Fushatë e Civilit për zgjedhje të lira

CIVIL – Qendra për Liri sot e fillon video-fushatën e titulluar “Për Zgjedhje të Lira”. Ekipi i Civilit xhiroi 27 intelektualë, artistë dhe aktivistë, të cilët i ndanë mendimet, ndjenjat dhe mesazhet e veta për zgjedhje të lira. Duke filluar nga sot, 16 nëntor 2015, Civili do të publikojë nga një deklaratë nga kjo fushatë, çdo ditë.

Kjo fushatë e re për zgjedhje të lira mund të përkrahet me marrjen, ripublikimin dhe shpërndarjen e video përmbajtjeve nëpër media dhe në rrjetet sociale. Fushata përbëhet nga video deklarata të publikuara në YouTube kanalin dhe ueb-faqen e Civilit, si dhe nga një sërë aktivitetesh të tjera mediatike dhe nga terreni të organizatës, me qëllim të forcimit të vetëdijes publike për të drejtat e votuesve. Audio regjistrimet nga deklaratat do të publikohen në SoundCloud kanalin e Civilit. Të gjitha përmbajtjet janë me licencë Creative Commons, që nënkupton marrjen e lirë, pa kërkesë për pajtueshmëri nga burimi.

Këtë vit Civili filloi me një sërë projektesh me qëllim të dhënies kontribut drejt tejkalimit të krizës politike dhe krijimit të kushteve për zgjedhje të lira. Kjo fushatë është pjesë e këtyre projekteve.

Fushata fillon me deklaratën e Ognen Janeskit, gazetar dhe aktivist, me titullin “Ta jetojmë demokracinë!”. Në vijim, jua përcjellim transkriptin e deklaratës së tij:

 

Qytetare dhe qytetarë të nderuar!

Në atë çast kur do t’i thoni dikujt se nuk dilni të votoni në zgjedhje sepse të gjithë janë të njëjtë dhe sepse nuk besoni se do të ndryshojë gjë, atëherë keni gabuar dhe ia keni vulosur fatin këtij shteti në një drejtim i cili nuk është përzgjedhja juaj.

Zgjedhja juaj, shfrytëzimi i të drejtës suaj të votimit është diçka që e krijon të ardhmen e këtij shteti.

Prandaj, kurrë mos lejoni që vota juaj të jetë e pashfrytëzuar dhe pastaj të mendoni se dikush e ka keqpërdorur. Për të mos i pasur këto mëdyshje, të gjithë duhet të dalim në zgjedhje.

Vetëm kështu vullneti i lirë dhe mendimi i lirë do të prodhojnë zgjedhje të lira. Vetëm në këtë mënyrë nuk do të mendojmë se ç’është demokracia, por do ta jetojmë.

Kur mendoni se ç’është demokracia, në të njëjtin çast kuptojeni se ajo nuk ekziston. Në atë çast kur do ta jetojmë, s’do të kemi nevojë ta mendojmë.

Votoni lirshëm në zgjedhje!

Loading...