Filmi “Kthimi”: Të kthehesh, apo të mos kthehesh

Daim HISENI:
Gilles Deleuze: ‘… e vërteta nuk mësohet nga leximet filozofike apo nga diskutimet miqësore, por ajo na bëhet e njohur nga shenjat që ne perceptojmë në dhimbjen e dashurisë apo në mbresat misterioze që na lënë veprat e artit’.
Filmi “KTHIMI“ i regjisorit Kastriot Abdyli i cili në fillim filloi me një këngë polifonike ishte një porosi direkte por në shumë gjuhë dhe zëra për gjithë ne, ku me anë të një drame ai na përkujton vlerat që posedon shqiptari, gjithashtu na dërgon porosi që t’i kthehemi gjenezës familjare dhe rënjëve shekullore.

Filmi sot është një nga veprat artistike, me të cilin njerëzimi ecën paralel. Jo më kot thuhet: Po aq sa jeta është një film, aq edhe filmi është jetë. Kjo shprehje që krijon kinema nëpërmes imazheve filmike është shprehja gjuhësore e saj. Andaj, Andrej Bazin thot: ‘kinemaja është gjuhë’ dhe që kjo gjuhë vihet në pah nëpërmes flmit.

Mjeshtria e scenaristit Kastriot Abdyli dhe mënyra e interpretimit të rolit nga artistët profesional me një harmonizim të plotë në rradhitjen e shlagorteve sikur gurët e kalasë, të bënë të ndjehesh pjesë e filmit. Ajo që mund të vërehet, momentet e përcelljes së mesazhit pozitiv, në këtë film i hasim në mënyre eksplicite. Por ka edhe shumë momente të tjera ku gjërat shprehen në mënyrë implicite dhe le hapsirë për një qasje më kuptimplote nga studjuesit dhe këndvështrimi i tyre historik, psikologjik, sociologjik e tj. Këtë element e vërejmë tek personi i cili luan rolin e doganierit tek i cili përmes grimasave përshkruhet kultura dhe mentaliteti i Vranjës së dikurshme, ku pjesë e asaj popullate dhe e asaj kulture të një kombi tjetër, të cilët në periudha kohore të ndryshme gjatë pushtimeve të huaja u vendosën në “mexhe” të arave dhe tokave tona, ku edhe filluan të na kërkojnë vergi dhe haraç, për të lëvizur lirshëm nëpër tokat tona. Më vonë ka pas edhe nga ato që mexhja i miqësoi dhe ndryshuan mentalitetin, ndryshuan vetitë dhe tiparet. Paralel me ndryshimin filuan edhe asimilimin.
Koha kur zhvillohet ngjarja janë vitet e 70-ta që na ofrojnë deri në prag të vitit 2000. Edhe pse jo shumë largë në periudhë kohore, përsëri ishin kohëra të errëta të komunizmit centralist në ish-Jugosllavinë Titiste. Periudha kohore kur popullata shqiptare nuk gëzonin asgjë nga buxheti në të mirë të ndryshimit të infrastrukturës dhe kushteve tjera elementare të egzistencës. Kohë, kur kjo pjesë e banuar me shqiptarë ishte lënë në mëshirën dhe jomëshirën e Zotit. Në film askund nuk vërehet rrjeti dhe ndriçimi elektrik, askund nuk shihet një çeshmë nga ujësjellësi. Pra përshkrim tipik për familjet malësore.
Le të bëjm një krahasim me filmin UKA i bjeshkëve të nemura
Film i produkcionit Jugosllavë i xhiruar në vitin 1968, ishte viti i demostratave për shprehjen e vullnetit të fjalës së lirë, kërkesa për të drejtat njerëzore dhe përdorimin e gjuhës dhe simboleve kombëtare, që në popull njihen si demostratat e flamurit.
