Gjykata e Prishtinës ka vendosur që të lirojë këtë të premte nga masa e arrestit Albert Veliun, i njohur për publikun si “Babalja”.
Në seancën e sotme gjyqësore, gjykata nuk e pranoi kërkesën e autoriteteve shqiptare për mbajtjen nën arrest të Babales, pasi për shtetasin në fjalë vijojnë ende procedurat për azil. Gjithashtu nga ana tjetër, procedurat për ekstradimin e tij vijojnë ende.

Në një lidhje telefonike për ABC News avokati i Albert Veliut Tom Gashi konfirmoi se vendimi është marrë para disa minutash.

“Vendimi është marrë para disa minutash. Ka procedurë të rregullt të azilit. Nuk mund të kërkohet arrestimi nga shteti prej nga ka ikur për të kërkuar azil politik. Pa përfunduar procesi i azilit nuk mund të arrestohet, sidomos kur kërkesa vjen nga shteti nga ku është larguar”.
Babalja u arrestua ditën e djeshme nga policia në një qendër të azil-kërkuesve në Prishtinë, vend në të cilin Albert Veliu qëndronte që prej maujit qershor. Veliu pretendon se në Shqipëri i rrezikohet jeta, pasi sipas tij ai ka denoncuar një rast të trafikut të drogës.

Të shtunën që lamë pas Krimet e Rënda vendosën për Veliun caktimin e masës arrest me burg në mungesë, pasi “Babalja” akuzohet për kallëzim të rremë kryer në bashkëpunim si dhe kalim të jashtëligjshëm të kufirit.

Babalja u bë i njohur për opinionin publik shqiptar fill pas publikimit të një audio- përgjimi të nxjerrë nga PD, ku pretendohej se bashkëpunëtori X (Albert Veliu) po negocionte një rast të trafikut të drogës me vëllain e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Disa ditë më vonë Babalja doli me fytyrë në publik ku dha dhe një intervistë, duke pranuar se ai ka folur me Agron Xhafajn për trafik droge./Gazeta Express

Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/lajme-nga-shqiperia/gjykata-e-prishtines-liron-babalen-584679/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Loading...