Derisa zyrtarët në Maqedoni dhe Shqipëri po negociojnë me zyrtarët grek për arritjen e marrveshjes për kontestin me emrin në rastin e Maqedonisë, apo për vijën detare dhe heqjen e ligjit të luftës në rastin e Shqipërisë, opinioni publik grek Shqipërinë e rradhit si armikun e dytë, ndërsa Maqedoninë si armikun e tretë, derisa Turqia shihet si armiku kryesor.

Në një sondazh të publikuar nga gazeta “Ethnos” e së dielës, 87% e grekëve cilësojnë Turqinë armikun numrin 1 të vendit dhe 63% shprehin frikën për mundësinë e një incidenti të “nxehtë” mes dy shteteve.

Të pyetur nëse konsiderojnë shtet armik dikë prej fqinjëve, përveç Turqisë për të cilën thonë “po” shumica dërrmuese, pozitivisht i janë përgjigjur pyetjes për Shqipërinë, 47% e të intervistuarve dhe 45% për ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, ndërsa një pakicë e vogël prej 10% ndan të njëjtin mendim për Bullgarinë.

Ndaj pyetjes se sa gjasa ka të kërcënohet integriteti territorial nga fqinjët, për Shqipërinë janë përgjigjur “po” vetëm 27% dhe 63% “jo”. Në të njëjtat përqindje thuajse janë përgjigjet edhe për Maqedoninë, ndërsa kur vjen fjala për Turqinë 78% e grekeve ndjehen të kërcënuar.

Sipas sondazhit nëse këto vende do të integrohen në BE, 56% e grekëve beson se do përmirësohet qëndrimi i Shqipërisë ndaj Greqisë dhe po ashtu edhe i Maqedonisë, ndërsa për Turqinë më shumë se 64% mendojnë se kjo nuk do të ndodhë.

Loading...