Produkcioni Jugosllav i filmit: “Uka i bjeshkëve të nemura” nën regjinë e Miomir Stamenkoviq ku rolin kryesor e luan aktori Luba Tadiq, njëra nga mesazhet e filmit ishte: Kur vdes djali, pritet LISI. Një film i cili mes rreshtave mbjellë vëlla vrasjen ndër shqiptarë, duke i ndarë në ngjyra politike dhe ideologji. Vlen të përmendet se emri i djalit të Ukës në filmin e produkcionit Jugosllav quhet Xhahid, pra emër arab me kuptim të xhihadit dhe që atëherë duke na etiketuar shqiptarëve se gjoja ne jemi pjesë e radikalizmit fetar dhe mbeturinë e Perandorisë Osmane në Europë. Në filmin e Stankoviqit, shqiptarët paraqiten si adhurues të fashizmit, si popull i përzier me gjak turk dhe të dhënë pas amoralitetit dhe pijes.
Pas 50 viteve të kaluara, fal regjisorit dhe scenaristit Kastriot Abdyli, i cili na solli në Shkup premierën e filmit: KTHIMI, ku roli kryesor ishte përsëri UKA por kësaj rradhe rolin e Ukës e luajti aktori i mirënjohur i filmit dhe dramës shqipe i madhi Selman Lokaj.
Në këtë film përveç krizës së thellë ekonomike, jetës mizore, rasteve sociale, mjerimit të skajshëm na paraqitet mërgimi si plagë e vjetër dhe nevoj për të kërkuar kushte për të mbijetuar.
Paralel me të lartshënuarën, publiku në këtë film mund të kupton – vlerson vet dallimin dhe ndryshimet nga tranzicioni e këtej.
Apsolutisht asgjë e mirë për shqiptarët në ish Republikat Jugosllave.
Ajo që ra në sy, ishte fakti që për herë të parë në një film të tillë nuk derdhet as një pikë gjaku.
A thua pse ?
Mos vallë është lëshim i scenaristit?!!!
Unë me plot përgjegjësi do të them JO.
Shqiptarit nuk i dhimbset jeta kur është në pyetje vatani dhe nderi.
Shqiptarit nuk i dhimbset gjaku kur është në pyetje liria.
KTHIMI na përkujton që të kthejm pak kokën nga malet e lisave të gjatë ku nën betimin “PËR ZOT E ATDHE” u derdhë aq shumë gjak dëshmori e heroi sa që nuk gjendet ngjyrë e kuqe për të improvizuar gjakun rrëke të bijve tanë. KTHIMI i porositë institucionet relevante që edhe ata të kthejnë kokën dhe të vlersojnë gjakun e derdhur në betejat e lavdishme.
Shumë lisa janë prerë në luftën e ndershme të UÇK-së. Por shqiptari nuk e pret lisin kur i biri bjen dëshmor për atdhe, sepse një gjë të tillë e ndjen obligim para Zotit dhe atdheut.
Shqiptari vërtetë e pret lisin kur i vdes djali. Ndërsa në filmin KTHIMI, vdekja më e rëndë qenka atëherë kur shkatrohet familja dhe kur emigron rinia, pra kur të largohet djali nga shtëpia ose detyrohesh ta largojsh nga shtëpia. Në film shihet qartë ku UKA pret shumë lisa, sepse u xhveshën shumë male prej lisave të gjatë dhe plisave të bardhë duke lëshuar pragun e votrës. Humbi krenaria, vdiq shpresa, … humbi edhe besimi tek miku më i afërt ku UKA e priste mbështetjen më të fortë, pra te Lisi. Sikur që edhe populli sot e ka humbur besimin te shpresa e dikurshme.
Pra te Uka i bjeshkëve të nemura prehet vetëm një lis, sepse pushka mund të vret me numër të caktuar dhe lufta me armë zjarri do të përfundon një ditë, me dashje ose jo, nuk ke qare pa u ulë në tryezën e bisedimeve.
Por pushka e sistemit demokratik duke ta shtërngu rrethin, duke ta pij gjakun me pambuk, duke ta ndal kafshatën e bukës për egzistencën e fëmijëve dhe rinisë, qenka shumë më e keqe dhe me e rëndë se vrasja me plumb dhe dënimiet me burg të përjetshëm. Ky është ai lis që e pret UKA.
