Flamuri i popullit të varfër dhe shteti i politikanëve të pasur

 

Por në gjithë këtë katrahurë shumëçka ka të bëjë me ne, e jo me burrështetasit tanë që do na shisnin edhe neve, po qese do gjenin blerës. E, ajo është e vërteta se ne u lejuam atyre që t’i bëjnë pronë të veten të gjitha kremtet kombëtare, e neve të na i lënë vetëm ditët e zisë. Pra, ne u lejuam atyre që çdo gjë të vlefshme që ka ky popull, ta trajtojnë si ta kishin trashëguar nga gjyshërit e vet, e neve të na e lënë vetëm varfërinë

 

XHEVDET POZHARI

600 mijë euro ndan qeveria për flamuj të Kosovës, shtëpia e Adem Jasharit duke u shembur!

Largohet krejtësisht edhe flamuri kombëtar. Ne jemi veç evropianë! Nuk kemi identitet, komb, kulturë, traditë. Kemi tenderë, nga 600 mijë euro për zbukurime.

Dhe kështu burrështetasit e Kosovës duan të na mësojmë ta duam shtetin tonë dhe t’i respektojmë simbolet shtetërore. Simbolet që cilindo që i sheh ia rikujtojnë shtetin që megjithatë ‘emblemë’ njohëse ka keqqeverisjen dhe korrupsionin. Shtetin, që shkaku i burrështetasve që dinë të na sundojnë neve, por jo edhe grykësinë e vet, u shndërrua në gropë nga e cila nuk mund të dilet e të shëtisësh lirshëm nëpër kontinentin ku jeton.

Po pra, drejtuesit e Kosovës më në fund e zgjidhën problemin më madhorë të shtetit që drejtojnë ata: te ‘rrethi’ në hyrje të Prishtinës, e hoqën nga shtiza flamurin kombëtarë dhe e ngritën atë të shtetit të Kosovës. Të atillë siç janë, ata do na e kishin shpall gjuhë amtare ndonjë nga gjuhët Perëndimore, vetëm nëse këtë do ua kërkonte ndonjëri që do mund t’u garantonte mbetje të përjetshme në pushtet.

Por në gjithë këtë katrahurë shumëçka ka të bëjë me ne, e jo me burrështetasit tanë që do na shisnin edhe neve, po qese do gjenin blerës. E, ajo është e vërteta se ne u lejuam atyre që t’i bëjnë pronë të veten të gjitha kremtet kombëtare, e neve të na i lënë vetëm ditët e zisë. Pra, ne u lejuam atyre që çdo gjë të vlefshme që ka ky popull, ta trajtojnë si ta kishin trashëguar nga gjyshërit e vet, e neve të na e lënë vetëm varfërinë. Dhe andaj erdhëm këtu ku jemi sot: që Kosova të jetë parajsë për burrështetasit, por ferr për fëmijët tanë që i lindim, i rritim dhe më në fund i ‘importojmë’ në Perëndim.

Por sidoqoftë, duhet pranuar: ne që shkruajmë kështu, jemi “old fashion”, nuk jemi “open-minded”…, andaj mos na merrni seriozisht e as mos na e shihni për të madhe! Madje ne edhe nuk kemi punë tjetër përpos të sorollatemi nëpër spitalet shtetërore kur sëmuremi, e ku nuk ka ilaçra kështu që aty shkohet për të vdekur, e jo për t’u shëruar, që i çojmë fëmijët në çerdhet publike që gati janë të shemben, që më me dëshirë darkojmë në sofrën e shtëpisë me njerëzit tanë, sesa në restorante luksoze, të rrethuar me njerëz që na vlerësojnë nga thellësia e xhepit e jo e mendjes.

Pra, mos na a varni veshin neve që bartim plagët e luftës, neve që nuk patëm fatin e “open-mindeve” që rreziteshin në plazhet e Durrësit përderisa ne numëronin minutat që sillnin vdekjen. Ne që sot dëgjojmë ligjërata shtetëformuese nga ata që rruanin në kohën e luftës visheshin si gra për ta kaluar kufirin, që më pas të gjithë neve që kishim zgjedhur të qëndronim në vatrat tona, të na shpallin tradhtarë. Mos na përfillni neve që jemi bë të padurueshëm ndaj politikanëve që kompleksin e opingave të deridjeshme duan ta mbulojnë me Pradat e sotme që kanë mbathur.

Po pra, ne që shkruajmë kështu jemi e keqja e këtij shteti dhe pengesë pse Kosova nuk etablohet e nuk bëhet shtet I mirëfilltë, por i ngjanë një kopshti të cilin e punojmë të gjithë ne, por frutat e të cilit i vjelin vetë drejtuesit e tij. Dhe përderisa është shtet i këtillë, përderisa Kosova mbete shtet ku më të vlefshëm se populli janë qindra shërbëtorët e sulltanëve tanë partiak, atëherë duhet dhënë kumtin e rëndësishëm: nga vatër e atdhedashurisë dhe shqiptarisë, Kosova bëhet e kundërta e vetvetes. Bëhet shtet me shqiptarë të varfër që e duan flamurin kombëtarë, e me burrështetas të pasur që i përkulen flamurit shtetëror.

 

Loading...