Zyra Federale për Migrimin dhe Refugjatët duket se është e prekur nga një skandal korrupsioni. Një punonjëse me post drejtues ka marrë vendim pozitiv për rreth 2,000 raste azilkërkimi, pa bazë juridike.

Qeveria gjermane ka nisur hetime kundër një punonjëseje të Zyrës Federale për Migrimin dhe Refugjatët (BAMF). Ka hetime kundër personave të veçantë për shkak të një “dyshimi të konsiderueshëm”, tha zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert në Berlin. Ministria Federale e Brendshme plotësoi se një nëpunëse civile e prekur është liruar nga detyrat e saj. Hollësi nuk u dhanë, për shkak të procedurës në vazhdim.

Azilkërkuesit qenë kryesisht jezidë

Sipas raporteve të medieve, punonjësja e BAMF-it e degës së Bremenit ka miratuar në më shumë se 2,000 raste kërkesa për azil, megjithëse kjo nuk justifikohej nga parakushtet. Në rastin e azilkërkuesve thuhet se në pjesën më të madhe bëhet fjala për jezidë. Krahas nëpunëses së BAMF-it në hetimet e prokurorisë së Bremenit besohet se janë përfshirë tri avokatë dhe një përkthyes, raporton DW.

Nëse janë paguar me të vërtetë para, kjo nuk është e qartë. Por të paktën nëpunësja civile besohet se ka marrë subvencione në formën e ftesave në restorante.

Më parë ishte fjala për 1200 raste. Ndërkohë thuhet se hetuesit flasin për rreth 2000 raste në vitet 2013 deri 2017. Vetëm 98 e kërkesave qenë në kompetencën e degës së Bremenit të BAMF-it. Azilkërkuesit thuhet se kryesisht nuk qenë nga Bremeni, por nga Saksonia e Poshtme dhe nga Rini Verior-Vestfalia.

Deri tani nuk ka qëndrim të BAMF-it

Hetuesit bënë të ditur se në ditët e kaluara kanë kontrolluar në këtë kuadër tetë objekte në Bremen dhe në Saksoninë e Poshtme, midis tyre shumë zyra kancelarore. Akuza është për rryshfet dhe nxitje për të paraqitur lutje të manipuluara për azil. Një zëdhënëse e BAMF-it tha se janë urdhëruar “verifikime të rregullave dhe të anulimeve”.

Sekretari i brendshëm i shtetit Stephan Mayer i tha rrjetit redaksional Gjermania, se miratimet e kërkesave për azil të nxjerra në Bremen do të verifikohen sa më shpejt që të jetë e mundur dhe në rast nevoje do të anulohen. Kuota e pranimit të kërkesave për azil për jezidët nga Siria, në vitin 2016 në Gjermani ka qenë gjithsesi 92 deri 96 për qind.

Loading...