Menjëherë pas kalimit te Vëllazërimi i Kërçovës, futbollisti i talentuar Gent Bislimi për gazetën “Lajm”, ka folur për përshtypjet e para për skuadrën e tij të re dhe shpjegoi arsyet pse vendosi t’i bashkohet këtij ekipi.

Mesfushori kumanovar tha se Vëllazërimi do t’i japë atij mundësi për të treguar talentin që ka për lojën e futbollit.

“Ka dy ditë që ia kemi filluar stërvitjeve. Po kalojmë shumë mirë. Jam shumë i kënaqur. Edhe futbollistët e tjerë më të vjetër po sillen shumë mirë ndaj nesh. Gjithashtu edhe stafi teknik na kanë pritur shumë mirë. Kam vetëm fjalë të mira”, deklaroi Bislimi, prurja e re e Vëllazërimit, i ardhur nga Euromilk, ndërsa më herët ishte pjesë e Milanos nga Kumanova.

“E zgjodha Vëllazërimin se është klub serioz, me pretendime për hyrje në Ligen e parë. Poashtu është klub që dinë t’i vlerësoj talentet e rinj. Mua më mbetët të jap maksimumin dhe shpresoj e besoj se do të hyjmë në elitën e futbollit”, flet me tone optimiste Bislimi, i cili luan edhe si gjysmësulmues.

19 vjecari, Bislimi, tregon se kush do të jenë konkurrentet e Vëllazërimit në luftë për titullin e kampionit.

“Po dihen se kush do të jenë konkurrentë të Vëllazërimit në garën për hyrje në ligën e parë. Ato janë ekipet që gjenden në pjesën e sipërme të tabelës së klasifikimit: Gostivari, Struga Trim Lum dhe Makedonija. Të gjithë jemi me pikë afër njëri-tjetrit, por besoj se ne në fund do të jemi ata që do të gëzohemi”, përfundoi Gent Bislimi.

Ndryshe, Vëllazërimi po vijon përgatitjet dimërore në Kërcovë, kurse më 26 janar ka caktuar edhe miqësoren e parë kundër Renovës në Ohër. Klubi kërcovar në këtë qendër turistike planifikon të zhvilloj fazën tjetër të përgatitjeve.
Vëllazërimi është kampion i Ligës së dytë-perëndim me 25 pikë, i ndjekur nga Gostivari me po aq pikë, por me goldallim më të dobët. /lajm

Loading...