, në përrenj, buzë Drinit të Bardhë, por një numër të madh të figurave mitologjike. Drejtori i shkollës në Gjonaj të Hasit, Latif Çoçaj, rrëfen se fryma e re e zhvillimit ekonomik, hapja e zonës me zonat e tjera, daljet e hasjanëve në kurbet e kanë ndryshuar qysh moti rëndësinë dhe ndikimet e shumë figurave mitologjike. Këto ndryshime, sipas të moshuarve, kanë ardhur falë zëvendësimit të kushteve të vështira me kushte më të mira. Prof. dr. Mejdi Elezi shpjegon se akademiku Mark Krasniqi ka konstatuar pas shumë hulumtimeve të bëra në fshatrat e Hasit se shtriga, lugati, “ai i prronit” dhe fantazmat e tjera, duan terr si për sytë, ashtu edhe për trurin e njeriut.

Kultet në shkëmbinjtë e shpuar Etnologu Çoçaj shprehet se në të kaluarën ka qenë shumë i shprehur e vazhdon edhe sot të jenë të shprehura një varg ritesh e besimesh të veçanta për gurin. “Në bazë të të dhënave të mbledhura nga terreni, del se nga banorët hasjanë e në veçanti nga bota femërore, ekzistojnë shumë gjurmë të adhurimeve të gurëve të veçantë, mbi të cilët, apo në afërsi të të cilëve bëhen edhe rite, lutje, falje po të veçanta. Ata besojnë në cilësitë magjike të disa gurëve, t’i quajmë të veçantë. Disa nga këto “murana” janë ngritur si shenjë respekti për njerëzit që kanë vdekur në ato vende në forma të ndryshme: si përhapës të një besimi (feje), siç është rasti me dy Varret e Babës Pashtrig, në majën më të lartë të Pashtrikut (1989 m), varre për të cilat mendohet se janë të Sari Salltek Babës, Vorri i Delmes, që gjendet në mes fshatrave Qarr dhe Letaj, Vorri i Nizamit në afërsi të fshatit Shëngjergj, mbi lagjen Tanushaj në drejtim të Likenit, Vorri i Martinit në afërsi të fshatit Gjinaj, Vorri i mirë në mes të Lipovecit dhe Godenit, në të djathtë të rrugës etj”.

Kulti i gurit, është i lidhur me natyrën e mistershme të këtyre objekteve, por është i lidhur edhe me rolin që ato kanë luajtur në jetën e banorëve. “Shpellat si objekte kulti, në traditën dhe kulturën hasjane përmes të cilave ruhet përmbajtja dhe funksionet rituale, janë të pranishme me besime pothuajse ngjashëm me gurët masivë, apo shkëmbinjtë e shpuar, që gjithashtu shërbejnë për të njëjtat qëllime. Guri në shumë raste për banorët e fshatrave të Hasit ka shërbyer edhe “roje” e gjërave, apo edhe e prodhimeve të ndryshme bujqësore.

Populli i Hasit ka besuar se çdo gjë që ka ose afër, ose mbi gjësende gurin, ka qenë e mbrojtur nga i zoti dhe është konsideruar mëkat që të merret, apo edhe të vidhet. Sa herë që kemi mbledhur dru në mal, qoftë në malin tonë,qoftë në mal të merasë dhe mbi turrën e druve kemi vendosur një gur, atëherë kemi qenë të sigurta se atë turrë të druve nuk do të na prekë askush”, shpjegon etnologu për ato që mendonin banorët e kësaj ane.

Loading...