Gjobëvënia: “bukuroshet merimanga” ku ngecin boss-at shqiptarë

Femrat sa vinë e bëhen më të pranishme në grupet e krimit të organizuar në Shqipëri, ndonëse ende nuk kanë role shumë kryesore në drejtimin apo strukturimin e këtyre grupeve.

Veprimtaritë e tyre kriminale kanë të bëjnë kryesisht në rastet e gjobëvënieve, trafik qëniesh njerëzore, prostitucion, transportim dhe fshehje të drogës, si dhe mbulim nëpërmjet një fasade familjare për personat që merren me trafik lëndësh narkotike.

“Javanews” bëri një shqyrtim të vendimeve të dhëna nga Gjykata e Krimeve të Rënda për 8 vitet e fundit, lidhur me veprimtarinë kriminale të disa grupeve të krimit të organizuar nga ku del se në një numër të përgjithshëm prej 357 personash të pandehur, 16 prej tyre janë femra.

Figurat kryesore të krimit për ato të cilat akuzohen në lidhje me bashkëpunimin me grupet e krimit të organizuar, kanë të bëjnë me gjobëvënien, prostitucionin dhe trafikun e lëndëve narkotike.

Nga të dhënat, del se, shumë vajza bukuroshe shqiptare rezultojnë të përfshira në raste gjobëvënie, duke shërbyer si karrem për mjaft biznesmen shqiptarë.

Nga burime konfidenciale mësohet se në Gjykatën e Krimeve të Rënda, si dhe nga burime hetimore dhe policore edhe skemën sesi vajzat e bukura në bashkëpunim me element kriminal, piketojnë viktimat e tyre, kryesisht biznesmenë që kanë edhe lidhje martesore. Pas kësaj ato thurin edhe “rrjetën e merimangës”, ku në shumë raste ngec viktima e tyre. Roli i femrave është kyç në këtë veprimtari kriminale.

Ato e joshin viktimën duke shfrytëzuar hiret e më pas fillojnë të ndërtojnë një raport pasionant që fillimisht duket i shkujdesur, por më pas kthehet në një dramë të vërtetë për viktimën. Ekspertë të policisë kriminale bëjnë të ditur për Javaneës se njohjet kryesisht bëhen nëpër ambiente lokalesh që frekuenton viktima.

Pasi sigurohen elementët kompromentues si mesazhe, foto dhe video, më pas situatën e dorë e marrin bashkëpunëtorët e këtyre vajzave, të cilët herë paraqiten përpara viktimave si të afërm të këtyre vajzave e herë si bashkëshortë të tradhëtuar, të cilët kërkojnë edhe haraçin. Kjo formë gjobëvënie pak e kamufluar rezulton dhe më e përhapura dhe më e gjykuara në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Gjyqtarët e kontaktuar, tregojnë se shumica e këtyre femrave “kurth” janë përfshirë në këto veprimtari kriminale për shkak të lidhjeve intime apo familjare me pjesëtarë të grupeve kriminale. “Roli i tyre në kurthet që u ngrihen personave të shënjestruar është vetëm sigurimi i materialeve kompromentuese nëpërmjet joshjes dhe marrdhënieve intime.

Ne e kategorizojmë rol ndihmës në krimin që pason më pas me gjobëvënien. Po të njëjtin rol ndihmës ato kanë edhe në transportimin dhe fshehjen e lëndës narkotike në rast arrestimi të personit të lidhur me to. Në trafikun e qenieve njerëzore, femrat janë të pranishme në rolin e kujdestares dhe udhëzueses së viktimave të rekrutuara. Ato i luajnë këto role për shkak të përvojave të mëparshme si viktima të trafikimit, punëtore seksi apo lidhjeve të afërta me trafikantët”,- shprehet një gjyqtare e krimeve të rënda që ka gjykuar shumë çështje kriminale, ku rezultojnë të jenë përfshirë edhe femra.

Loading...