Në Ditën Botërore të Luftës kundër HIV AIDS, vijnë lajme shprese për të gjithë njerëzit e infektuar me këtë virus. Ka nisur në Afrikën Jugore eksperimentimi i një vaksine të re, e cila mund t’i japë fund sëmundjes së Sidës, transmeton shendeti.com.al.

Hulumtuesit shkencorë shpresojnë që vaksina, e quajtur HVTN 702, mund të çojë në zhvillimin e një kure për virusin HIV, i cili infekton 37 milionë njerëz dhe vret mbi 1 milion çdo vit.

5,400 meshkuj dhe femra nga Afria e Jugut, seksualisht aktivë, të moshës 18-35 vjeç, do të marrin pjesë në testimin e ilaçit të ri, i cili është prodhuar nga kompanitë farmaceutike Sanofi Pasteur dhe GSK.

Nismës së re i janë bashkuar edhe Instituti Kombëtar Amerikan i Sëmundjeje Alergjike dhe Infeksioneve, ushtria amerikane, Këshilli Afrikano-Jugor i Kërkimeve Mjekësore dhe Fondacioni Bill & Melinda Gates.

Shkencëtarët do të testojnë efikasitetin dhe efektet anësore të vaksinës, e cila është një version i modifikuar i vaksinës së mëparshme, e quajtur RV144. Kjo vaksinë është testuar në vitin 2009 tek më shumë se 16 mijë tajlandezë, e cila rezultoi efektive tek 31% e tyre.

Edhe pse përqindja ishte e vogël, ajo u dha shpresë shkencëtarëve në gjetjen e një kure përfundimtare për parandalimin dhe trajtimin e HIV AIDS.

Ndërsa vaksina e re shkencëtarët shpresojnë që të rezultojë 50% efektive. Gjysma e pjesëmarrësve në studim do të marrin vaksinën e re, ndërsa gjysma tjetër një ilaç të zakonshëm. Të gjithë pjesëmarrësit do të marrin pesë injektime për një vit, së bashku me një ilaç që do të rrisë sistemin imunitar.

Rezultatet e studimit priten të dalin në fund të vitit 2020.

Loading...