Firma “Gjikuria”, edhe pse pa licencë shfrytëzimi, gërryen në lumin e Tiranës, konkretisht në zonën që njihet si lagjja e “Frutikulturës”.
“Fiks Fare” ka evidentuar këtë situatë në terren. Kamerat e emisionit investigativ kanë filmuar procesin e gërryerjes, si dhe transportin e materialeve inerte, që zbriten në qytet.

Filmimet tregojnë qartë vendin ku gërryhet, në Kamëz. Ekskavatorët gërryejnë çdo ditë dhe mbushin automjetet e tonazhit të rëndë me materiale inerte.

Më pas, në orët e vona, këto automjete dalin jashtë Kamzës dhe i çojnë materialet inerte në një kantier që ndodhet në zonën e Shkozës.

“Fiks Fare” i është drejtuar Basenit Ujor të Tiranës. Përgjegjësja e komanduar, Dorina Capuni shpjegon në një intervistë se kompania “Gjikuria” rezulton se shkel ligjin dhe se nuk ka licencë shfrytëzimi, madje as licencë rehabilitimi.

“Në bazë të një vendimi të qeverisë shqiptare, që prej vitit 2012 nuk lejohet gërryerja në atë zonë të lumit të tiranës. Ne kemi konstatuar shkeljen e Gjikurias dhe i kemi nisur shkresat si IKMT-së, ashtu dhe Inspektoriatit Kombëtar të Ujit. Janë ata që e kanë gjobitur subjektin, por që me sa duket vazhdon shkeljet”, u shpreh ajo./Tch

Loading...