Intervista

Flet ish kryetari i FRI-së, Sali Shasivari: Shqiptarët mbeten komb me tendenca bashkimi!

sali shasivari

Ish kryetari i Forumit Rinor Islam, Sali Shasivari, në një intervistë flet lidhur me zhvillimet rajonale dhe globale, por edhe për zhvillimet Brenda shqiptare në rajon.

Shqiptarët do të mbeten një komb, me tendencë bashkimi, pavarësisht metodës apo modelit të këtij bashkimi; dhe se, çfarëdo tentimi për krijimin e ndonjë ndasie apo nën-identiteti të ri brendashqiptar, do të jetë tentim i gabuar dhe i dështuar. Mirëpo, me këtë rast, duhet theksuar se, në këtë proces të ri-bashkimit, prej nesh (si popull shqiptar) kërkohet më shumë seriozitet, angazhim dhe punë, edhe atë, në të gjitha sferat, duke filluar nga aspekti shoqëror, arsimor, akademik dhe kulturor, e deri tek aspekti ekonomik, politik dhe strategjik; larg nga deklaratat mirakëndëse për konsum politik dhe populist”, thekson mes tjerash Shasivari.

 

 

 

Si e vlerësoni gjendjen e përgjithshme politike të shqiptarëve sot?

 

Në gati tri dekadat e fundit të pluralizmit, gjendja politike e shqiptarëve, në përgjithësi, ka shënuar progres të dukshëm, megjithatë, ky progres ka qenë dhe vazhdon të jetë tejet i ngadalshëm dhe me shumë batica dhe zbatica. Më pak që mund të thuhet, është fakti se, performanca politike gjithandej ‘shqipërive’ tona [Mal i Zi, Shqipëri, Kosovë, Kosovë Lindore (Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc) si dhe Maqedoni] nuk ka qenë në nivelin e sfidave me të cilat ballafaqohen shqiptarët. Madje, procesi i ashtuquajtur i ‘tranzicionit’ është duke u stërzgjatur për arsye banale, kryesisht për shkak të interesave të ngushta të shtresave politike.

 

Megjithatë, thuhet se, ‘koha po punon për shqiptarët’.

 

Ka diç të vërtetë kur thuhet se ‘koha po punon për shqiptarët’, sidomos kur kemi parasyshë disa rrethana rajonale dhe globale në këtë aspekt, mirëpo, një gjë e këtillë nuk mjafton. Rrethanat e favorshme aktuale duhet të shfrytëzohen në mënyrën më të mirë të mundshme, ngase, askush nuk mund të garantojë vazhdimësinë e këtyre rrethanave përgjithmonë.

 

Konsolidimi i demokracisë së mirëfilltë, krijimi i shtetit të së drejtës, avansimi në fushat e arsimit dhe kulturës, zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, lufta ndaj krimit të organizuar, korrupcionit, nepotizmit, etj., vazhdojnë të jenë sfida serioze për shoqëritë tona shqiptare; andaj, kërkohet edhe shumë punë, angazhim, vigjilencë dhe kujdes.    

 

Sa është përcaktues roli SHBA-ve për Ballkanin në tërësi, si dhe për të ardhmen e shqiptarëve në veçanti?

 

Duke marë parasyshë pozitën gjeo-strategjike të shqiptarëve, si dhe problemet dhe sfidat me të cilat përballen ato, si dhe duke marë parasyshë rrethanat rajonale dhe globale, mund të konstatojmë se roli i SHBA-së ka qenë, është, dhe do të vazhdojë të jetë thelbësor dhe jetik për stabilitetin e rajonit të Ballkanit në përgjithësi, si dhe për të ardhmen e shqiptarëve në veçanti.

