Gazmend Bajri: Filmin “Ferdonija” do ta dërgoj edhe në Serbi

Dy vjet me radhë regjisori Gazmend Bajri kishte shkuar rregullisht në shtëpinë e Ferdonijes, me qëllim që të nxirrte më spontane jetën e saj, për realizimin e filmit të tij po me të njëjtin titull, e që e prezantoi së fundmi premierë në DokuFest. I futur në kategorinë e filmave të shkurtër, ku të shtunën edhe do të bëhet publik fituesi, regjisori i këtij filmi ka treguar për përvojën e realizimit të këtij filmi, i cili është realizuar pa skenar. Ai poashtu ka thënë se ka për synim që këtë film ta prezantojë edhe në Serbi, me qëllim që edhe serbët të shohin dhimbjen e Ferdonijes, të cilës, përgjatë luftës së fundit të Kosovës i janë zhdukur burri dhe katër djemtë e saj.

Sarandë Selimi

KultPlus: Ju sapo prezantuat premierën e filmit “Ferdonija” dhe nëpërmjet këtij filmi paraqitët dhimbjen e një gruaje shqiptare që i janë zhdukur katër djemtë dhe burri i saj, në luftën e fundit të Kosovës. Kurajë e madhe për ti hyrë këtij projekti, duke pas parasysh se keni qenë në dijeni qysh në fillim se me sa rrëfime të dhimbshme do të përballeni, si ja dolët?
Gazmend Bajri:
Fillimisht kam qenë vetë i traumatizuar me luftën, përvojat e mija me luftën kanë qenë me plotë trauma dhe më kanë interesuar këto trauma, kam dashtë të kuptoj më shumë se çka është trauma, si bëhet ajo dhe si manifestohet tek njerëzit dhe çfarë duhet të bëjmë si shoqëri që të mundemi me shëndoshë dhe çka ish dashur të bëjmë ne që ta shërojmë. Ne si shoqëri , mendoj se kemi dështuar të merremi me njerëz të traumatizuar të luftës, nuk ka pas shumë vëmendje, kryesisht janë ndalë, nuk kanë folur rreth kësaj çështje, edhe pse, njerëzit kanë përjetuar shumë më shumë se sa që dimë. Pastaj, me Shkurtën, të cilën e kemi realizuar këtë film si bashkëregjisorë, jemi njoftuar shumë spontanisht. Ajo në vitin 2004, ka shkuar në grevën e urisë që është mbajtur nga gratë të cilët kanë familjarë të zhdukur, dhe Shkurta i është bashkëngjitë asaj greve. Mandej ne jemi takuar dhe shumë spontanisht kemi vendosur që të shkojmë atje dhe të shohim se çfarë po ndodhë atje. Kur kemi shkuar në zyrën e këtyre grave, nuk kemi bërë pyetje, vetëm kemi qëndruar, sepse ka qenë një situatë shumë intensive, sepse ato menjëherë filluar ta transmetojnë dhimbjen e tyre dhe ne jemi shtangur.

Pas atij takimi ne kemi menduar se pse nuk bëjmë diçka, pse nuk e bëjmë një film me këto gra. Pas kësaj ne kemi filluar të shkojmë goxha shpesh, i kemi vizituar dhe normal pa kamerë, sepse unë kam dëshirë që para se të fillojë punën të krijoj një lloj besimi tek protagonisti , sepse është e domosdoshme një rahati, që kur të xhirohet mos të vërehet se është duke u bërë film. Ne kemi vendos të shkojmë në një mënyrë më të vështirë të trajtimit dhe dokumentimit në film duke mos bërë pyetje shumë në proces. Normal kemi pas pyetje, por jemi munduar ta bëjmë sa më spontane, dhe kështu kemi ndenjur shumë gjatë me Ferdonijen, kemi fjetur atje dhe e kemi përcjellë gjithë procesin e jetës së saj. Si ka fjet, si ka shikuar seriale, si ka ngrënë…, e kështu me radhë, sepse në njëfarë mënyre, jo vetëm tregimi tregon traumë por edhe mënyra se si jeton tregon traumë. Këtë vajtje ardhje e kemi kaluar brenda dy viteve, kemi shkuar në periudha të ndryshme. Tashmë jemi lidhë shumë, kemi momente kur shkojmë dalim e hamë drekë bashkë, dhe kjo është baza. Pastaj tek faza e postproduksionit kanë ardhë njerëz të rinj, kanë ardhë disa kolegë në proces dhe na kanë ndihmuar, kanë tregu se si po u duket, si po e shohin dhe mendoj që gjëja më e rëndësishme në një film është kur sjellë energji të re, sjellë njerëz të rinj dhe të japin ide të reja, kështu e sheh se ku je.

