Aktuale

Gostivari, qyteti i vetëm në Maqedoni dhe Evropë për qeverisje transparente

Nevzat-Bejta-1

Sot në ambientet e Komunës së Gostivarit u promovua projekti mbi sistemin “E Rregullativa”, një sistem mjaftë i rëndësishëm për qeverisje elektronike, i cili është zhvilluar nga “UNCTAD”.

Në fjalimin e tij përshëndetës, kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta mes tjerash potencoi që sot është bërë realitet dhe vendoset në funksion sistemi “E Rregullativa” i cili projekt e bënë të mundur që Komuna e Gostivarit zyrtarisht të jetë Institucioni i vetëm në Maqedoni që përfshihet në hartën e Kombeve të Bashkuara për shtete dhe Komuna transparente.

“Koha e qytetarëve të Gostivarit është e çmuar. Ne duam t’ju shërbejmë sa me shumë në sa më pak kohë. Portali E-Rregullativa është një nga mjetet më të mira për të arritur këtë gjë. Në pak kohë aty mund të gjeni procedurat që nevojiten për shumë shërbime të Komunës. Nëse ju duhet një leje, certifikatë, e tjerë. Çdo gjë që nevojitet do ta gjeni të renditur aty. Në sajë të ‘E-Rregullativës. Gostivar’, mund të gjeni informata hap-pas- hapi, ku të drejtoheni, çfarë dokumente të dorëzoni, sa duhet të paguani dhe sa kohë do t’ju nevojitet për të marrë një leje apo certifikatë”, tha mes të tjerash kryetari Bejta.

Të pranishëm në këtë eveniment ishin edhe përfaqësues të UNDP-së, UNCTAD-it dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim – SDC, respektivisht Ambasadës së Zvicrës në Republikën e Maqedonisë.

Si përfaqësuesi i UNDP-së, Horald Schenker potencoi se: “Realizimi i projektit pikërisht në Gostivar, tregon që sërish Gostivari është vendi ku mund të bëhen inovitete, ku mundet të fillojnë punë të reja dhe ku mund të ketë impakt sistematik në të gjithë shtetin”.

Aneta Damjanovska, përfaqësuese e Ambasadë së Zvicrës deklaroi që: “Faqja elektronike që po promovohet ua mundëson bizneseve informacionet e sakta që janë në kompetencë të Pushtetit Lokal, në drejtim të hapjes së bizneseve të reja apo nëse dëshirojnë t’i zgjerojnë bizneset e tyre ekzistuese”.

Lejla Nebiu, koordinatore e projektit para të pranishmëve bëri prezantimin e të njëjtit, me ç’rast vuri në dukje që projekti do të vazhdon edhe në të ardhmen dhe se Komuna e Gostivarit ka caktuar një administrator që do të merret me azhurnimin e të dhënave të faqes elektronike.

“Ky projekt, duhet theksuar, që realizohet në 30 shtete të botës por ajo që e veçon Gostivarin është fakti që në Maqedoni dhe shtetet e Evropës është qyteti i vetëm ku realizohet ky projekt. Nga korriku i vitit 2016 dhe deri tani, në saje të këtij projekti janë regjistruar 34 procedura administrative në gjuhën angleze dhe gjuhën shqipe, 204 hapa, 425 dokumente dhe 48 baza juridike janë ngarkuara në sistem, si dhe 20 administratorë janë regjistruar në sistem për kontakt të drejtpërdrejtë me palët”, tha mes të tjerash Nebiu.

Vlera e përgjithshëm e projektit është 136 mijë dollarë

To Top