 

Për më tepër, historia më e re e ngjarjeve në rajon ka dëshmuar se, në raste të konflikteve politike apo ushtarake, i vetmi faktor i cili ka arritur t’i kthejë gjërat në ujdi, kanë qenë SHBA-të. Madje, përgjatë gjithë kësaj periudhe, ngjarjet dhe ndodhitë kanë rikonfirmuar peshën dhe rëndësinë e aleancës dhe partneritetit strategjik shqiptaro-amerikan; partneritet ky i cili duhet të kultivohet dhe forcohet edhe më tutje; gjithnjë në suaza të interesave të ndërsjella si dhe parimeve universale njerëzore.

 

Çka do të ndodhte me ne shqiptarët po qe se SHBA-të vendosin të tërhiqen nga Ballkani; në këtë rast, a thua vallë më e afërt për ne do të ishte Turqia, Gjermania, apo Rusia?

 

SHBA-të nuk do tërhiqen nga Ballkani. Po qe se SHBA-të do të kishin ndërmend të tërhiqen nga Ballkani, ato nuk do të kishin bërë gjithë ato investime politike, ushtarake dhe ekonomike në të. Ballkani paraqet zonë të rendësishme interesi për politikat dhe strategjitë amerikane, sidomos kur kemi parasyshë faktin se ky rajon konsiderohet portë dhe kopsht i mbrapmë i Europës, si dhe pararoje ndaj ndikimit dhe influencës ruse.

 

Ajo që mund të ndodh, ashtu siç edhe ka ndodhur tashmë disa herë, është zbehja e përkohshme e fokusit amerikan në Ballkan, për shkak të prioriteteve tjera gjeo-strategjike. Kështu, një zbehje e këtillë u hetua dukshëm në periudhën post-Klinton-iane, edhe atë, pjesërisht gjatë administratës së presidentit Bush Junior, e me theks të veçantë gjatë periudhës së presidentit Obama. Administrata Trump duket se e ktheu sadopak fokusin e saj kah Ballkani, si rezultat i alarmit që u dha në lidhje me influencën ruse në Ballkan, e cila për pak sa nuk kaloi në metastazë. Kështu, ajo (administrata amerikane) arriti që në momentet e fundit ta parandalojë rrëshqitjen fatale të rajonit dhe rënien e tij të plotë në ‘prehërin’ rus. Ky intervenim amerikan u manifestua qartazi në Mal të Zi dhe në Maqedoni.

 

Ndonëse, tashmë ‘treni’ i rajonit është rikthyer në binare dhe është orientuar në drejtimin e duhur, situata vazhdon të jetë e ndijshme. Së këndejmi, prezenca e vazhdueshme amerikane, sforcimi i agjendës euroatlantike, si dhe përshpejtimi i integrimit të vendeve të rajonit në NATO është shumë e rëndësishme dhe kritike në këtë periudhë.

 

Përskaj këtij partneriteti strategjik me SHBA-të, shqiptarët janë të thirrur që t’i zgjerojnë dhe përforcojnë raportet e tyre edhe me lojtarë tjerë rajonal dhe ndërkombëtarë, ngase, rrethanat botërore po ndryshojnë me një ritëm shumë të shpejtë. Kështu, koha e uni-polarizmit amerikan duket se ka filluar të perendojë, dhe se në horizont po shihen shenja të qarta jo vetëm të kthimit të fuqishëm të bi-polarizmit (binomit SHBA – Rusi), në saje të kthimit në skenë të ‘ariut rus’, gjegjësisht, Rusisë ‘cariste’ në krye me Putinin, por sipas gjitha gjasave, tendencat aktuale ekonomike, politike dhe strategjike po sinjalizojnë për një botë multi-polare, me ç’rast, në skenën politike botërore po imponohen fuqi të reja ekonomiko-politike (siç është rasti me Kinën, Indinë, Gjermaninë, Turqinë, Brazilin, Indonezinë, Afrikën Jugore, etj.); e, shqiptarëve ju nevojiten miq gjithandej.

