Përveç dy pikëve të humbura (0-0) kundër Teteksit, të shtunën, skuadra e Goblenit nga Kumanova, për disa muaj ka humbur edhe kapitenin Hasan Bilalli.

Ky i fundit ka thyer krahun e djathtë gjatë ndeshjes me tetovarët, pas një kontakti me portierin mysafirë. Momenti fatkeq ka ndodhur vetëm pas një cereku lojë në pjesën e parë.
Si rrjedhojë e lëndimit, Bilalli lëshoi fushën dhe pas kësaj skuadra kumanovare e pati edhe më vështirë të vijë deri te fitorja.

“Po në ndeshjen e së shtunës kundër Teteksit në stadiumin ‘Boris Trajkovski’ në Maxhari të Shkupit pas një kontakti me portierin mysafirë, i cili më goditi, kam thyer krahun poshtë bërrylit. Tani po kam dhimbje, por po shpresoj se këto dy ditë do t’i nënshtrohem operimit në Shkup. Me siguri do të më vendosin pllakë metali. Ky sezon për mua ka përfunduar, pasi deri në fund të pjesës vjeshtore kanë mbetur edhe tre ndeshje për tu zhvilluar”, deklaroi Bilalli.

Pas javës së 11-të, Gobleni gjendet në vendin e gjashtë me 14 pikë. Në xhiron e ardhshme kumanovarët do të luajnë si mysafir të Pelisterit në Manastir.

Loading...