Francë, shkrumbohet kampi i refugjatëve në veri të vendit

Një kamp që strehonte 1.500 emigrantë në veri të Francës është shkatërruar i tëri si pasojë e një zjarri, që sipas zyrtarëve ra gjatë një përleshjeje mes afganëve dhe kurdëve.

Të paktën 10 persona kanë mbetur të lënduar kur zjarri përfshiu çadrat në kampin Grande-Synthe, në afërsi të portit Dunkirk. Muajin e kaluar zyrtarët deklaruan se kampi do të çmontohej për shkak të trazirave.

Bregu verior i Francës ka qenë një magnet për emigrantët që përpiqen të arrijnë Britaninë. “Nuk ka mbetur gjë tjetër përveç hirit”, ka deklaruar Michel Lalande, prefekt i rajonit verior të Francës.

Ai është shprehur se, do të jetë e pamundur që çadrat të ngrihen sërish aty ku ndodheshin më parë.

Numri i banorëve të kampit Grande-Synthe është rritur që nga tetori i kaluar, kur autoritetet çmontuan kampin e njohur si “Xhungla”, në afërsi të lokalitetit Calais, rreth 40 kilometra larg.

Mbërritja e më shumë afganëve rriti tensionet me kurdët që jetojnë në kamp, raporton agjencia e lajmeve “AFP”, që citon dëshmitarë dhe zyrtarë.

Emigrantët janë evakuuar dhe do të dërgohen në një qendër akomodimi të improvizuar, me dy palestra që janë vënë në dispozicion për ta.

/ Top Channel

Loading...