Grupi i xhihadit “kërcënon” Shqipërinë nga salla e gjyqit

Nën masa të rrepta sigurie, ku policia ka vijuar kontrollet me agjentë civilë, në kuadër të masave të sigurisë, në Gjykatën e Krimeve të Rënda ka nisur shqyrtimi i seancës së radhës ndaj 9 të pandehurve nën akuzë për rekrutimin të xhihadistëve për në shtetin islamik të Sirisë. I pandehuri Fadil Myslimani deklaroi se nuk ka dërguar askënd në Siri, por shtoi se, “edhe sikur ta kisha bërë, do të kisha bërë gjënë e duhur, sepse do të prishja planin djallëzor të Francës dhe Amerikës për pushtimin e Lindjes së Mesme”, tha Myslimani në sallën e gjyqit.

Megjithëse disa herë u paralajmërua nga gjyqtarja që t’i përmbahej rregullit të gjykimit, 51-vjeçari nga Elbasani, u shfaq i indinjuar, pasi sipas tij, kur vriten myslimanë ata regjistrohen si statistika, ndërsa kur vriten “qafirë”, konsiderohen tragjedi e masakra. “Allahu regjistron çdo gjë. Regjistron edhe kur Franca e Amerika bëjnë plan që të godasin në Siri”, tha i pandehuri. “Po të përsëris që gjyqi regjistrohet në formë audio dhe s’mund të flasësh pa leje”, reagoi ndaj tij gjyqtarja. Por i pandehuri nuk la pa përmendur edhe ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, duke pyetur: përse trembet tani Saimir Tahiri? “Nëse nuk u ka bërë gjë myslimanëve nuk ka pse trembet. Nëse ka bërë, ku do shkojë tani?”, tha ai. Procesi ndaj të akuzuarve është në fazën e marrjes së provave shkresore të prokurorisë.

“Përse nuk flet piktori masonist për fëmijët e pafajshëm që vriten në Siri?”- ka vijuar të ngre pyetje në seancën gjyqësore sërish i pandehuri i çështjes më të madhe ndaj terrorizmit në vend. Gjyqtarja ka vijuar t`i kërkojë zbatimin e rregullores të akuzuarit për xhihad, po ai nuk ka kursyer gjatë fjalës së tij as kreun e qeverisë, po ashtu siç edhe më herët ministrin e Brendshëm, ndërsa duket se është mjaft i informuar mbi gjithçka ndodh jashtë dyerve të atij burgu dhe dyerve të të Shqipërisë. Përveç Fadil Myslimanit, në seancën e djeshme ka folur edhe imami i vetëshpallur i “Xhamisë së Unazës së Re”, Genci Balla, i cili kërkoi që prokuroria të mos sjellë në gjykatë vetëm fragmentet që i interesojnë nga përgjimet e tyre telefonike, por t’i sjellë në bllok për t’i gjykuar ato në tërësi dhe jo të shkëputura. Sipas tij duhet të sillen bisedat e plota pasi ai dhe pjesëtarët e tjerë të grupit besojnë se janë të pafajshëm dhe se po mbahen në qeli kot, pasi prokuroria nuk ka asnjë provë për t`i akuzuar e aq më tepër për terrorizëm, pasi ata janë besimtarë që nuk i bëjnë askujt keq.

Loading...