20160812155827535

KultPlus: Si ishte momenti i parë i takimit me Ferdoninë, dhe si e ka pritur idenë e të bërit film për jetën e saj?
Gazmend Bajri:
Të tregoj sinqerisht, Ferdonija nuk ka qenë njëherë si opsion për ne. Ne kemi nisë me disa gra të tjera, ta bëjmë hulumtimin dhe të rrimë me to. Por ndërkohë dikush na ka propozuar të shkojmë tek ajo, sepse është interesant. Dhe kur kemi shkuar herën e parë ka qenë shumë dramatike, sepse si kemi hyrë në shtëpi ajo filloi të tregojë për ngjarjen si për ndonjë TV reportazh. Mirëpo, unë nuk e doja atë qasje të një TV reportazhi. Më vonë, prapë kemi menduar se kjo është figura më interesante për film, sepse jetonte vetëm, e kishte gjithë familjen e zhdukur, dhe mënyra se si ajo e përballon dhimbjen për ne ishte shumë inspiruese për film. Kështu kemi vendosur që mos të shkojmë te gratë e tjera, por të merremi vetëm me jetën e Ferdonijes.
Kështu e kemi shpalosë komplet një ditë të sajën, me gjithë dhimbjen që bartë mbi supe. Fillimisht ajo hezitoi por ne e krijuam një lloj besimi që është ndier shumë komod, ndoshta edhe qasja jonë e ka ndihmuar, sepse ne në asnjë moment nuk kemi insistuar, i kemi thënë që po vijmë, po rrimë bashkë, komunikojmë për çfarë të duash dhe në momentin që të pengojmë na thuaj dilni jashtë dhe ne e kuptojmë. E gjithashtu i kemi treguar se po duam të kapim momente shumë personale të jetës së saj, jo vetëm duke na treguar rrëfime, sepse ajo çka më interesonte mua, ishte prurja e Ferdonisë në film.

KultPlus: Si keni funksionuar drejt realizimit të filmit, keni pasur skenar apo krejt çka pamë në film ishte spontane?
Gazmend Bajri:
E gjitha është spontane, nuk ka asnjë pjesë që e kemi shkruar në skenar. Dhe pikërisht që është realizuar spontanisht, realizimi i xhirimeve ka zgjatë për dy vjet. Ne qysh në fillim vendosëm që ta ndjekim atë rrugë, edhe pse e vështirë për mua, ishte më interesante që ta kapim edhe vizuelisht këtë dhimbje.

KultPlus: Të flasim për skena, dua t’i vë theks të veçantë skenës kur ajo shkon te varrezat dhe fillon diskutimin te varrezat?
Gazmend Bajri:
Skena kur ka shkuar te varrezat ka qenë shumë e rëndë dhe shumë intensive për vetë faktin se ne nuk kemi ditë se çfarë do të ndodhë. Kemi shkuar bashkë dhe përnjëherë ka nisë të komunikoj me secilin prej tyre duke u ndal te secili varr. Ajo e mori një karrige me vete, ulej dhe fliste me ta, ka qenë shumë e rëndë për ne, por menjëherë mora kamerën dhe nisa ti kap ato momente. Ajo filloi të fliste dhe pjesa e vështirë është kur fliste me djemtë, kur tregon për martesat, sidomos me djalin e vogël që asokohe ishte 14 vjeç, ajo fillon ti tregoj se si tashmë i janë martuar shokët, e kështu me radhë, ajo ditë ka qenë shumë e vështirë.

