Filmi kontrovers, regjisori mbron përmbajtjen

Regjisori i filmit kontrovers “Tallja me Krishtin” i cili u prit me kritika të ashpra nga opinioni publik betonon qëndrimet e tij lidhur me realizimin e këtij filmi. Jani Bojaxhi nuk ndjehet fajtor që filmi u cilësua si nxitës i urrejtjes midis etnive. Ai me fanatizëm mbron filmin, ndërsa deklaratat e kryeministrit Zaev dhe ministrit të Kulturës Ademi i cilësoi si fashiste.

Ata lavdërohen se do të ndalojnë artin, edhe më radikale. Ky është fashizëm, super fashizëm. Agjencia e Filmit është institucion i pavarur, ministri dhe ministria e Kulturës nuk guxojnë të përzihen në punën e tij sepse direkt ju rrezikoni pavarësinë e tij. Kërkoj nga ministri të bëjë revizion për arsye se nuk do të lejoj që ta shfrytëzojnë atë si mjet për presion ndaj meje. Kohezionin ndëretnik dhe bashkëjetesën në këtë vend e shkatërron njeriu i cili paraqitet si ministër i Kulturës dhe i cili thotë se një vepër arti nuk e ka parë ndërsa e kategorizon si gjuhë të urrejtjes. Ajo është gjuhë e urrejtjes të cilën direkt ai njeri e shpërndan duke e gënjyer opinionin. Ky është manipulim!- SINKRON – Jani Bojaxhi, Regjisor i Filmit “Tallja me Krishtin”

Nga ana tjetër aktorët shqiptarë kërkojnë që të ketë ndëshkim për autorët dhe personat të cilët kanë lejuar një projekt të tillë.

Duhet me mjete Ligjore, pa u bë shumë zhurmë të ndëshkohen ata që e kanë bërë dhe ata që e kanë lejuar këtë gjë, cilat do qofshin ata mjete. Në një shtet multietnik do të duhej të ketë Ligje të cilat do të ishin të kujdesshme dhe të ruanin harmoninë. A ka ligje të tilla këtu, po dyshoj. Artisti bën vlera artistike dhe bën art, kur bën propagandë apo pamflet politik atëherë më nuk hyn te vlerat artistike. Mendoj që thelbi i problemit është mënyra e të menduarit dhe sistemi edukativ. Kur ti shihni këta librat e gjeografisë dhe historisë për paralelet maqedonase se si edukohen maqedonasit për të na parë neve këtu nuk mund të ketë bashkëjetesë me kështu lloj sistemi edukativ. Si rrjedhojë e kësaj, dalin pamflete të tilla të tmerrshme politike që janë plot gënjeshtra për ne- thotë Luran Ahmeti, aktor.

Filmi “Tallja me Krishtin” i cili u prit me tone të ashpra nga opinioni, ka kushtuar 300 mijë euro, para nga buxheti i shtetit, për çka reaguan edhe kryeministri dhe ministri i kulturës. Një ditë më parë Televizioni Alsat M dorëzoi kërkesë në Ministrinë e Kulturës dhe Qeveri për ndryshime të Ligjit për Fondin e Filmit.

Loading...