 

Në saje të kësaj që u tha, dhe në funksion të pozicionimit të duhur dhe të domosdoshëm për ruajtjen e perspektivave si komb, shqiptarët do të duhet ta përforcojnë partneritetin dhe bashkëpunimin me Turqinë, e cila, përpos që është lojtar i rëndësishëm në NATO, e njejta, tashmë, është shndërruar në një faktor të rëndësishëm dhe të fuqishëm rajonal dhe ndërkombëtar, duke marë parasyshë pozitën e rëndësishme gjeo-strategjike që ka, si dhe peshën politike dhe fuqinë ekonomike që posedon.

 

Së këndejmi, duke marë parasyshë peshën e Turqisë si shtet në nivel global, si dhe, duke marë parasyshë lidhjet historike dhe kulturore shekullore, Turqia duhet konsideruar mik dhe aleat tejet i rëndësishëm për shqiptarët; dhe se, kjo miqësi duhet të kultivohet dhe të forcohet në vazhdimësi, ngase e njejta, pos tjerash, është garancë e fortë për paqen dhe sigurinë tonë kombëtare.

 

Për më tepër, Turqia mund të jetë ndërmjetësuesi dhe linku i cili mund të hapë shumë dyer të reja për interesat dhe perspektivat e shqiptarëve dhe ‘shqipërive’ tona (siç është rasti me lobimin e saj të vazhdueshëm për njohjen e shtetit të Kosovës). E, ky rol i Turqisë, në të ardhmen, mund të jetë shumëfish më i madh dhe më substancial.

 

Në anën tjetër, edhe Gjermania si shtet, dhe si një nga fuqitë dhe lojtarët kryesorë në Unionin Evropian, paraqet partner tejet të rëndësishëm për shqiptarët, edhe atë, jo vetëm si shtet i cili mund të ofrojë shumëçka në drejtim të integrimit të ‘shqipërive’ tona në instancat evropjane (sidomos në aspektin e përkrahjes politike dhe ekonomike), porse, shteti dhe populli gjerman mund të konsiderohen ndër miqët më të afërt të shqiptarëve, krahasuar me popujt tjerë evropjan. Shembull më i mirë ilustrues për këtë që po them është qëndrimi i popullatës dhe shtetit gjerman karshi ngjarjeve në rajon përgjatë viteve të fundit.

 

A thua vallë roli rus në të ardhmen në Ballkan do të minimizohet apo do shkon drejt rritjes?

 

Mendoj se tentimet ruse për penetrim në të gjitha sferat e jetës dhe aktivitetit në Ballkan do të jenë të vazhdueshme. Kjo, sidomos nga fakti se, Rusia, përpos që ka apetite dhe interesa të mëdha politike, gjeo-strategjike dhe ekonomike në rajon, ajo një pjesë bukur të madhe të këtij rajoni e konsideron si shtrirje të natyrshme dhe pjesë të pandashme të kulturës dhe ideologjisë sllavo-ortodokse (kujto korridorin Athinë-Shkup-Beograd-Moskë), duke konsideruar në solidarizim dhe bashkëpunim të ndërsjellë me këta popuj, në funksion të pan-sllavizmit dhe pan-ortodoksizmit global.

 

Mirëpo, duke marë parasyshë përcaktimin e qartë të popujve jo-sllavë (sidomos popullit shqiptar) si dhe pjesës më të madhe të popujve sllavë në favor të integrimeve euro-atlantike, si dhe duke marë parasyshë vigjilencën dhe orvatjet e vazhdueshme perendimore (sidomos ato amerikane) për parandalimin dhe menjanimin e influencës ruse në rajon, konsideroj se, kjo influencë ruse do të has gjithmonë në rezistencë të ashpër, si nga popujt e rajonit, poashtu edhe nga fuqitë perendimore. Madje, në këtë kontekst, Ballkani nuk mund të krahasohet assesi me Krimenë apo Ukrainën, ngase, këto të fundit paraqesin zonë të influencës direkte ruse; ndërsa, Ballkani, natyrshëm, paraqet zonë interesi perendimor; ndonëse, Rusia, atë (Ballkanin) e shfrytëzon si ‘kartë presioni’ ndaj perendimit, në këmbim të interesave gjeostrategjike globale.