Poashtu në këtë film, do të gjeni edhe elementin e politikës lavire, të cilën vet e përqafojm dhe e fusim në shtëpitë tona, ku për qëllime personale, i rrënojm të gjitha vlerat familjare, kulturore dhe kombëtare.
Nga pikëpamja antropologjike dhe gërshetimi historik theks të veçant do të kisha vënë në përzgjedhjen e emërtimit të personazheve të këtij filmi. Secili emër tingëllon shqip dhe në vete ngërthen shumë elemente nga e kaluara të cilët kanë kuptim të gjërë.
Personazhet:
ILIRI
Nga aspekti historik – Fisi ILIR
Nga aspekti kohor – Populli i sotëm shqiptar
Nga aspekti rolit – Për ta fituar të dashurën dhe përqafuar të bukurën që ofron e huaja, duhet të sakrifikojsh të çmuarën që ta ofron votra.
Në film paraqitet si nje djal i ri, i pashëm, fëtyrë buzëqeshur, me ambicie, i lastruar në vend të huaj dhe i pa rahur nga erërat e bjeshkëve tona…

UKA
Uniteti Kombëtar Alban,
Burrë zakoni, burrë kanuni, burrë me mendime patriarkale, por racional dhe objektiv në qëndrim dhe parim. Kastriot Abdyli në këtë film na mëson se Uniteti Kombëtar nuk arihet i bazuar vetëm me forcën fizike dhe bindjet individuale. Pra, jo vetëm me sakicë por duhet ndihmuar edhe me laps. Si në dallimin konceptual që ofron koha poashtu edhe në instalimin e sistemit të vlerave me qasje shumëdimesionale.

LISI
Rrënjët e thella në bjeshkët dhe majet e larta,
Personazhi i Lisit në fillim paraqitet në formën e njohësit më të mirë të gjërave, ngase Lisi i ka rrënjët e thella dhe aty ku lisi lëshon rrënjë, aty buron uji i kulluar qelibar. Por ajo që bie në sy në këtë film, këtu edhe lisi fillon të zbehet, ti bien gjethët dhe të luhatet nga fryma dhe erërat e reja. Pra është një mesazh jashtzakonisht i fortë i cili në fund i paraqitur me kostum kombëtar tregon se rrënjët i kam në vendin e duhur dhe pa lëizë asnjë milimetër nga trungu, por luhatjet i bëj sipas detyrimeve dhe nevojës që imponon koha me zhvillimet e saja, Porosia e Listit në këtë film është ecja me kohën para se të na shkelë koha.

BARDHI
Ehhhhh,
Kastiot Abdyli vërtetë është i biri i të madit Historian Prof. Dr. Ramiz Abdyli.
Edhe pse në film Bardhi paraqitet shumë shkurtë, kuptimi dhe mesazhi i tij është shumë i gjërë.
Shqiptari nuk është vetëm mik, por ate e ke edhe vëlla, ai nuk ta zenë shtegun, nuk ta vret shpresën, nuk ta mbyll derën. Ai solidarizohet me ty edhe në momentet kur vendimarrja është kundër interesit të tij personal.
Nga Bardhi në këtë film mund të përshkruajm Mbretin Bardh të fisit Arianit i cili pas tij mbretërinë dhe kurorën ia trashëgoi Mbretëresha Tetuta. Jo rastësisht që në film timonin ei traktorit drejt UK-së e hasim në duar të Bardhës. Ndërsa aspekti etimologjikë i emrit bardhë vjen nga kuptimi i fjalës alb, ose albanët, pra të bardhët. Kurse nga aspekti antropologjik më së miri është përshkruar në fizionominë e Bardhës. Sy gjelbroshe, bionde, e lartë, plot vetbesim, guximtare … ashtu si edhe shkencëtarët i përshkruajnë Ilirët.
SABINA
Një aktore me origjinë franceze e cila në film paraqet modelin ALLAFRANGA.
