Në mënyrë të konsiderueshme do të përforcohet mënyra me të cilën sigurohen terminet për kontroll në kuadër të sistemit “Termini im”, theksoi sot ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

Sqaroi se çdo javë kanë takime koordinuese me drejtorët e klinikave veçanërisht atje ku është më i madh presioni për termine, ndërsa ato janë Klinika për Radiologji dhe disa klinika ku caktohen procedura me shtrirjen njëditore në spital, siç janë intervenime të vogla kirurgjike…

“Atë që mund ta bëjmë është në kuadër të kapacitetit me të cilin disponon secili prej këtyre institucioneve në mënyrë të mëvetësishme për arsye se janë të ndryshme problemet të cilat e zvogëlojnë numrin e përgjithshëm të termineve. Disa nuk kanë numër të mjaftueshëm të mjekëve, ka mjekë të cilët ndodhen në raport mjekësor ose janë në pushim të lindjes dhe ky është një prej problemeve më të mëdha. Tani është duke u bërë maksimumi, aty ku nuk ka mjekë sistemohen mjekët ekzistues. Mundësi që të stërngarkohen makinat dhe të krijohet disfunksion është problemi me të cilin ballafaqohet Klinika për Radiologji”, tha Filipçe.

Shtoi se Klinika për Radiologji punon me kapacitet maksimal, planifikohet edhe vazhdimi i turneve në njërin prej institucioneve në Shkup, gjegjësisht të ketë termine edhe në orët e mbrëmjes.

Drejtoresha e Klinikës për Sëmundje të Fëmijëve, Katerina Stavriq tha se “Termini im” është formë e mirë për pacientët dhe mjekët, që të mundet mjeku t’i kushtojë kujdes të veçantë pacientit dhe pacientët të mos presin më gjatë.

“Ka hapësirë për përmirësim. Duhen bërë caktime në mënyrë më restriktive nga mjekët amë në “Termini im”. Me të vërtetë bëjnë stërngarkim të panevojshëm të mjekëve. Edhe ne jemi duke u ballafaquar me mungesë të specialistëve, subspecialistëve. Caktimet e rregullta nuk janë problem, problem janë kontrollet prioritare”, tha Stavriq dhe shtoi se një mjeke nga Klinika është larguar dhe ka shkuar të punojë në institucion shëndetësor privat, ndërsa një tjetër ka paralajmëruar të largohet.

Loading...