FMN: Reforma fiskale amerikane do të dyfishojë rritjen ekonomike botërore

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) është treguar edhe një herë optimist për rritjen ekonomike botërore duke përfshirë këtë herë ndikimin pozitiv për një kohë të shkurtër të reformës fiskale amerikane dhe ritmin e rritjes ekonomike nga ekonomitë e zhvilluara.

Pas një rritjeje prej 3,7 % në 2017, Prodhimi i Brendshëm Bruto botëror pritet të rritet në 3,9 % në 2018 dhe me të njëjtin ritëm në 2019, një përmirësim me 0,2 pikë në raport me parashikimet e mëparshme në tetor që ishin publikuar tashmë.

Për SHBA-në, ku administrata Trump miratoi para Krishtlindjeve një reformë taksash, FMN-ja ka parashikuar një rritje prej 2,5 % këtë vit, një rritje me 0,6 pikë në përqindje krahasuar me parashikimet në vjeshtë dhe 2,7 % vitin e ardhshëm (+0,4 %).

“Rishikimi reflekton ritmin e rritjes botërore më të shpejtë dhe ndikimi i pritur nga ndryshimet e politikës fiskale në SHBA”, thekson FMN-ja në një raport të konjukturës botërore.

“Rreth 120 ekonomi, që përbëjnë tre të katërtën e PBB-së botërore, kanë regjistruar një rritje ekonomike në 2017, rimëkëmbja më e përhapur në botë që prej 2010”, thekson instituti i Uashingtonit, që ka publikuar parashikimet e aktualizuara ditën e hapjes së Forumit Ekonomik të Davosit në Zvicër.

Përsa i përket SHBA-së, FMN theksoi se ulja e taksave mbi kompanitë do të tërheqë investimet, gjë që mund të sjellë një rritje ekonomike me 1,2 pikë në përqindje deri në 2020 duke stimuluar rritjen e partnerëve tregtarë si Meksika.

PBB-ja meksikane pritet të rritet me 2,3 % në 2018 (+0,4%) dhe 3% në 2019 (+0,7 %).

Loading...