Edhe takimi i djeshëm mes kryediplomatëve, Nikolla Dimitrov e Nikos Kocias për çështjen e emrit përfundoi pa ndonjë epilog konkret. Pala greke ia hedh topin Shkupit që të bëjë hapin e nevojshëm për arritjen e marrëveshjes, me pretendimin se pala greke tashmë ka bërë të gjitha lëshimet që mund të bënte.

Kishim guxim të sillnim kompromisin tonë. Tani ata duhet ta sjellin kompromisin e tyre, për shoqërinë e tyre dhe t’i bëjnë hapat e radhës. Mendoj se janë njerëz të vullnetit të mirë dhe janë të gatshëm të demonstrojnë lidership politik dhe dua të jem optimist. Ata e kanë përvojën e marrëveshjes që e arritën me Bullgarinë, pas së cilës marrëveshje mund të priten punë të mira. Historia duhet të jetë mësues e jo burg, andaj të shpresojmë se nuk do të kthehemi sërish në burg – deklaroi Nikos Kocias, Ministër i Jashtëm i Greqisë .

I pyetur nëse janë tejkaluar dallimet rreth ndryshimeve kushtetuese që kërkonin, Kocias tha se po të kishte ndodhur një gjë e tillë do të ishte duke festuar. Ndërkaq Dimitrov tha se janë analizuar kombinimet e mundshme se si të tejkalohen dallimet në fjalë dhe se mbetet që të njëjtat të shqyrtohen edhe në vend.

Dallime akoma ka. Mbrëmë dhe sot kemi shqyrtuar kombinime që njëra dhe pala tjetër mund t’i pranojnë. Kjo është puna jonë. Duhet për këto elemente të bisedojmë edhe në shtëpi dhe të shohim nëse në mënyrë më profitabile do të mund ta shfrytëzojmë takimin e ardhshëm – tha Nikolla Dimitrov, Ministër i Jashtëm i Maqedonisë .

Kocias përjashton mundësinë që çështja të zgjidhet deri në maj ashtu siç priste Shkupi zyrtar.

Loading...