Opinione

GJUHA SHQIPE NË PRAKTIKË

abdulla-mehmeti-620x330-1

Nga Abdulla Mehmedi
GJUHA SHQIPE NË PRAKTIKË:
PROFESOR UNIVERSITETI, I UNIVERSITETIT, JO PROFESOR UNIVERSITAR
Gjatë viteve të fundit, nga shumë individë, sidomos gazetarë dhe medie në gjuhën shqipe, gabimisht përdoret shprehja ,,profesor universitar”. Ka dhe shprehje të tjera që përdoren gabimisht, por kjo është më e pranishme në shkrimet autoriale, në portalet dhe gazetat në gjuhën shqipe, si dhe emisionet e medieve elektronike.
Sipas rregullave të drejtshkrimit dhe drejtshqiptimit të gjuhës shqipe, duhet të thuhet e shkruhet: profesor universiteti, profesor i universitetit, ose profesor në universitetin (…), e jo profesor universitar, e aq më pak (siç ndodh shpeshherë), profesor pranë universitetit (…). Për ta kuptuar më drejtë, sa gabimisht përdoret kjo shprehje, do të sjellim disa shembuj të tjerë në gjuhën shqipe, si duhet të përdoren ato.
Duhet të shkruhet e thuhet: inxhinier i makinerisë, jo inxhinier makinerik; inxhinier i hekurudhave, jo inxhinier hekurudhor; inxhinier i bujqësisë, jo inxhinier bujqësor; mjek i fëmijëve, jo mjek fëmijëror; letërsi për fëmijë, jo letërsi fëmijërore etj.
Pra, profesor universiteti, profesor i universitetit, profesor në universitetin, fakultetin, departamentin (…), jo profesor universitar, (që ngjshëm me këto, do të duhej të përdoren edhe format e përçudnuara, si p.sh. profesor fakultetor, profesor departamentor, punonjës shkencor institutor, në vend se: profesor universiteti, punonjës instituti, ose punonjës shkencor i institutit, bashkëpunëtor shkencor i Akademisë (…) etj.
Siç duket, kjo shprehje në gjuhën shqipe (të përditshme) ka hyrë gabimisht përmes gjuhëve të huaja, sidomos të gjuhëve sllave, në të shumtën e rasteve nga mos njohja e këtyre gjuhëve dhe përkthimi i gabueshëm i fjalëve dhe shprehjeve nga këto gjuhë në gjuhën shqipe.
Për shembull: në gjuhët sllave thuhet: univerzitetski profesor, që në përkthim të saktë duhet të jetë: profesor universiteti, jo profesor universitar. Si në rastin e ngjashëm: gradski soobraqaj – komunikacion urban (qyteti), jo komunikacion qytetar.
(13.VII.2017)

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Time limit is exhausted. Please reload CAPTCHA.

To Top