Intervista

Flet maqedonasja Elena: Unë, bashkëshortja e lumtur e një shqiptari!

elena

Intervistoi: Memedali Jusufi

Do ishte Dhërmiu, vendi ku do ngjizej një dashuri mes vajzës maqedonase Elena Miteva dhe djaloshit shqiptar, Visar Vishka, aktorit më të mirë të Maqedonisë; një vend vërtet i bekuar për t`u ndjerë i dashuruar pa kushte. Dhe prezantuesja e folësja e njohur që tashmë mban mbiemër shqiptar, pas sfidës së fituar me zemrën, është dhe përballë asaj me gjuhën e të shoqit: shqipen, për ta mësuar mirë, në të shkruar e sidomos në të folur.  Për herë të parë, ajo bën publike diç prej jetës së saj, një lloj lumturie që nuk gjen arsye pse mos e ndan me të tjerët…   

Elena, mësuam se i jeni futur me shumë pasion e dëshirë të mësuarit të shqipes. Si po të ec?

Eshtë një përvojë e bukur, sepse në fakt bëhet fjalë për një gjuhë goxha të vështirë, pikërisht këtu qëndron sfida e madhe. Përveç kësaj, është gjuhë amtare edhe e bashkëshortit tim, që padyshim është një motiv shtesë për ta mësuar.

Po karriera juaj, cila është? Na rrëfeni diçka për dashurinë profesionale…

Mediumet, sidomos televizioni, është një dashuri e imja e kahmotshme. Para ekraneve të vogla jam gati 15 vite rresht. Qysh fëmijë më magjepste fuqia e informacionit që transmetohej përmes mediumit, sikurse i gjithë procesi i përgatitjes së gazetarëve, ajo “ëmbëlsira e vogël”, tema pozitive dhe sidomos puna më njerëzit. I dua njerëzit. Secili njeri është rrëfim më vete, botë më vete që ju e prekni, nxirrni më të mirën nga ai, atë që është më interesante brenda tij në një moment të caktuar. Ndërkohë, televizioni dhe radioja janë dy mediume krejtësisht të ndryshme, por argëtohem t`i bëj të dyja sepse secili e ka magjinë e vet. Momente interesante ka mjaft, sidomos kur je live. Atëherë shumë lehtë juve, por dhe bashkëbiseduesit mund t`ju ndodh lapsus, por që edhe ajo është simpatike. Ajo është dëshmi se edhe ju jeni njeri dhe juve mund t`ju ndodh gabimi.

A ka hapësirë që të kultivohen vlerat universale të njeriut në Maqedoni?

Për fat të keq Maqedonia është një vend që ka gjithnjë e më pak hapësirë për njerëzit, ku të vlerësohen gjërat e bukura, të mëdha, vlera të vërteta që mund ta karakterizojnë një njeri. Maqedonia më herët ishte një shtet që më bënte krenar kudo që shkoja dhe me gjithë dëshirë kthehesha në shtëpi. Por ajo sot për mua është e ftohtë, e huaj e papranueshme. Mbase jo Maqedonia, por njerëzit që na e drejtojnë shtetin. Ata na shtyjnë, na largojnë nga ajo. Kualiteti këtu (të paktën nga përvoja ime), nuk çmohet sa duhet. Gati katër vjet jam pa punë (pa vendim), e për këtë që bëj paguhem me honorare. Dua të jetë ndryshe. Dua të vlerësohet edhe puna, edhe e mira, edhe suksesi, e jo libreza partiake.

Visar Vishka, bashkëshorti juaj, është një nga njerëzit më të njohur dhe më me ndikim në jetën publike. Por cili është modeli juaj i bashkëshortësisë, që të mund të na shërbejë dhe neve për t`i përballuar më lehtë paragjykimet për tjetrin?

