Pas më shumë se tre muajve nga gjykimi për ngjarjet e “27 prillit” dje në Gjykatën penale të Shkupit për herë të parë u theksua se Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim është organizator i hyrjes në Kuvendin e Maqedonisë. Tre nga të akuzuarit deklaruan se ishin organizuar nga i akuzuari Aleksandar Vasilevski-Ninxha i cili megjithatë ka marrë urdhra të drejtpërdrejta nga ish-drejtori i DSK-së, Vlladimir Atanasovski dhe shefi i i Drejtorisë, Nikolla Boshkovski.

Të akuzuarit në deklarata pothuajse identike i sqaruan veprimet e grupeve të cilat u organizuan edhe para ngjarjeve të 27 prillit, siç është protesta para KSHZ-së dhe thanë se ishin manipuluar nga DSK-ja në bazë të ndjenjave të tyre patriotike se bëhet fjalë për mbijetesën e Maqedonisë dhe me qëllim që të mbrohen disa njerëz të pushtetit.

I akuzuari Stefan Mlladenovski, në deklaratën e tij tha se ka marrë urdhra nga Ninxha, nga i cili mësoi se është i afërm me njeriun e parë të DSK-së dhe se ka mundur të bëjë çfarë të dojë.

I akuzuari Mihail Mladenovski pas deklaratës së vëllait të tij Stefan i konfirmoi pretendimet se tërë rasti është krijuar nga struktura në DSK me qëllim që disa njerëz t’i mbajnë funksionet e tyre, pa dallim të viktimave.

Tha se përmes orientimeve të DSK-së, Ninxha është dashur të ndjekë disa persona të cilët, siç tregoi, janë armiq të shtetit. Sqaroi se Ninxha në dispozicion ka pasur dy automjete nga DSK-ja, motorolë për ndjekjen e tërë komunikimit të SPB Shkup dhe shenja policore.

“Ninxha ka përdorur një fjalë se ne jemi 5-she e jashtme, gjegjësisht grup që bashkëvepron jashtë me DSK-në. Këtë e quanin piramidë që nuk mund të rrënohet. Nikolla Boshovski në një rast më tha se jemi si një tufë dhe nëse njëri ndahet do të mbetet zog i vetmuar dhe i pambrojtur”, tha i akuzuari Mlladenovski.

Mihail përkujtoi se nuk kanë paru orientime çka të bëjnë në Kuvend më 27 prill, ku ka lëvizur sipas inercionit me turmën dhe pasi kishte dalë është takuar me të tjerët në parkun “Zhena borec”.

“Atëherë erdhi vetura golf pesë me ngjyrë hiri dhe u ndal tek Zegini, përballë ‘Zhena park’. Ajo është veturë zyrtare e Nikolla Boshkovskit. Na thanë se në automjet ka armë dhe duhet t’u ndahen njerëzve të cilët dinë të përdorin armë. Arsyeja për këtë ishte sepse kanë pasur informacione se po vjen një grup i shqiptarëve me armë. Por kjo nuk ndodhi. Atëherë Sinisha nga presidenti Ivanoc na tha se do të shpallet gjendje lufte dhe me polici ushtarake do të arrestohet shumica e re parlamentare për grusht shtet. Kjo pasiguri ka zgjatur deri në orën 22:00, kur Ivanov doli dhe bëri thirrje për qetësi dhe caktoi takim të liderëve”, deklaroi i akuzuari Mlladenovski, duke potencuar se e din që opinioni ka interes të madh për ta mësuar të vërtetën.

I akuzuari Zaharie Simovski, i cili u paralajmëruar nga avokati i tij si “heroi i tretë i ditës”, në deklaratën e mbrojtjes së tij tha se ka marrë pjesë në ngjarjet e 27 prillit, si dhe paraprakisht në protesta me iniciativën “Për Maqedoni të përbashkët” me urdhër të të akuzuarit Aleksandar Vasilevski-Ninxha, i cili ishte truproje personal nga viti 2015.

Simovski tha se në vitin 2016 në protestat para KSHZ-së kur prisnin urdhër për të bërë trazira dhe të gjuajnë me koktej molotov , janë njoftuar nga Ninxha se drejtori i DSK-së Atanasovski ka dhënë urdhër që të digjen shtëpitë e Radmilla Shekerinskës dhe Petre Shilegovit dhe automobili i Lubomir Fërçkovskit.

I akuzuari tha se ka marrë pjesë edhe në protestat e “Për Maqedoni të përbashkët” në të cilat më shpesh janë nisur nga QT Plaza dhe shumë shpesh shefi i tij Ninxha ka hyrë në ndërtesën e VMRO-DPMNE-së në takim me funksionarë, ndërsa ka pasur njohuri se është takuar edhe me ish-kryeministrin Nikolla Gruevski.

Më 27 prill në restorantin “Dion” ka arritur rreth orës 14:00 dhe paraprakisht ishte njoftuar që të marrë armë, të cilën, siç theksoi, asnjëherë nuk e ka përdorur. Pas takimit në restorant, janë nisur drejt Kuvendit ku fillimisht kanë hyrë në sallën plenare dhe më pas drejt pres-qendrës.

Pas deklaratës së Milail Mlladenovski se këshilltrai i presidentit, Sinisha Aleksoski u tha se presidenti Ivanov do të shpall gjendje lufte, dje reagoi Kabineti i presidentit.

“Dhënia e dëshmisë së rrejshme është vepër penale. Dhe nuk e dimë për të satën herë, Kabineti i Presidentit të Republikës së Maqedonisë i hedh poshtë gënjeshtrat e thëna, ngjarjet e shpikura dhe komunikimin që nuk ekziston për përfshirjen e këshilltarit Sinisha Aleksoski në rastin e 27 prillit”, theksohet në reagimin e Kabinetit të presidentit.

Loading...