DSK në koordinim me grupe kriminale ka planifikuar hyrjen me dhunë në Kuvend me 27 prill. Kështu njëri nga të akuzuarit për dhunën në Kuvend, Stefan Mlladenovski tregoi se me muaj të tërë ishte përgatitur ndërhyrja në shtëpinë ligjdhënëse. Në dëshminë e tij Mlladenovski tha se i akuzuari tjetër Aleksandar Vasilevski i njohur si Ninxha ka udhëhequr me grupin kriminal dhe se që nga vitit 2016, kur u mbajtën zgjedhjet e parakohshme, kishin përgatitur skenar që VMRO DPMNE-ja të mos e humbë pushtetin. Ai tha se urdhrat e DSK-së ishin që me çdo kusht partia e Nikolla Gruevskit të mbetet ne pushtet.

Në ditën e parë të protestave para KSHZ-së ku vendosej për ankesat e VMRO-DPMNE-së, Ninxha më ftoi në një kafene. Kur mbërrita me vëllain tim Mihailin, me Ninxhan ishte Nikolla Boshkoski. Ninxha na tha nëse KSHZ-ja hedh poshtë ankesat e DPMNE-së, udhëzimet e Vlladimir Atanasovskit janë se duhet të hyhet me dhunë në KSHZ dhe se do të ketë persona që duhet të hedhin kokteje molotovi” – tha Stefan Mlladenovski, i akuzuar për dhunën në Kuvend

Mladenovski në disa hapa tregoi detaje për të gjithë ecurinë para se turma të hyjnë në Kuvend, ku nga një i punësuar në DSK i është thënë se shteti është në rrezik dhe se duhet të mbrohet. Sipas tij, i njëjti person i ka thënë se të gjitha urdhrat e Ninxhas duhet të zbatohen.

Më 27 prill, rreth orës 13:00, vëllain tim e thirri Koljo dhe na thirri për të shkuar në ‘Dion’ në drekë. Arritëm rreth orës 14, Ninxha ishte i pranishëm me ekipin e tij prej 15-20 vetash. Kur arritëm atje, Ninxha na njoftoi se sot është dita. Menjëherë pas kësaj, në orën 17-30, Ninxha u ul në tryezë pas meje. Kam dëgjuar atë t’i thotë Koljos: ‘Unë mendoj se kemi nevojë për të vënë maska, më tmerrshëm do të dukemi’. Mori paratë nga xhepi i tij dhe ia dha Koljos pas së cilës ne u drejtuan në dyqan ‘Kamuflazh’. Diku rreth orës 18:40, pas një telefonate të shkurtër, Koljo na tha se Ninxha i ka thënë të nisen për në protesta. Ne shkuam në një grup prej 50 njerëzve lëvizëm nga Qendra tregtare dhe diku tek parku Koljo na tha se do të hyjmë në Kuvend, t’i vëmë maskat. Disa i kanë vënë ato, disa jo” -theksoi Stefan Mlladenovski

Ai tregon se si pasi kanë dalë nga Kuvendi është takuar me Ninxhan dhe se ky i fundit i ka thënë se në mesin tonë ka njerëz që dinë të gjuajnë me pushkë, duke u përgjigjur në dilemën nëse një grup i shqiptarëve ishin nisur për në Kuvend.

Në një moment u dëgjua që një grup shqiptarësh janë duke u mbledhur dhe po bëhen gati të vijnë nga Kuvendi dhe se janë të armatosur. Pas kësaj Ninxha shkoi të takohet me Nikolla Boshkovskin për çka kuptova se kishte ardhur me një veturë afër Spitalit të qytetit, ndërsa në veturë kishte armatim të ndryshëm si automatik, gjysmë automatik. E pyeta Ninxhan se çka do të bëhet nëse vijnë shqiptarët, ai më tha se edhe këtu ka njerëz që dinë të gjuajnë me pushkë” – u shpreh Stefan Mlladenovski

Në fund të dëshmisë së tij, Stefan Mlladenovski tha se i gjithë populli maqedonas por edhe organizatat e patriotëve maqedonas janë të keqpërdorur nga Aleksandër Vasilevski-Ninxha i cili merrte urdhra nga Vlladimir Atanasovski ish drejtor i DSK-së

Loading...