KultPlus: Po pjesa kur i keni takuar edhe nënat e tjera, që gjithashtu kanë familjarë të zhdukur. Na shpjego, si e kanë pritur idenë se do të jenë pjesë e një filmi?
Gazmend Bajri:
Vetë ajo zyre, ai ambient është shumë i rëndë. Por në anën tjetër, pasi që kjo shoqëri ka dështuar që ti trajtojë ato gra si duhet, ato e kanë gjetur mënyrën e vet, kanë nisë të shkruajnë një libër, ku njëra prej tyre edhe ka shpjeguar se këtë libër me dëshmi e kanë nisur vetë, pasi që nuk e ka bërë Akademia e Shkencave, anëtarët e të cilës marrin rrogë për këtë punë. Kjo tregon shumë për shoqërinë tonë, si e trajtojmë njëri tjetrin, njerëzit e traumatizuar e kështu.

KultPlus: Filmi “Ferdonija”, pamë që preku skajshmërisht audiencën. Çfarë mendoni ju, sa është bërë nga kineastët për trajtimin e temës së luftës tek ne?
Gazmend Bajri:
Unë mendoj se në filmin “Ferdonija”, forma e tregimit është unike. Por ka edhe filma të tjerë ku është trajtuar lufta, dhe secili e tregon nga një tregim më ndryshe nga të tjerët.

KultPlus: Sa keni pas mbështetje për realizimin e këtij filmi?
Gazmend Bajri:
Kur e kemi nisë nuk kemi pas përkrahje fare. E kemi pas si projekt tonin me Shkurtën, ku vitin e parë kemi investuar mjetet tona për film. Kemi pas interes dhe kemi nisë pa pritë përkrahje, gjë që mendoj që është shumë e mirë edhe për filmbërës të rinj që nuk është mirë të presësh vetëm para, por të bësh diçka tënden, që edhe nëse kërkon para të kesh çka të prezantosh, të tregosh se çfarë je duke bërë dhe atëherë është më e lehtë. Ne një vit kemi investuar vetë dhe pas një viti ka ardhë mundësia të aplikojmë në fondet e Qendrës Kinematografike të Kosovës, të cilët edhe na kanë mbështetur.

KultPlus: Kush është marrë me postproduksionin e filmit?
Gazmend Bajri:
Unë vetë, të gjitha i kam bërë produksionin, post-produksionin e kështu.

KultPlus: U dha premiera në Dokufest, cili është destinacioni i radhës i filmit “Ferdonija”?
Gazmend Bajri:
Tani jemi në fazën e distribuimit, aplikimit nëpër festivale. Patjetër që do ta nisi edhe nëpër festivale, do udhëtoj shumë ky film. E të them të drejtën, dëshira më e madhe e imja është ta nisi filmin “Ferdonija”, në ndonjë festival në Serbi, në Beograd. Dua tu tregoj se çfarë ka ndodhë, dua të shoh reagimin e tyre.

KultPlus: A mund të presim edhe ndonjë film dokumentar të llojit të tillë nga Gazmendi?
Gazmend Bajri:
Po, më pëlqen të punoj këso lloj filma, i kam disa ide ende të paqarta, por kam ide, do kisha dashur të trajtoj pak edhe ushtarët e luftës së UCK-së, kisha pas dëshirë ti trajtoj më ndryshe e jo si trajtohen tek ne. E poashtu edhe për gratë e dhunuara kisha dashtë të bëjë diçka, edhe pse është e ndjeshme si temë, është e rëndë ti qasesh, por si dihet, kam ide, të shohim tash.

KultPlus: Krejt për fund, pasi edhe e prezantuat filmin “Ferdonija”, në DokuFest, cfarë mendimi keni për këtë festival?
Gazmend Bajri:
DokuFest, është një ndër ngjarjet e pakta që ja vlejnë në këtë shtetin tonë eksperimental. Në çdo aspekt është shumë i mirë, si për filmbërësit e rinj, ekonomi, kulturë e shumë gjëra të tjera. Është mundësi e mirë të njoftosh njerëz shumë të suksesshëm në botë, mund të komunikosh me ta e të mësosh gjëra të reja, çdo gjë është interesante, thjeshtë është përvojë e mirë DokuFest-i.

Loading...