Ndajnë të njëjtin grup parlamentar prej pesë deputetësh, madje të njëjtin emër dhe të njëjtën llogo partiake, por kanë bindje të kundërta politike.

E gjitha kjo si pasojë e epilogut në Gjykatën administrative. Alsat mëson se vendim i gjykatëses pritet të shpallet gjatë kësaj jave. Krahu i Gashit është optimist se Gjykata Administrative do të vendos në favor të tyre. Sipas këtij krahu, deri në vendimin gjyqësor, gjithçka do të vazhdojë të funksionojë njëjtë. Zëdhënësi Murtezani madje u bën thirrje dy deputetëve të Kasamit që të deklarohen si deputet të shumicës parlamentare.

“Sipas pritshmërisë tona dhe informacioneve tona ky proces gjyqësorë shumë shpejt pritet të merr epilog, ndoshta brenda këtyre ditëve. Pasi të shpallet vendimi, gjë për të cilën ne jemi të sigurt se do e fitojmë këtë proces duke u bazuar në provat dhe faktet e mjaftueshme që pala tjetër ka bërë falsifikime dhe e ka tjetërsuar vullnetin e organeve të partisë, pas kësaj u mbetet dy deputetëve tjerë që të vendosin në vendimit gjyqësorë se a do të jenë pjesë e Lëvizjes Besa ose jo” – deklaroi Orhan Murtezani – Zëdhënës i Besës së Gashit.

Nga ana tjetër krahu i Bilall Kasamit e quan si paradoksal paraqitjen e grupit të Gashit në emër të Lëvizja Besa. Ai thotë se Besa është parti opozitare dhe se deputetët e saj që mendojnë ndryshe, duhet të dorëzojnë mandatet.

“Lëvizja Besa në zgjedhjet e fundit parlamentare fitoi 5 mandate deputetësh, tre deputetët të cilët tanimë funksionojnë jashtë kornizave të strukturave legale dhe legjitime e kanë vetë-përjashtuar veten nga Lëvizja Besa. Është çështje e tyre se si do të pozicionohen, ndërsa nëse kanë ndërgjegje do të duhet të dorëzojnë mandatet dhe ta provojnë veten në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Lëvizja Besa është parti opozitare dhe si e tillë vazhdon me veprimin e saj opozitar, ndërsa të tjerët duhet të tregojnë se çka përfaqësojnë” – tha Abdush Demiri -Nënkryetar i Besës së Kasamit.

Bilall Kasami dhe Afrim Gashi janë dy personat që synojnë të parin e këtij subjekti politik edhe pse ende nuk dihet qartë se në dorë të kujt do të mbetet kjo parti. Përçarjet në Lëvizjen Besa filluan pas përfundimit të zgjedhjeve lokale kur grupi i Afrim Gashit mbajti mbledhje për shkarkimin e Bilall Kasamit nga pozita e kryetarit, vendim ky që më vonë u shpall i pavlefshëm nga organet e drejtësisë. Ky vendim nga ana e Gashit u ankimua në Gjykatën Administrative.

Loading...