Pas disa dekadave në skenën politike të Maqedonisë Menduh Thaçi për herë të parë pranon post ekzekutiv në Qeverinë e Zoran Zaev dhe bëhet Ministër i Drejtësisë. Këtë e shpalli vet Kryeministri i Maqedonisë në konferencën për shtyp të mbajtur sot në mëngjes më ora 9:00 në Shkup.

“Pas dorëheqjes së z. Bilen Salijit, ishte nevojë urgjente të plotësohet ky vend sa më shpejtë që të mos kemi ngecje në reforma, pas bisedimeve me partnerët tonë të koalicionit, dhe konsultimeve që kishim brenda partisë e sidomos konform veprimeve të deritanishme të partisë tonë, Menduh Thaçi ishte zgjidhja më e pranueshme dhe më e logjikshme” tha Zaev.

I pyetur nga gazetarët se a do të thotë kjo se PDSH bëhet pjesë e Qeverisë, Zaev u përgjigj se, njësoj si partia e Amdi Bajramit, ashtu edhe PDSH në një far mënyre ka qenë pjesë e çdo qeverie që nga viti 1998, PDSH ka pasur ndikim dhe rol aktiv në të gjitha ngjarjet politike deri tani, por se është hera e parë që kryetari i kësaj partie merr post ekzekutiv dhe del nga hija dhe prapaskena për të treguar se ka guximin të merr përgjegjësi konkrete para elektoratit, thotë Zaev.

“Unë gjithmonë kam thënë shqip, se ne jemi këtu, se jemi me ju, dhe erdhi koha sot që faqebardhë ta udhëheq Ministrinë e Drejtësisë” tha Thaçi.

Në pyetjen se pse pikërisht tani dhe pse pikërisht Ministrinë e Drejtësisë ai u përgjigj se: “Janë momente të rëndësishme për shqiptarët dhe sidomos për mua personalisht, dua të jem i sigurt se punët shkojnë ashtu si dua unë, dua të ndihmoj me reformat në gjyqësi, dua sidomos të kontribuoj në punën e Prokurorisë Speciale dhe të Prokurorisë themelore, nuk mund të anashkalohen nevojat e shqiptarëve dhe këto nevoja më së miri i kuptoj unë, unë kam vizion, bile jo rastësisht edhe platforma e partisë time për 2016-2020 mban titullin Vetëm drejtë!” shprehet Thaçi.

Se pse Menduh Thaçi është njeriu më i përshtatshëm dhe më i aftë për postin e Ministritë të Drejtësisë, u përgjigj shkurt kryetari i BDI, Ali Ahmeti:
“Thaçi ka dëshmuar se di të jetë besnik deri në varr dhe unë si ish luftëtar e çmoj këtë veti më shumë se gjithçka tjetër. Janë kohëra kur shqiptarët kanë më shumë nevojë për njerëz besnik se sa njerëz të aftë!”

Ndërsa, Ziadin Sela nga Aleanca për shqiptarët u shpreh “është lehtë të hysh në qeveri, por është vështirë të dalësh, ja funksionarët tanë edhe pas tre muajve prej kur kanë dhënë dorëheqje nga postet e tyre në qeveri, ende janë të detyruar të pranojnë rroga”.

Nga partia BESA nuk ishin të kapshëm për të dhënë deklaratë, por burime tona thanë se janë shumë të zhgënjyer dhe përçarjet do të kulmojnë, planifikohet thuajse çdo qytet të ketë udhëheqësi autonome.

Një simpatizant dhe anëtar i PDSH deklaron se më në fund të gjitha kremtimet pas çdo zgjedhje, parlamentare por edhe lokale, tani marrin kuptim.

“Nuk thonë kot se kush duron – fiton, gjithmonë e kam dit se kryetari Thaçi nuk na zhgënjen, edhe pse shpesh jemi ndjerë të poshtëruar kur pasi kremtonim me shumë zhurmë fitore në zgjedhje, dilte puna se kemi humb, por tani jam krenar, sepse kryetari në momente të rëndësishme për shqiptarët merr post të rëndësishëm, sepse ne luanët nuk meritojmë asgjë më pak”. Ai më tutje tregoi se edhe sonte në sheshin e Tetovës do të festojnë.

Për festën në sheshin e Tetovës u drejtuam edhe te Këshilli organizativ i manifestimit, një anëtarë më i vjetër dhe me përvojë i partisë i cili dëshiroi të mbetet anonim deklaroi:

“Kam frikë vetëm se edhe kjo mos është ndonjë gënjeshtër e të dalim kot të festojmë, plus që sot është 1 prilli, më duket e çuditshme pse sot të sillet ky vendim, por ne si gjithmonë do të dalim të festojmë”.

******************
Portalb, konfirmon se me të drejtë dyshon, sot është 1 prill dhe ky lajm nuk është i vërtetë.
Në Portalb nuk e shënojmë 1 prillin, por vetëm me këtë rast, në kohën e lajmeve të rrejshme, dëshirojmë të shohim se kush ka durimin ta lexoje artikullin deri në fund dhe sa do ta shpërndajnë pa mos e konfirmuar.

Loading...