Gurorja në Straçincë, hetohen dokumentet e kompanisë

Dy dokumente të ndryshme të Komunës Gazi Babë të Shkupit drejtuar Ministrisë së Ekonomisë vënë në dyshim lejen për punë të hapjes së gurores mbi fshatin Straçincë të kësaj komune. Kryetari i bashkësisë lokale të fshatit, Adnan Ajrullahu tha se në afat kohor njëmujor, komuna Gazi Babë fillimisht ka refuzuar iniciativën për ndarje të koncesionit me arsyetimin se punimet gjeologjike dhe gërryerja në këtë pjesë mund të dëmtojë furnizimin me ujë të fshatarëve, ndërkohë që një muaj pas ndryshon mendimin dhe jep leje për ndarje të koncesionit me arsyetimin se nuk dëmton furnizimin më ujë të banorëve.

“Sot, bashkërisht me disa aktivistë zbuluam edhe një dokumentacion ku dyshimet tona rriten edhe më shumë ku është vërtetu se komuna e Gazi Babës, mendimin e parë e jep negativisht, e refuzon kërkesën për hapjen e gurores. Por është shumë interesant se brenda një muaji, Ministria e Ekonomisë bën përsëri kërkesë, sigurisht me ndonjë, ne mendojmë ashtu, me ndonjë prapavijë tjetër, dhe brenda muajit komuna jep mendimin e dytë, edhe jep pëlqim pas asnjë arsye – deklaroi Adnan Ajrullahu, kryetar i BL të fshatit Straçincë.

Nga Dikasteri i Ekonomisë shfajësohen duke thënë se leja e koncesionit është dhënë pas dritës jeshile të 7 institucioneve të tjera në vend të cilat paraprakisht kanë konfirmuar se nisja me punë e kësaj gurore nuk do ti shkaktojë asnjë dëm. Mes institucioneve, siç thonë nga Ekonomia, janë: Komuna Gazi Babë, Ministria e Ekologjisë, Transportit, ajo e Kulturës, Qeveria, Drejtoria e Pylltarisë si dhe Drejtoria e Ujërave.

Të gjitha pakënaqësitë që mund të rrjedhin nga banorët që janë në afërsi të këtij lokaliteti mund të iniciohen dhe të shqyrtohen në suaza të komunës ku gjendet lokaliteti, në komunën Gazi Babë dhe kjo komunë e cila ka dhënë mendim pozitiv për këtë veprimtari mund të ngritë iniciativë deri te Qeveria për të rishqyrtuar këtë koncesion. Deri atëherë neve na ngelet të presim kërkesë zyrtare nga ndonjë institucion për të ndërmarrë hapa të mëtejshëm – tha Naim Vrenezi, ministria e Ekonomisë.

Nga komuna Gazi Babë, edhe pse premtuan sot nuk gjetën kohë për të sqaruar dyshimet lidhur me këtë dokumentacion, në të cilin shkruhet se lokaliteti i gurores gjendet në fshatin Osiçan të komunës Gazi Babë, ndërkohë që fshati Osiçan i takon komunës së Studeniçanit.

Ndërsa, kompania që ka fituar këtë koncesion “Millkom Inzhinering” paralajmëroi sqarime për ditën e nesërme duke përkujtuar se punimet janë ndërprerë deri në gjetjen e një zgjidhje të përbashkët me banorët e fshatit Straçinc. Madje, straçincasit edhe sot kishin qëndruar në vendin e quajtur Balik për të penguar nisjen e punimeve të kompanisë gurthyese.

Loading...