Fitorja e 8-të sezonale për Atlanta Hawks (VIDEO)

Fitorja e 8-të sezonale për Atlanta Hawks në Nba. Në Georgia skuadra e drejtuar nga trajneri Mike Budenholzer thelloi krizën e New Orleans Pelicans duke triumfuar me shifrat 106-98. Të privruar nga ylli i tyre Anthony Davis, Pelicans e kishin të pamundur të regjistronin suksesin e dytë radhazi dhe njëkohësisht fitoren e dytë në këtë sezon, duke u dorëzuar përballë klasit të Al Horford që e mbylli ndeshjen me 26 pikë 8 rebound dhe 3 asiste. Në Philips Arena loja nisi shumë e luftuar nga të dy krahët. Al Horford realizoi 10 nga 26 pikët e tij gjithsej vetëm në periodën e parë por falë paraqitjes së mirë të Eric Gordon New Orleans e mbylli këtë 12-minutësh në avantazh të 2 pikëve. Me Anthony Davis që mungonte për arsye dëmtimi, Gordon u përpoq të merrte për dore formacionin nga Louissiana duke realizuar në total 26 pikë. Edhe perioda e dytë shkoi në favor të New Orleans-it që shkoi në pushim me një epërsi + 9.

Megjithatë reagimi i vendasve nuk mungoi  dhe kur kishte kaluar pothuasje gjysma e periodës së tretë shifrat u barazuan në 65-65.  Gjermani Denis Schroder dhe dy amerikanët Jeff Teague dhe Paul Millsap ishin tre basketbollistët e tjerë që spikatën te Atlanta në këtë sfidë. Në përfundim të periodës së tretë skuadra nga Georgia mori kryesimin me vetëm 1 pikë avantazh. Të shtyrë edhe nga publiku vendas në 12-minutëshin e fundit Hawks kishin një marsh më shumë se Pelicans dhe falë një rezultati të pjesshëm 9-2 morën kontrollin e ndeshjes. Eric Gordon me një trepikësh u duk sikur riktheu miqtë në lojë, por një tjetër rezultat i pjesshëm këtë herë 10-1 bëri që Atlanta ta vriste përfundimisht ndeshjen duke fituar në fund me shifrat 106-98. Në takimet e tjera të mbrëmjes së Nba, spikat suksesi i 9-të në po kaq takime për Golden State Warriors. Viktima e fundit për kampionët ishte Memphis Grizzlies që u mposht brenda në Tennesse me rezultatin 84-100. 28 pikë 5 rebound dhe 5 asiste koleksionoi në total Stephen Curry në këtë përballje.

Një fitore me peshë regjistroi edhe San Antonio Spurs përballë Portland Trail Blazers në transfertë. Në Moda Center në ndeshjen e parë si kundërshtar LaMarcus Aldridge ndëshkoi ish skuadrën e tij duke realizuar 23 pikë në suksesin me shifrat 113-101 të skuadrës së Gregg Popovich.

 

Loading...