Për rregullimin e statusit të mediave në takim janë shprehur përfaqësues të Agjencisë për Media, Servisit Publik dhe Shoqatës së Gazetarëve. Debati është zhvilluar në një atmosferë të tensionuar.

Kreu i ShGM-së, Naser Selmani, ka ritheksuar nevojën për përmirësimin e kushteve në media, ndërkaq ka komentuar edhe raportin kritik të Komisionit Evropian.

“Brukseli qartë dhe padyshim thotë se liria e mediave në Maqedoni shënon regres, shkak për këtë është dhuna ndaj gazetarëve, ndikimi direkt dhe indirekt i Qeverisë në politikën redaktuese të mediave përmes reklamimit jotransparent qeveritar deri te RTVM-ja e varur dhe rregullatori i varur. Në raport Komisioni i kushton vëmendje të veçantë të gjitha formave të dhunës dhe frikësimit të gazetarëve, siç janë kërcënimet me vdekje, sulmet fizike dhe dëmtimi i pronës së gazetarëve”- deklaroi kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.

Anëtari i Agjencisë për Media, Zoran Fidanovski, tha se në takimin me grupin e punës kanë dhënë propozime konkrete për ndryshime në Ligjin për shërbime audio dhe audio-vizuele. Por, i gjithë debati ka shkuar me fyerje dhe etiketime.

“Më vjen keq që brenda ndodhën edhe përplasje që kishin prapavijë politike, etiketime personale, në vend që të ulemi dhe të bisedojmë në mënyrë direkte dhe precize për të gjitha problemet që i tangojnë mediat. Vlerësojmë se duhet të bëhet ndryshim ligjor i Ligjit për veprimtari audio dhe audio-vizuele, ku do të konsultohen një rreth më i gjerë, më shumë subjekte dhe i njëjti ligj të mos miratohet brenda natës”- theksoi përfaqësuesi i ShGM-së, Zoran Fidanovski.

Rregullimi i punës së mediave është një ndër çështjet më me rëndësi për procesin eurointegrues të vendit. Marrëveshja do të duhet të arrihet deri më 20 nëntor.

Loading...