Arben Taravari

Nuk dua te flas për depresionin dhe letargjinë shoqërore dhe kolektive në Maqedoni, pasi që me asociacionet e lira Frojdiane më përkujtojnë Gruevskin, Amdi Bajramin, Ahmetin dhe politikanë tjerë të këtij lloji. Mendoj se Maqedonia tashmë ndodhet në një rrethanë ku Evropa është kthyer në opsionin e saj të vetëm!
Gjeografikisht ne jemi pjesë e saj, jemi vonuar shumë për të qenë pjesë e Evropës institucionale. Kapriçot politike të ndodhura në vitet e kaluara kanë pasur një kosto të lartë sociale, ekonomike dhe pa asnjë dyshim dhe demokratike.
Por duke mos dashur të biem pre e gabimeve të së shkuarës, është momenti të shikojmë përpara dhe të kuptojmë se cilat janë benefitet e integrimit tonë evropian.


Evropa është një kontinent ku me mund dhe përpjekje ka arritur të funksionojë si një ekip që ka në qendër demokracinë dhe standardin e lartë të jetesës.
Këtë standard i cili provokon çdo ditë shumë djem dhe vajza tonët, të cilët nëpërmjet dramës së emigrimit dëshmojnë se e duan! Dhe është krejt normale që njerëzit të zgjedhin më të mirën për veten dhe familjet e tyre. Por duhet dhënë fund ikjes, braktisjes, duhet bërë pjesë e Bashkësisë Evropiane, duke shmangur fenomenin e rëndë të emigracionit.


30 vitet e kaluara të gjithë politikanët thonin se duan Maqedonia të jetë pjesë e Evropës, por të jemi pjesë e Evropës është e barabartë me shkolla më të mira, me spitale më të mira, me më shumë vende pune, me paga më të mira, si përfundim me një shtet social që i jep mundësi qytetarëve të tij të zhvillohen dhe të zhvillojnë vendin e tyre.
Por si bëhemi gati ne për në Evropë?!
A ka ndonjë fjalë magjike që duhet ta themi që Evropa të na thotë Urdhëroni, Ejani?!

Po! Ka! Janë Puna dhe Ligji!

Gjithnjë jam referuar presidentit amerikan Kenedi si një nga burrat më të mençur të historisë, nga ky zotëri do të mësoja një thënie që më ndërtoi konceptin tim mbi shtetin dhe shoqërinë, ai thoshte: mos pyet se çfarë bën shteti yt për ty, por çfarë bën ti për shtetin tënd!
Kështu ne të gjithë duhet të vihemi në punë, duke filluar që nga politikanët e deri tek individi që jeton në zonat më ekstreme të vendit. Por Ligji duhet të vlen njësoj për të gjithë edhe për Shilegovin, edhe për Merkon edhe për Taravarin!

Poashtu ligji duhet të vlen njësoj, kur punohet për ndotjen e ajrit, si në Manastir, ashtu edhe në Tetovë!
Me punë duhet të ndërtojmë konceptin e Trurit Kolektiv, të punojmë ndershëm, drejtë, secila hallkë të bëj detyrën e vet për të ndërtuar një shtëpi ku secili e ve një tullë dhe një gozhdë, e ku secilit i jepet merita për punën e vet!
Duke punuar secili me dedikim për të ndërtuar shtetin e të Drejtës, e Mundësive, e Zhvillimit, ne në fakt vetëm se kemi veshur këpucët që na çojnë në Evropë.


Zotërinj, Lumturia është gjendja shpirtërore të cilën të gjithë e synojmë në jetë. Kështu kur këngëtari i famshëm anglez, John Lennon ishte pyetur si fëmijë nga mësuesja e tij, se çfarë donte të bëhej kur të rritej, ai ishte përgjigjur- dua të bëhem i lumtur. Mësuesja i kishte thënë- nuk e kuptuat pyetjen- kurse këngëtari i kishte thënë – jo mësuese, ju nuk e keni kuptuar jetën!


Lumturia nuk mund të arrihet apo ndërtohet mbi themelet e korrupsionit apo qoftë edhe të mirëqenies individuale, ajo është e tillë vetëm nëse sa më shumë nga ata që të rrethojnë janë të lumtur.


Evropa na pret, ajo do ishte më e lumtur me ne, ne padyshim që do jemi shumë më të lumtur po të ishim pjesë e saj!


Para disa ditëve porosia erdhi nga Bashkësia Evropiane deri te kryeministri dhe Qeveria, aty janë numëruar në mënyrë taksative dhe në mënyrë eksplicite çfarë dhe si duhet bërë! Urdhëroni Zotëri Kryeministër, nisni reformat dhe ndryshimet, ne jemi aty si parti politike, edhe pse opozitare, do t’ju përkrahim në të gjitha hapat reformuese!
Mos e lejoni veten të jeni peng i numrave dhe kombinimeve të përlyera, momentet historike kërkojnë vendime të guximshme!/Civil

Loading...