E deshi Uka apo nuk e deshi, sot eshtë koha e modelit allafranga, e napalonave, e veturave lluksoze, e integrimeve perendimore, e bukurive dhe lirive që gëzonë perendimi, e ardhmërisë dhe shpëtimit nga mjerimi.
Kastriot Abdyli në këtë film nuk na përshkruan bukuritë e francës, në asnjë sekuencë nuk paraqitet ndonjë foto ose pjese e xhiruar në Francë. Kastriot Abdyli përmes Sabinës na tregon se janë po këta francezët të cilët ishin shkaktari kryesor për coptimin e trojeve, familjes, shoqërisë shqiptare dhe vendimin që pasoi në Kongresin e Berlinit dhe të Ambasadorëve në Londër.
Në filmin Kthimi, fatkeqësisht paraqitet brezi i ri, të cilët pa asnjë kusht vrapojn të hudhen në përqafimin e francës … , ashtu sikur që sot e bëjnë politikanët të cilët udhëheqin me pjesë të trojeve shqiptare. Në film Iliri futet në francë me një vizë të reme, pra në mënyrë ilegale ashtu sikur që veproi Ilegalja marksiste dhe sot na erdhen legal në kolltuk duke u mbështetur nga Franca dhe të huajt, e duke u uryer , e fyer nga familja që i lindi dhe vendi që i riti .
Gjuha, kostumografia dhe mizaskena
Besoj që për gjuhën, kostumografinë, muzikën e përzgjedhur, mizaskenën e tj, do të flasin albanolog, etnolog, kompozitor dhe studiues të tjerë nga lëmia e tyre duke shprehur kritikën e tyre.
Hapsira e xhirimit të këtij filmi është Karadaku i trekëndëshit Gjilan, Preshevë dhe Kumanovë. Vend i cili korespondon me realitetin dhe faktografinë e një udhëkryqi shekullor ku lidhen Sërbia, Bullgaria, Maqedonia dhe Kosova. Udhëkryq i gërshetimit të kulturave të ndryshme si në pozitivë ashtu edhe në negativë, vend ku edhe sot e kësaj dite Kumanova dhe Lugina mbeten bastion i djegëjes, shkatrimit, burgosjeve, iskenimeve dhe shpërnguljeve masive, duke i trajtuar si zorë qore në shoqëri.
Shqiptari i këtyre viseve asnjëher në asnjë periudhë kohore nuk ka qenë i mbrojtur nga askush, përkundrazi gjithmon ka qenë i sulmuar dhe okupuar nga çdokush.
Kur shteti nuk angazhohet të siguron kushte elementare të egzistencës së qytetarit të tij, kur pushteti në çdo mënyrë rrjep dhe shkep qytetarin, atëher ai i shkreti detyrehet të përqafon një mëmë-dhe tjetër, ngase At-dheu na bëri treti në dhe e pluhur.
Ky film vlen të përjetohet dhe jo vetëm të shikohet.
Prandaj në këtë film nuk ka vrasje. Sepse vrasjet janë live në jetën e përditëshme dhe nuk janë film. A pak djem të rinj u vranë sa që edhe sot e kësaj dite nuk u zbardhën rastet e tyre. Pra njëher duhet të vepron drejtësia, të sundon ligji, të del në shesh e drejta e pastaj mund të xhirohet filmi ku do të përshkruhet qartë mënyra se si ka funkcionuar një sistem antishqiptar i ngarkuar mbi baza etnike dhe fetare, duke diskriminuar në çdo segment dhe pore të jetës shqiptarin si individ dhe kolektivitet.
E çmoj lartë punën e këtij filmi dhe mjeshtrinë artistike të regjisorit i cili për gjatë tërë filmit përdorë urtësinë, duke përdor forcën e fjalës dhe dialogut.
Sa prekëse është momenti kur thehen të gjitha kriteret e burrërisë.
