Flet trajneri Mensur Jakupi: Gostivari po përgatitet për në Ligën e parë

Klubi i futbollit Gostivari po vijon përgatitjet në Mavrovë për kampionatin e futbollit në Ligën e dytë të Maqedonisë në futboll.

Trajneri Mensur Jakupi flet për rrjedhën e stërvitjeve, duke shprehu ambiciet e vjetra për në inkuadrim në elitën e futbollit.

“Faza përgatitore ka vështirsitë e veta, si lodhja e të tjerë. Ekipi ka pësuar ndryshime, duke na u larguar disa lojtarë, por në anën tjetër kemi sjell edhe prurje të reja. Besoj se deri ne fillim të kampionatit ekipi do të komponohet, ku do të jemi pretendent për vendin e parë në tabelë”, deklaroi trajneri Mensur Jakupi.

Gostivarasit fazën përgatitore po e shfrytëzojnë edhe për zhvillimin e ndeshjeve kontrolluese.

Së fundmi ata luajtën miqësore me Sileksin, ku barazuan 1-1.

“Po, kemi zhvilluar ndeshje me Sileksin, ku barazuam 1-1. Megjithatë, për ne rezultati nuk ishte në plan të parë, por forma e futbollistëve dhe komponimi i skuadrës pas prurjeve të reja në ekip. Në përgjithësi jam shumë i kënaqur edhe me fazën përgatitore dhe me angazhimin e lojtarëve. Shpresoj që kështu do të vazhdojmë deri në fillim të sezonit futbollistik”, theksoi ai.

Gostivari deri në fillim të kampionatit të ri do t’i zhvillojë edhe katër ndeshje, dhe të gjitha në Gostivar.

Të enjtën do të luajnë me Korabin e Dibrës, pastaj me Bregallnicën (31 korrik dhe 4 gusht) dhe me 11 gusht provën gjenerale me Goblenin e Kumanovës.

Gostivari në Mavrovë është nga 20 korriku dhe aty do të mbesin deri më 30 të këtij muaji.

Loading...