 

Kështuqë, mund të thuhet lirisht se, fati përfundimtar i influencës dhe ndikimit rus në Ballkan do të mvaret nga serioziteti, përkushtimi, agjenda dhe perspektivat reale euro-atlantike për vendet e rajonit.

 

Në ndërkohë, shqiptarët do të duhet të jenë vazhdimisht vigjilent kundrejt infiltrimit rus përmes nëntokës ekonomike dhe politike.

 

Çka mund të na thoni në lidhje me integrimin e vendeve të Ballkanit Perendimor në Unionin Evropian; dhe, a do të ketë ndryshime kufijsh ne Ballkan?

E ardhmja e vendeve të Ballkanit Perendimor duhet të jetë integrimi i tyre në Unionin Evropian, ngase, një proces i këtillë, aq sa është i natyrshëm, ai është po aq edhe i domosdoshëm.

 

Mirëpo, marë parasyshë problemet, krizat dhe sfidat aktuale me të cilat përballet Unioni Evropian, si në rrafshin politik poashtu edhe në atë ekonomik, kriza këto të cilat kanë ndikuar në ndërprerjen e përkohshme të zgjerimit të mëtejshëm të kufijve evropian, perspektiva dhe status-quo-ja e vendeve të Ballkanit Perendimor, sipas gjitha gjasave, do të zhagitet edhe pak.

 

Sa u takon kufijve, mendoj se një çështje e këtillë do të vazhdojë të mbetet status-quo, derisa të qartësohet dhe definohet perspektiva evropjane e këtyre vendeve. Për momentin, qëndrimi – së paku deklarativ dhe i dukshëm – i politikës amerikano-evropjane është mos-ndryshimi i kufijve, duke planifikuar një integrim të brendshëm ekonomiko-politik në suaza të Unionit Evropian.

 

Andaj, sa më shumë që të shpejtohet procesi i integrimit euro-atlantik të këtyre vendeve, aq më i shpejtë do të jetë edhe stabilizimi i rajonit në suaza të kufijve ekzistues.

 

Rrjedhimisht, në qoftë se euroskepticizmi do të vazhdojë të rritet, dhe në qoftë se ‘breksiterizmi’ si fenomen dhe tendencë do të kalojë në domino-efekt, me ç’rast, Unioni Evropian do të fillonte të dezintegrohet, atëherë, ndryshimi dhe rikonfigurimi i kufijve, bile-bile edhe shkëmbimi i vendeve dhe rajoneve, do të shndërrohej në opsion.

 

E ardhmja e shqiptarëve etnikë (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni) në Ballkan: A mund të lindin kombe të reja shqiptarësh në Ballkan, apo do të ngelë një komb me tendencë bashkimi?


Shqiptarët, përveç që janë një nga popujt më të vjetër dhe autokton në Ballkan dhe në Europë, ata, sot, paraqesin një nga kombet më të konsoliduara në rajon, në kuptim të elementeve formësuese të një kombi. Kështu, gjenealogjia e përbashkët, historia e njejtë, gjuha unike, trojet autoktone të përafërta dhe të ndërlidhura, kultura, traditat, folklori, doket, zakonet, arti dhe muzika e ngjashme, e, mbi të gjitha, ndjenja e fortë e përkatësisë, janë determinantët kryesorë të cilat dëshmojnë identitetin e përbashkët të tyre si një popull dhe një komb, si dhe predispozitën e tyre për bashkim.

 

Ky popull, përgjatë shekujve, ka kaluar në periudha të vështira dhe të padëshirueshme. Padrejtësia më e madhe ndaj këtij populli-komb ndodhi në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX, kur populli shqipëtar u vra dhe u masakrua, tokat e tij u konfiskuan dhe u copëtuan, ndërsa kombi si i tillë u nda me kufij të hekurt.

 

Kjo ndarje e dhunshme ndaj këtij populli-komb vazhdon edhe sot e kësaj dite.

 

E, tashmë që shqiptarët kanë filluar t’i rikthejnë dalëngadalë të drejtat e tyre të natyrshme dhe historike, unifikimi i tyre shpirtëror, kulturor dhe civilizues është proces i pashmangshëm.

