Kulturë

Formohet Këshilli i kulturës

keshilli

 

Me vendim të ministrit të Kulturës së Republikës së Maqedonisë, Robert Alagjozovski, dje në Shkup u themelua Këshilli i Kulturës, si një trup profesional dhe këshillëdhënës i ministrit të Kulturës, me anëtarë artistë të shquar, profesionistë në fushën e kulturës dhe jetën publike e shoqërore, në bazë të parimeve të kompetencave dhe përfaqësimit adekuat dhe të barabartë të qytetarëve që u përkasin të gjitha komuniteteve.
Në mbledhjen konstituTive, përveç njohjes së anëtarëve të Këshillit me gjendjen dhe punën e Ministrisë, ata u obliguan për punë transparente, qasje të hapur ndaj opinionit, si dhe për bashkëpunim aktiv me të gjithë aktorët në fushën e kulturës.
Për anëtarë të Këshillit u zgjodhën Gjyner Ismail, profesor i filozofisë (i emëruar president i Këshillit), Prof. Dr. Mirosllav Grçev, profesor në Fakultetin e Arkitekturës pranë UKM, Petar Arsovski, aktor i diplomuar, Prof. Dr. Maja Bojaxhievska, profesor në Fakultetin e Filologjisë në UKM, Prof. Dr. Vlladimir Millçin, profesor në Fakultetin e Arteve Dramatike në UKM (në pension), Doc.Dr. Ramadan Ramadani, ligjërues universitar në lëminë e histories së periudhës osmane, Sonja Abaxhieva, historiane arti dhe kritike, Mr. Reshat Ameti, profesor dhe piktor akademik, Diana Toska, magjistre e diplomacisë, Mr. Gena Teodosievska, gazetare dhe kritike filmi, Prof. Dr. Bajram Çupi, profesor inordiner në Fakultetin Muzikës të Universitetit të Tetovës, Mr. Vesna Illkova Ginovska, profesore inordinere në Fakultetin e Muzikës në UKM dhe primadonë në Operën dhe Baletin e Maqedonisë dhe Selam Sulejmani, profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe.
Sipas Ligjit të Kulturës, roli i Këshillit është që t’i paraqesë mendime dhe vlerësime ministrit të Kulturës në çështjet e juridiksionit të tij, ndërsa konvokohet me kërkesë të ministrit. Anëtarët e këshillit zgjidhen gjatë mandatit të ministrit të Kulturës, me një kohëzgjatje prej një periudhë maksimale prej dy vjetësh.

To Top