Flamuri shqiptar ngrihet edhe në Nju Jork

Nëse keni parë disa dhjetëra flamuj kuqezi me një shqiponjë dykrenore përkrah flamurit amerikan në Bulevardin Hylan dhe keni pyetur veten për simbolikën e tyre, atëherë autori Vincent Barone i këtij shkrimi të publikuar në ‘Silive.com thotë se nuk jeni të vetëm.

Barone sqaron se flamujt që valonin nëpër shtyllat elektrike kishin të bënin me festime e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, që mbahet për çdo vit më 28 nëntor.

Shqiptarët që jetojnë në Staten Island, Nju Jork, u mblodhën të premten mbrëma në Qendrën Islame Kulturore Shqiptare në Tompkinsville për të kremtuar festën e tyre, që përkujton revoltën shqiptare ndaj Perandorisë Osmane më 1912.

“Në festat tona zakonisht ka shumë këngë e valle shqiptare”, ka thënë Dr. Tahir Kukaj, zëvendëspresident i qendrës kulturore. “Të premten në këtë qendër, meqenëse shërben si xhami, kemi mbajtur ligjërata mbi historinë e asaj dite, pra të 28 nëntorit të vitit 1912. Kemi biseduar dhe kemi kujtuar e falënderuar liderët nga të gjitha besimet – priftërinj e imamë”.

Kukaj i falënderohet qytetit që lejon shqiptaro-amerikanët të varin flamujt shqiptarë në Hylan çdo vit. Ai thotë se është zgjedhur Bulevardi Hylan për vendosjen e flamujve për shkak se në të jeton një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve.

“Kemi komunitet të gjerë të shqiptarëve në Staten Island… dhe jemi shumë të lumtur që jemi pjesë e këtij qyteti të madh ku mund t’i gëzojmë të drejtat tona të plota me të tjerët”, thotë Kukaj.

“Kjo festë është menjëherë pas Ditës së Falënderimeve dhe ne në këtë mënyrë u gëzohemi të dy pushimeve të lavdishme”, ka shtuar ai.

Loading...