 

Metodat dhe moduset e bashkimit / ri-bashkimit kombit shqipëtar janë të shumta. Kështu, për momentin, një ri-bashkim i këtillë pritet që të ndodhë në suaza të procesit integrues në Unionit Evropian. Mirëpo, në qoftë se një proces i këtillë stërvonohet apo dështon, atëherë, dosido, do të vijnë në shprehje alternativa tjera.

 

Shqiptarët do të mbeten një komb, me tendencë bashkimi, pavarësisht metodës apo modelit të këtij bashkimi; dhe se, çfarëdo tentimi për krijimin e ndonjë ndasie apo nën-identiteti të ri brendashqiptar, do të jetë tentim i gabuar dhe i dështuar.

 

Mirëpo, me këtë rast, duhet theksuar se, në këtë proces të ri-bashkimit, prej nesh (si popull shqiptar) kërkohet më shumë seriozitet, angazhim dhe punë, edhe atë, në të gjitha sferat, duke filluar nga aspekti shoqëror, arsimor, akademik dhe kulturor, e deri tek aspekti ekonomik, politik dhe strategjik; larg nga deklaratat mirakëndëse për konsum politik dhe populist.

 

Të shumta janë bisedat dhe debatet të cilat po nxiten në lidhje me identitetin, sidomos debatet e llojit komb-fe (sidomos kur është në pyetje islami si fe e shumicës shqiptare). Çka mund të na thoni për këtë fenomen?

 

Bisedat dhe debatet të cilat nxiten në lidhje me identitetin tonë, sidomos në relacion të binomit dhe dualizmit komb-fe, përpos që janë debate absurde, shterpe dhe qëllimkeqe, të njejtat janë edhe tejet të dëmshme për indin e kombit shqiptar si dhe perspektivat e tij.

 

Këto debate janë absurde nga fakti se, si të tilla, ato janë shumë të pabaza, jo-shkencore, jo-parimore dhe të njëanshme. Kjo, ngase bëhet fjalë për dy elemente dhe fenomene të cilat nuk janë dikotomike, porse ato përmbushin njëra tjetrën. Madje, nuk njoh popull tjetër në botë që ka nxit debate të këtij lloji, përpos popullit shqipëtar!

 

Poashtu, këto debate janë shterpe dhe qëllimkeqe, ngase, ato, përpos që nuk japin kurrfarë rezultate pozitive, të njejtat prodhojnë konfuzitetit të panevojshëm dhe dyshime të kota, si dhe nxisin urrejtje dhe përçarje.

 

Për më tepër, debatet e këtilla nxiten dhe zhvillohen nga njerëz të cilët, jo vetëm që janë tejet jokompetent, por të njejtit, me vetëdije apo pa vetëdije, ju shërbejnë agjendave të huaja, të cilat nuk ia duan të mirën këtij populli.

 

Së këndejmi, debatet e këtij lloji duhet të parandalohen dhe të stopohen, ngase të njejtat mund të sjellin pasoja shumë negative për kombin shqiptar në të tashmen dhe në të ardhmen.

 

Çka në lidhje me të ashtuquajturin radikalizëm islamik në Ballkan, dhe cila është zgjidhja?

 

Së pari, më duhet të them se, jam plotësisht kundër përdorimit të termit “radikalizëm islamik”. Kjo, fillimisht nga fakti se, Islami është fe e paqes dhe e mirëqenies, dhe se ai lufton çfarëdo lloj radikalizmi, ekstremizmi apo terrorizmi. Madje, radikalizmi, ekstremizmi apo terrorizmi nuk njeh racë, fe, kulturë apo kombësi. Andaj, ashtu siç nuk e përdorim termin “radikalizëm apo terrorizëm krishter” (katolik apo ortodoks), “radikalizëm apo terrorizëm hebraik”, “radikalizëm apo terrorizëm budist”, etj., poashtu nuk është e drejtë të përdorim termin “radikalizëm apo terrorizëm islamik”.