Pas shkeljes së fjalës së dhënë, pas shkeljes së besës si vyrtyt i identitet të shqiptarit, Uka edhe pse e din mirë se vaji i burrit është kënga, megjithatë Kastriot Abdyli na mëson se kënga i takon burrit dhe burrërisë, ndërsa në momentin e xhveshjes nga vetitë, dukuritë dhe tiparet burrërore, UKA me shpirt të lënduar dhe krejtësisht i dorëzuar në shtratin e tij njësoj sikur i vdekuri, nuk mund të mbaj lotët. Mesazh i qartë që jemi bërë për të na vajtuar dhe jo për të na kënduar.
Për dallim nga produkcionet e tjera në ballkan, në këtë film nuk e hasim asnjë sërb si armik ose kundërshtarë. Kjo le të nënkuptojm që armikun, fajtorin duhet ta kërkojm në rradhët tona dhe në mesin tonë duke filluar nga vetja. Filmi fillon me forcë me sakic dhe vazhdon me pelin, me helm me duhan kaçak, sepse asnjëher nuk u bëmë pjesë e veprimit institucional, por gjithmon mbetëm kaçak edhe në shtëpitë tona. Rudhat në fytyrë dhe gjaku në damarët e qytetarit shqiptar edhe sot e kësaj dite janë plot vnerë dhe plot zehër.
Metafora dhe parimet zakonore janë të shfaqura në mënyrë të spikatur.
Ai që nuk foli asnjë fjalë, në fund të filmit e tha fjalën dhe porosinë më të madhe.
Ishte Urtësia i cili në film paraqitet si bari i dhenve. Duhani sipas zakonit është muhabet. Fjala muhabe vjen nga rrënja e saj hub, që do të thotë dashuri. Momenti kur bariu ia kthen Ilirit pakon e cigareve le të nënkuptojm:
“Nuk jemi për lëmoshë, por edhe këtë gjuhë të huaj që na e imponon në malësinë tonë, duke ua kthyer shpinën babës dhe nënës sidhe duke e shkel Besën e dhënë, muhabetin tënd nuk ta dua.”

Lot gëzimi dhe mallngjimi u vërejtën gjatë interpretimit të filmit.
E gjithë ajo u arit nga djersa dhe puna e palodhur e artistëve:
Selman Lokaj, Hazir Sh. Haziri, Liridona Shehu, Safete Rogova, Sefedin Nuredini, Delphin Depardieu, Xhevat Qoraj, Shkëlqim Islami , Ismail Kasumi, Labinot Lajqi, Valon Bujupi, Virus Shala, Venera Lumani, Zijadin Murtezi , Teuta Ajdini, Hamdi Rashiti ,Muqbajadin Qamili,Nikola Kumev, Avdullah Gjikoka, Ellhame Bilall, Beqir Nuredini, Shota Baraliu, Muzafer Etemi, Flerentina Ademi, Valdete Ismaili, Donika Ahmeti, Enver Halimi, Agim Sulejmani, Ramadan Malaj, Abdurahman Rahman, Shkup Abdyli, Jon Saqipi, Arb Abdyli, Rron Grajqevci, Nadire Ismaili Salihu, Burhanedin Salihu Metush Agjani, Shoqëria Kulturo Artistike “Karshiaka, …
Drejtori i Fotografisë Vlatko Samoilovski, Kostumograf Izet Curri, Skenograf Zeni Ballazhi, Kompozitorë Memli Kelmendi, Montazhier Kastriot Saqipi dhe Blagoje Nedelkovski, Producent Ekzekutiv Simeon Damevski.
Më meritori i këtij filmi është scenaristi dhe regjisori Kastriot ABDYLI.
Ishte kënaqësi që gjatë premierës së filmit KTHIMI, të shmallemi me artistin e madh të kombit z. Sefedin Nuredini.
Ishte madhështore momenti kur në binë para gjithë atij auditoriumi, me respekt dhe pietet të lartë regjisori Kastriot Abdyli u përkul para emrit dhe kujtimit ndaj profesorit të tij aktorit tonë të nderuar, sinonimit të Teatrit të Shqiptarë në Maqedoni, Prof. Sefedin Nuredini.

Loading...