Boksieri britanik Tyson Fury ka deklaruar sot se marrëveshja për të dueluar me kampionin e botës së peshës së rëndë Deontay Wilder, që mban titullin e kategorisë WBC është çështje e përfunduar . Fury, ish-kampion bote në peshën e rëndë u rikthye në ring më 9 qershor të këtij viti pas më shumë se dy vitesh e gjysmë pushim, kur mundi me KO rivalin Sefer Seferi. Ndërkohë që, më 18 gusht ai do të përballet me italianin Francesco Pianeta, në një tjetër duel “përgatitor” në prag të sfidës së madhe me Deontay Wilder, që me shumë gjasa mund të zhvillohet në dhjetor të këtij viti.

 

“Fillimisht do të hedh në tapet italianin dhe më pas Wilder. Ndaj le të vallëzojmë miq”, ka qenë komenti i Tyson Fury në rrjetet sociale, duke qenë optimist për të ardhmen, ku synon të rimarrë titujt kampionë bote që pat fituar në nëntor te 2015-ës ndaj Wladimir Klitschko. Por pas problemeve me dopingun dhe ato psikologjike, ai u tërhoq dhe dorëzoi titujt. “Unë jam një njneri i fjalës, kam thënë se do të dueloj me ty dhe do ta zhvilloj këtë sfidë. Negociatat janë të vështira, por jemi shumë pranë marrëveshjes”, tha më tej Fury.

 

Edhe Frank Warren, menaxheri e promotori i boksierit britanik, konfirmon bisedimet: “Jemi pak shpejt për ta deklaruar këtë gjë, por dueli i radhës së Fury ndaj Pianeta do të na japë një përgjigje më të saktë. Tyson ka humbur sërish peshë dhe është fokusuar te duelet e mëdha. Ai nuk është aspak i shqetësuar se ku dhe kur do të zhvillohet kjo sfidë, pasi është gati të shkojë edhe në Amerikë për të dueluar me Wilder. Fury do që ky duel të zhvillohet këtë vit, ndihet në formë dhe është gati edhe psikologjikisht për t’u rikthyer kampion”.

Loading...