Visar Vishka, përveçse është bashkëshorti im shumë i dashur, si dhe baba i shkëlqyer për djalit tonë të mrekullueshëm, Dionin, është para së gjithash njeri, i cili e di mirë se çka dëshiron dhe çka bën. Do e kisha karakterizuar si të suksesshëm dhe këmbëngulës në atë që e punon. Sepse punon me gjithë zemër. Jep gjithçka nga vetja. Konsumohet, por edhe përfiton. Sa i takon asaj se si unë ballafaqohem me suksesin e tij me atë çka ai është, vlerësoj sec çdo trajtim i këtij lloji është i tepërt. Unë e përkrah maksimalisht dhe e kuptojë  “çmendurinë krijuese” të tij. Unë maqedonase e ai shqiptar! Çudi e madhe vërtet, por bota patjetër që do të ishte më e bukur në qoftëse do dinin të jetonin bashkë të gjitha etnitë dhe të gjitha religjionet. Të gjithë jemi lindur në të njëjtin nënqiell. Gjithsesi, egzistojnë edhe virtyte apo vese tek gjithsecili. Por kur e kupton se veset e dikuj nuk të pengojnë, atëherë e kupton se e dashuron. Për atë edhe jemi bashkë, andaj jemi një.

Keni qenë në Shqipëri dhe cilat janë impresionet nga shteti fqinj?

Kam udhtuar në rajon por edhe më larg. E kam vizituar edhe Shqipërinë. Kam qenë edhe në Tiranë,  Durrës, Ksamil, Sarandë dhe Dhërmi. Qytete të mrekullueshme. Tirana tashmë është një metropol interesant. Por do veçoja paksa Dhërmiun, sepse aty  është vendi ku Visari më shprehur dashurinë e tij, më kërkoi të isha bashkëshortja e tij. Ishte një natë me hënë të plotë. Kështu që jam e lidhur edhe emocionalisht për këtë vend.

Çka mendon për gazetarinë në Maqedoni, na mungojnë debate për shumë probleme që e mundojnë shoqërinë tonë?

Çka të mendoj për Maqedoninë nga kjo që dëgjojmë, nga “bombat”?! Nuk ka gazetari objektive, kritike, të mbuluar me fakte gazetarie. Gjithçka është shëndrruar në hedhje pluhur syve dhe sjellje përulësie në dobi të njërës apo palës tjetër politike. Kjo është e tmerrshme. Sidomos është rrënqethëse për një shtet të ri dhe shtet të vogël prosperues. Debatet e diskutimet mungojnë shumë. Shpresoj që së shpejti gjërat të ndryshohen dhe e vërteta të dalë në pah, të depërtojë te njeriu i thjeshtë.

Keni ndonjë hobi të caktuar pas së cilit jeni e dhënë momentalisht fort?

I gjith përkushtimi im për momentin – quajeni dhe hobi po të doni, por është diçka shumë më e madhe se kaq –   është fokusuar te djali ynë,  Dioni. Është e magjishme ndjenja e të qenurit prind. Në fakt do thosha se nuk ka ndjenjë më të mirë. Dioni tani i mbush dy vjet dhe është në një fazë interesante të rritjes dhe zhvillimit. Vrapon, flet, zbulon, këndon kërcen, e pabesueshme ta shohësh se sa energji ka dhe se ç`temperament. Në shtëpi të gjithë jemi shndërruar në dashuri. Dashuri që ka një emër: Dion.

Po Visari?

Visari është një rebel i madh. Nuk mendoj sa ka ndonjë rebel më të madh se ai, por në të njëjtën kohë është edhe baba i kujdesshëm dhe i përkushtuar. Si duket, rebelizmi nuk është i lidhur me atësinë. Për Dionin kujdeset shumë. Dëshiron të jetë me të sa më shumë që është e mundur, edhe përkundër angazhimeve të mëdha që ka. Gjezdisen bashkë, i shërben pa përtesë atij, i ndron pampersat, e ushqen, bën të pamundurën për lumturinë dhe rritjen e shëndetshme të tij dhe mua më bëhet shpirti më bëhet mal kur i shoh bashkë, si dy burra të mij. Dhe mendoj se Dioni e ka bërë më të bukur Visarin, edhe mua, të dy bashkë!

/tesheshi.com/

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Time limit is exhausted. Please reload CAPTCHA.

To Top