 

Së dyti, ne, njëherë e përgjithmonë, do të duhet të mësohemi të bëjmë dallim në mes të islamit si fe, pjestarëve të kësaj feje (muslimanët), propagandës së padrejtë e cila zhvillohet kundër kësaj feje dhe pjestarëve të tij, instrumentalizimit të fesë për agjenda dhe qëllime të errëta dhe djallëzore, etj. Madje, edhe nëse kemi raste të izoluara individuale, kur një person apo një grup i vogël i përkatësisë së një feje bën një vepër të pahijshme, ndonjë krim, apo akt terrori, ne nuk guxojmë që ta njollosim fenë apo kolektivin e gjerë të cilit i takon ai individ apo grup.

 

Së treti, askush nuk guxon që, një fenomen global, siç është rasti me të ashtuquajturin “radikalizëm / terrorizëm islamik”, ta instrumentalizojë për qëllime dhe agjenda të caktuara në nivel lokal apo rajonal; qofshin ato qëllime apo agjenda ideologjike, politike, apo thjeshtë për frikësim të popullatës. Bile-bile, edhe kur ndodhin raste të tilla të izoluara (në nivel individësh apo grupesh të vogla), nuk është logjike e as morale që të njejtat të egzagjerohen dhe të përgjithësohen, pa mos studjuar dhe verifikuar mirë linkun dhe shkaqet e vërteta të veprimeve të tilla.

 

E, nëse dikush përsëri insiston që t’i ‘përziejë letrat’, duke anatemuar një komunitet të caktuar, atëherë, para se të flasim për të ashtuquajturin “radikalizëm islamik”, do të duhet të flasim për “radikalizmin ortodoks” si dhe “radikalizmin katolik”. Kjo, ngase, së paku këtu në Ballkan, shqiptarët kanë qenë viktimë e masakrave dhe torturave të cilat janë ushtruar nga ana e një pjese të komunitetit ortodoks, masakra dhe tortura këto të cilat kanë gëzuar edhe bekimin e vet kishës dhe klerit ortodoks (siç ishte rasti me Kishën Ortodokse Serbe gjatë Luftës së Kosovës, si dhe Kishën Ortodokse Maqedonase gjatë konfliktit të 2001). Poashtu, në anën tjetër, popullata shqiptare muslimane shumicë në Ballkan po i nënshtrohet një kampanje të paskrupullt demonizimi, nënçmimi, urrejtje, anatemimi, islamofobie, etj., nga qarqe të ndryshme katolike, pas të cilave kampanja shpeshherë qëndron vet kleri katolik (siç ishte rasti me priftin katolik shqiptar që jeton në SHBA, me emrin Anton Kçira).

 

Andaj, togfjalëshi “radikalizëm apo terrorizëm islamik”, jo vetëm që është i gabuar, porse, përdorimi i kësaj fraze është tejet tendencioze dhe me qëllime djallëzore.

 

Përndryshe, shkaqet e radikalizimit të disa individëve të përkatësisë muslimane në Ballkan duhet kërkuar tek manipulimet e agjenturave sekrete, tek faktorët socio-ekonomik, si dhe tek keq-interpretimet, keq-predikimet dhe keq-kuptimet e islamit.

 

Ndërsa, zgjidhja e një fenomeni të këtillë, përreth aspektit të sigurimit, duhet kërkuar edhe në edukimin e mirëfilltë, promovimin e vlerave të vërteta të islamit, si dhe në parandalimin e gjuhës së urrejtjes; ngase, urrejtja nuk sjell gjë tjetër, përpos se urrejtje.
Mesazhi juaj i fundit?

 

Populli shqipëtar, njëherë e përgjithmonë, duhet ta mposht ndjenjën dhe kompleksin e inferioritetit që ka, duke e vlerësuar mirëfilli peshën dhe pozitën e vet; ngase, aq sa do ta vlerësojë vetvehten, aq do të vlerësohet nga të tjerët.

 

 

 

To Top